MENU
Thesari.com © 2001 - 2023

Shenasi Rama: E vërteta e “Pardesyve të Bardha” në Lëvizjen Studentore, Berisha, Imami dhe Azem Hajdari ishin “Kolona e Pestë” e - Thesari

E Martë 17 Dhjetor, 2013
Shenasi Rama: E vërteta e “Pardesyve të Bardha” në Lëvizjen Studentore, Berisha, Imami dhe Azem Hajdari ishin “Kolona e Pestë” e

pardesyt_bardha

Veprimtari i njohur dhe ish-studenti i Lëvizjes së Dhjetorit ‘90, Shenasi Rama, gjatë një interviste për gazetën "SOT" ka komentuar rolin e “Pardesyve të Bardha” në zhvillimet politike të viteve ’90, një togfjalësh ky që po lakohet fort ditët e fundit. Rama ka deklaruar se njerëzit me pardesy të bardha ishin vegla të sistemit dhe thikë pas shpinës së kombit shqiptar. Shenasi Rama deklaroi se këta njerëz, të cilët iu bashkëngjitën Lëvizjes Studentore, e kishin pardesynë e bardhë në mendje. Ai shtroi se këta personazhe kanë tentuar të dëmtojnë lëvizjen nëpërmjet veglave të tyre, si Azem Hajdari. Sipas tij, Arben Imami dhe Azem Hajdari ishin vegla të “Pardesyve të Bardha”, pra të Sali Berishës dhe regjimit. Ish-studenti i Lëvizjes së Dhjetorit ‘90, ka dhënë detaje edhe se si Arben Imami hyri në lëvizje. Ndërkaq, Rama ka deklaruar se “Marrëveshja e Katovicës” ekziston. Shenasi Rama pohoi se krerët e regjimit kishin shumë plane për ta lënë pushtetin në duar të besuara, ndërsa pohoi se Sali Berisha ishte njeriu i Ramiz Alisë.

- Z. Rama, ditët e fundit po flitet shpesh për “Pardesytë e Bardha”. Si një ndër protagonistët kryesor të zhvillimeve politike të viteve ’90, a mund të na thoni se cila është e vërteta e “Pardesyve të Bardha”? 
Pardesytë e bardha ishin në modë, dhe ishte e vështirë për t’i gjetur. Pardesyja ime është blerë në vitin 1987 me paratë e mija, e cila ka qenë ngjyrë krem. Tani njerëzit i lidhin njerëzit që iu bashkëngjitën Lëvizjes Studentore me pardesytë që kishin. E vërteta është që këta e kishin pardesynë e bardhë në mendje. Shumë ishin të lidhur me sistemin, vegla të sistemit, dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Kështu që po i quajtët “Pardesy të Bardha,” “Kolona e Pestë” apo “Masha të Strukturave” nuk ka rëndësi. Roli që luajtën ka përcaktuar se kush ishin. Thika përdoret për të ndarë bukën, për të  mbytur  gjarprin dhe për të mbytur njeriun. Në njërin rast është mjet jetese, në tjetrin është armë vetëmbrojtëse e në tjetrin është instrumenti i krimit. Këta ishin vegla e krimit, thika në shpinë të kombit, të shpresës së shqiptarëve dhe të ëndrrës për një jetë më të mirë, të lumtur e të begatë për shqiptarët.

- Të ashtuquajturit njerëzit me “pardesy të bardha”, çfarë roli luajtën në revoltën e studentëve?
Roli i tyre ka qenë i dyfishtë, dhe duhet sqaruar mirë kjo punë. Nga një anë, këta e dëmtuan Lëvizjen Studentore, sepse kërkuan ta manipulonin e përdoronin atë. Deri diku ia arritën përmes veglave të tyre si, Azem Hajdari. Nuk ia arritën sepse ishim unë e të tjerët që u organizuam në Shoqatën Fan S. Noli dhe e ringjallëm Lëvizjen Studentore, duke mbledhur të gjithë ajkën e studentëve patriotë. Rezultati i kësaj gjendje mospajtueshmërie të hapur midis lëvizjes e këtyre, ka qenë përplasja për grevën e urisë. Nga ana tjetër, këta e realizuan qëllimin e sistemit për të mbajtur opozitën nën kontrollin e hapur të strukturave. Një periudhë u pata marrë intensivisht me rrugën e ardhjes së secilit prej tyre në Lëvizje. Me ato lidhje që kisha ndërtova një strukturë të dobët, formalisht në PD, me dijeninë e Saliut e të një tjetri, por jashtë kontrollit të këtyre, që ishte mjaft efikase në mbledhjen e informacionit. Kishte njerëz që dinin shumë dhe që donin siguri për të ardhmen e tyre. Shembulli tipik i këtyre veglave është Arben Imami. Ja si hyri Ben Imami në Lëvizjen Studentore. Ai jetonte në Tiranë dhe e dinte se çka kishte ndodhur e do të ndodhte, mirëpo nuk lëvizi në asnjë moment. Më 10 dhjetor, ai shkon në Institutin e Arteve. Aty, poshtë tek Ura ku ishte Katedra e Dramës, një dikush, në ora 10:30 fiks, i ka thënë tekstualisht: “Ç’bën ti?!  Dil këtu, pse nuk ke shkuar atje?!” Dy orë më vonë, Ben Imami takohet me Saliun, me të cilin kishte miqësi përmes familjes së tij, por edhe krushqisë së tij të atëhershme me Hektorin, dhe Saliu ia përcjell Azemit (kishim shkuar bashkë në ILA). Azemi në orën  4 pasdite ia jep mikrofonin, e mbron dhe e promovon, duke e shndërruar në një udhëheqës të Institutit të Lartë të Arteve, ku e fut në rrethin e atyre që do të drejtonin Lëvizjen. Legenllëku i këtij u pa qartë në takimin me Ramiz Alinë ku, si aktor që ishte, dhe e kishte mësuar mirë mësimin, sa herë ia ndërpriste fjalën Ramiz Alia, ky fillonte ku kishte ngelur duke e thënë gjashtë herë. Megjithatë, ku nuk dinte se çka ishte e majta dhe e djathta, i tha Ramiz Alisë:  “Ti për ne je në Qendër” dhe ku dikush e shau aq keq, d.m.th. e quajti si një organ gjenital, për ato marrëzira që tha, sa që sot skuqem kur e dëgjoj atë regjistrim. Ky pastaj doli e shpalli Partinë Demokratike. Tash mos më bëj të flas për këta të tjerët, se nuk ka shumë dallim kjo punë.  Roli pozitiv ishte se duheshin intelektualët e Tiranës dhe veglat e sistemit. Kush tjetër do ta bënte opozitën? Fatkeqësia ishte se kishim një shoqëri që nuk donte të analizonte me qetësi gjendjen, por të ikte nga sytë këmbët dhe të shkatërronte shtetin represiv. Këta nuk patën kurajon të ngrihen mbi veten dhe të shërbejnë si duhet. Thjesht ishin vegla shumëpërdorimshe.

- Po gjatë ditëve të fundit është diskutuar për “Marrëveshjen e Katovicës”. Sipas mendimit tuaj, a ekziston “Katovica” dhe çfarë është ky pakt i errët? 
Unë e kam bërë një shkrim për këtë punë, dhe e gjeni në Blogun tim “Rrethi i Ferrit”. Mirëpo do të them se ka pasur shumë plane për lënien e pushtetit në duart e njerëzve të besuar. Disa nga këta ishin të besuar e disa të përdorur. Nuk kishte si ndodhte ndryshe, sistemi ishte efektiv, funksional dhe ata që dinin e që duhej të bënin shtetin ishin të gjithë pjesë e sistemit, kishin kaluar në sitën e tij e pikë. Puna ishte që në zanafillë duhej të kishte një ideologji tjetër.  Edhe këta që ishin shtylla të sistemit, e dinin se socializmi kishte dështuar. Cila duhej të ishte rruga ku duhej ecur në të ardhmen? Kështu lufta u bë midis atyre që besonin se duhej vendosur kapitalizmi  dhe atyre që besonin në shtetin komb. Ata që donin shtetin e mirëfilltë kombëtar ishin pak dhe humbën shpejt. Beteja u bë midis dy palëve që donin të kishin pronë shtetin e pasurinë kombëtare. Paria e atëhershme e la shtetin në mes të rrugës dhe u turr të bëhej pari ekonomike, borgjezia. Këta të tjerët donin të ishin borgjezia për vete. Pala tjetër në lojë ishte e interesuar për hakmarrje. Mirëpo të gjithë u ndeshëm me logjikën e demokracisë, dhe përfundimi ishte një seri ligjesh që shkatërruan çdo shans për një të ardhme normale. Mirëpo, përfundimi ishte ashtu edhe besonin atë që do të ndodhte. Pasurinë, pushtetin politik dhe fuqinë do ta kishin një grusht njerëzish dhe shqiptarët e tjerë do të bëheshin skllevërit e tyre. Kjo është gjendja ku jemi. Prandaj, njëlloj si atëherë, kur ishin me ekstremin tjetër, kur fuqinë e kishin një grusht e të gjithë vidhnin si në pronë të babait, tani fuqinë e ka po një grusht, dhe jemi pa shpresë e të kriminalizuar deri në palcë. Por zgjidhja është pikërisht ajo që unë e të tjerët e kemi promovuar, dhe për të cilën jemi sakrifikuar: një shtet komb shqiptar si Europa,  me të drejta, detyra e dinjitet për të gjithë. Edhe tani që janë në grahmat e fundit, pakti ka funksionuar e funksionon. Edhe pse Saliu është në opozitë, ai është pjesë integrale e qeverisjes. Këta qeverisin bashkë, vjedhin bashkë, vrasin bashkë, shahen për sy e faqe ditën dhe të gjithë punët e zeza i bëjnë bashkë natën. Janë të gjithë të lidhur në kërthizë bashkë e nuk i ikin dot origjinës.

- Z. Rama, ka një debat për rolin e Sali Berishës në Lëvizjen Studentore. A komandohej Sali Berisha nga Ramiz Alia, apo ai u pozicionua në krahun e lëvizjes për rrëzimin e komunizmit? 
Saliu ka qenë kundër Lëvizjes Studentore, sepse donte ta përdorte si kalin për të hipur në pushtet për interesat e tyre. Nuk ka qenë mirëfillt njeriu i Ramiz Alisë, të cilit Edi Rama duhet t’ia bëjë një përmendore diku, sepse ka qenë njeri hijesh, por burrë me të vërtetë i mençur dhe shumë elastik, por i Xhelil Gjonit. Mirëpo nga ata që erdhën, edhe pse unë e bëra armik, Sali Berisha ka qenë më lart se të gjithë të tjerët dhe ishte njeriu që duhej. Prandaj duhej mbështetur, por jo aq sa të bëhej me legjitimitet. Sa për komunizmin, pushteti ishte në mes të katër rrugëve dhe problemi ishte se kush do të duhej të ishte zgjidhja dhe rruga e të ardhmes; kapitalizmi më i egër apo shtet-kombi.

- Kur e kuptuat ju personalisht, se regjimi i Ramiz Alisë ishte dorëzuar?
Nuk ka pasur dorëzim të regjimit, ka pasur ndërrim të rregullave të lojës. Edhe pse i ngjeshur në kohë, në tre-katër ditë, procesi precipitoi më mënyrë të hatashme dhe tejet të shpejtë. Vetëm ata studentë që kanë qenë të përfshirë në procesin e ngushtë të vendimmarrjes në Lëvizjen Studentore mund të flasin me kompetencë se çfarë ndodhi. Nga ana e studentëve, për dy-tre ditë, ky grup ishte i përbërë nga Shinasi Rama, Arben Lika, Azem Hajdari, Tefalin Malshyti dhe Mimoza Zhamo. Të tjerët kanë qenë shumë aktivë, më përpara apo me pas, por jo pjesë e këtij grupi përfaqësues dhe vendimmarrës. Disa ishin në spital duke u mjekuar, të tjerë u mbështetën mbas këtyre individëve, dhe disa studentë, për ndryshe shumë aktivë, filluan të kishin dyshime për njerëzit dhe u tërhoqën disi. Po ashtu, kishte studentë shumë të aftë e të përkushtuar që për shkak të ngushtimit objektiv të rrethit vendimmarrës mbetën disi mënjanë dhe është me të ardhë keq që ndodhi ashtu. Për të mos folur për ca tipa megalomanë e pa kurrfarë boshti si Arben Imami e të tjerë që këmbëngulin se kanë qenë ata vendimmarrësit në këtë proces, thjesht sepse kapeshin mbas xhakaventos së Azem Hajdarit. Prandaj, për të kuptuar se çfarë ndodhi e kur bëri çka, duhet kuptuar mirë dinamika e ngjarjeve. Gjendja ishte e qartë. Presidentit Ramiz Alia i duhej një formë pluralizmi fiktiv. Ai mendoi t’i përdorte studentët për të arritur këtë objektiv që do të legjitimonte ‘intelektualët e shquar’ që Ramiz Alia kishte punuar t’i promovonte si figura e si disidentë gjatë vitit 1990, si dhe ‘intelektualët e rinj’ që i nxori nga skutat e strukturave. Studentët si Azem Hajdari nuk patën mendësinë dhe as fuqinë e karakterit që ta kërkonin as pluralizmin fiktiv në takimet që patën me Alinë e me përfaqësuesit e tij me 8 Dhjetor e me 9 Dhjetor. Hyrja në lojë e imja dhe e disa të tjerëve e ndryshoi gjendjen sepse kërkesat tona ishin pastërtisht politike, shumë të qarta, të parashtruara me këmbëngulje, dhe, të papranueshme për të tjerët ose shumë më të guximshme. Takimi në zyrën e Xhevdet Patës midis Saliut si përfaqësues i tij dhe disa studentëve ka qenë pika kyçe ku morën drejtim punët dhe u qartësua edhe loja politike. Sa herë që u pajtua Azemi me Saliun, që aty ishte përfaqësuesi personal dhe i autorizuar i Ramiz Alisë, d.m.th. vegla e Ramiz Alisë, në emër të shokëve të mi unë kam vënë veton dhe e kam prishur marrëveshjen midis tyre. Gjithë kohën Ramiz Alia dhe Xhelil Gjoni kanë qenë të informuar nga Sali Berisha me telefon e me korrierë si Besnik Mustafaj për pozicionin tonë. Intrasigjenca e jonë u bë shkaku pse mbledhja në KQ të PPSH, që po i zhvillonte punimet bash në atë kohë, duke e marrë vesh se kërkesat ishin pastërtisht politike u ndal tek një koncesion që mund të bëhej. Emëruesi më i vogël i përbashkët ishte një Organizatë e Studentëve dhe e Intelektualëve të Rinj, pluralizmi i subjekteve elektorale, d.m.th. një strukturë zgjedhore, në dukje e padëmshme, dhe që i interesonte regjimit,  dhe Byroja Politike vendosi që të lëshonte pe. Nga ana e jonë, ne na duhej takimi edhe ballafaqimi i drejtpërdrejtë me Ramiz Alinë dhe problemi ishte se ku do të mbahej ai takim. Kompromisi që u arrit ishte në interes të dy palëve. Presidenti Ramiz Alia e pranoi takimin më një përfaqësi duke menduar se me lejimin e organizatës së studentëve e të intelektualëve të rinj do të mbyllej edhe kjo punë. Ai dhe sistemi do të merrte atë që donte, d.m.th. një pluralizëm fiktiv, do legjitimonte ‘intelektualët e shquar’ dhe ‘intelektualët e rinj’ dhe mbyllej ajo punë, duke mos aktivizuar askënd dhe duke e vënë në gjumë popullin me idenë e një demokracie të rreme. Azemi e pranoi takimin sepse ashtu i thane Sali Berisha e Besnik Mustafaj si dhe i vëllai, Rasimi, që e sollën nga Tropoja, ‘me Gaz,’ e që rrinte aty gjithë kohën. Unë e pranova takimin sepse ai takim do të ishte mundësia e përballjes dhe e kërkimit me forcë të pluralizmit drejtpërdrejt Ramiz Alisë. Edhe në takimin e Përfaqësisë Studentore thashë se do të kërkoj pluralizmin politik dhe vetëm atë gjë. Kur e nuhati Sali Berisha me Gramoz Pashkon, që unë i kisha bërë të njohur me njëri-tjetrin po atë mëngjez, se takimi ishte tashmë i pakontrollueshëm nga Ramiz Alia, deshën të na bashkëngjiteshin, por unë i përzura të dy dhe nuk i lashë as të hynin në sallë e jo më të bëheshin pjesë e Përfaqësisë.  Kjo ishte gjendja e marrëdhënieve para takimit të 11 Dhjetorit. Mirëpo, në takim, Presidenti Ramiz Alia erdhi me mendimin se do të mbante një fjalim, ne do të duartrokisnim, do të binim në gjunjë, do na rrihte shpatullat e kështu mbyllej kjo punë. Por, edhe mbas fjalës kërcënuese hyrëse të Alisë, në takimin e 11 Dhjetorit, unë ia kërkova pluralizmin e vërtetë politik. Kjo e fuste lojën në një hulli të re shumë të rrezikshme sepse po kërkohej ndërrimi i rregullave të lojës politike. Asnjë prej nesh nuk e dinin se çka ishte vendosur në Byronë Politike apo në se Ramiz Alia e kishte autorizimin për të pranuar pluralizmin e partive. Dokumenti që na lexoi nuk ishte pluralizmi i vërtetë, por fiktiv, pluralizmi i subjekteve elektorale. Po atë dokument ma kishte sjellë edhe Sali Berisha në mëngjesin e 11 Dhjetorit. Ku e kishte marrë, le ta thotë Saliu

- Keni një qëndrim të prerë dhe të ashpër ndaj PD. E keni konsideruar organizatë kriminale. Ku e bazoni një akuzë të tillë? 
Po them se e njoh mirë PD-në, si funksionon dhe çka ka bërë. PD ka qenë shpresë e madhe, mirëpo këta e transformuan në një trust kriminal.

- A ka një krisje mes Shqipërisë dhe SHBA për armët kimike? 
Po. Ka humbje besueshmërie të ndjeshme. Së bashku me Gjermaninë e Turqinë, por një shkallë më lart, SHBA janë partneri i vërtetë strategjik i shtetit shqiptar, me marrëveshje dhe në mënyra të tjera. Ka shumë segmente në parinë e Tiranës që kanë mendësi e prioritete të tjera. 

- Shqipëria po humbet statusin për të katërtin vit radhazi. Cili është komenti juaj?
Kështu do të shkojë derisa të binden shqiptarët se rruga e zgjidhjes kalon nga vetvetja. Kur të bëjmë shtetin tonë, do të merren si duhet e ndryshe me ne. Kështu, do të vazhdojë puna; shtete që nuk japin e marrin me ne, do të dalin të vënë veton. Një vit Holanda, nesër Finlanda, në fund Portugalia dhe Irlanda. Nuk jemi për Europën, Europa nuk na do, interesat i kemi tjetërkund, dhe duhet të ndërrojmë rrugë. Mirëpo, si e kam thënë në librin tim “Përrallat e Tranzicionit Shqiptar”, këta nuk i ikin dot integrimit. Ideja e integrimit është joshja për shqiptarët që të durojnë këtë gjendje katastrofike në të gjithë drejtimet ku ndodhet shteti e kombi. Po u fik shpresa, atëherë, nuk dihet se çka mund të bëjnë shqiptarët. Mirëpo zgjidhja është aty, si derë a mbyllur të cilën nuk duan ta hapin. Po deshën t’i ikin katastrofës, duhet të kthehen tek shtet-kombi. Mirëpo kush do të kthehet? Këta janë llumi i kombit, kroma kombëtare, fatkeqësia që iu ka rënë shqiptarëve dhe një murtajë e vërtetë jenicero-martalloze që do na shuajnë të tërë. 

Intervistoi: Adriatik Doçi

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?