MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Vetmia nuk është dënim - Thesari

E Dielë 10 Nëntor, 2013
Vetmia nuk është dënim

gladiola _0

Të jesh vetëm,  por të ndihesh e plotë; e plotë me veten, e plotë me faktin që vetëmjaftohesh.Zakoni na thotë se vetmia është sikur vdekja a më mirë përbindësh i pamposhtur. Kësisoj vetmia cilësohet si e keqe, ndaj së cilës njeriu është i prirur të dëmtohet.Nuk mundet që me fjalët e së folurës së përditshme të emërtohen të gjitha ndjesitë dhe perceptimet që njeriu ka ndaj saj.Të paaftë për të përkufizuar dhe lakuar format dhe shndërrimet e saj, ajo vjen e bëhet një demon me të cilin duhet luftuar pa mëshirë dhe vetëm paskëtaj ne mund të harrojmë, në rastin më të keq, dhe të përballemi në rastin më të mirë, me trishtimin, mërinë, tabutë, konformizmat apo kompromiset që shoqëria përcakton. Dhe janë pikërisht këto të fundit ç’ka na influencojnë që të mos jemi vetvetja e ca më keq akoma, të mos jemi të lirë!Jemi mësuar që vetminë ta analogojmë me heshtjen e përtejvarrit apo përbindëshat e Hadit. Pra, vetmia nënkupton frikën. Asnjë nga mbiemrat sipërorë absolutë nuk mund të përshkruajë ndjesitë e perceptimet që shkakton emri i saj.Nuk je e aftë të përkufizosh dhe të lakosh format që merr ajo.

Është demoni që duhet të mposhtësh brenda teje, në mënyrë që të harrosh trishtimin, mërinë, tabutë, kompromiset ose  konformizmat e përcaktuara nga shoqëria. Janë pikërisht ato që na influencojnë të reshtim së qeni vetvetja.Kur instiktet çlirohen, fillojnë të marrin frymë e të sendërtohen, mund të shkaktojnë emocione aq të forta dhe me vlerë, saqë gjithçka tjetër që do të krahasohej me to do të zvetënohej e venitej, por normat shoqërore “një formë e kanunit modern”, nuk e pranojnë këtë. Madje e luftojnë pa mëshirë. Në këtë pikë duhet të kuptojmë se ndodh fenomeni ‘uniteti i mediokërve’ që kur kërcënohen vijnë e bashkohen vetvetiu.Ti ke individualitetin tënd, pjesën tënde të çmuar që s’duhet ta cënojë asgjë dhe askush; ndaj bëhu ishull dhe rrethoje privatësinë që të përket me tela me gjemba. Lufto për këtë!Ndodh të bashkosh me dikë mendimet, rrahjet e zemrës, shikimet drithëruese, frymëmarrjet, por jo vetminë. Atëherë, sado që të duheni, nuk do të ndiheni kurrë, vërtet së bashku. Siç vërteton dhe gjeometria, do të mbeteni dy drejtëza paralele që nuk përputhen kurrë dhe nuk do të shihni në të njëjtin drejtim siç mendonte A.de Saint-Exupery. (Këtu do të duhej që të ndodhnin dy fenomene në mënyrë që drejtëzat të bashkoheshin:

1. Një prekje mistike (romeo dhe zhuljeta) ku personazhet çlirojnë plotësisht instiktet (gjë që për manualet e psikologjisë është gati e pamundur por jo e padëgjuar) dhe bëhen pjesëtarë të tablosë hyjnore. 2. Perceptimi, kuptimi, toleranca dhe inkurajimi i vetmisë (së tjetrit) si dhe heqja dorë nga vetja (being selfless) me qëllim për ti shërbyer partnerit.)Ti ecën në rrugën e jetës e sigurtë, e pavarur, pa u mbështetur askund. Të tjerët çuditen me forcën dhe karakterin tënd: disa të admirojnë, disa të lakmojnë apo të shohin me zili, të përflasin me bindjen se fshihet një suport “i dyshimtë” pas gjithë këtij suksesi. Por harrojnë se vetminë, shpeshherë e karakterizon dinjiteti.Shoqëria shqiptare i edukon femrat të jetojnë dhe të ëndërrojnë përkrahjen e një mashkulli apo bashkëshorti, i cili ndihmon në zgjidhjen e problemeve. Kështu, vetë shoqëria është fajtore në viktimizimin e femrës dhe dobësinë e saj.E edukon, e mëson të përulet, të pranojë fyerjen, padrejtësinë, cënimin e personalitetit, mungesën e respektit dhe vlerësimit, pra të jetojë për dikë tjetër, sikur ajo vetë të mos gëzojë të njëjtat të drejta.

Madje ato femra krenare që guxojnë si meshkujt dhe dinë të mbajnë shumë mirë pantallonat, i përndjek mentaliteti i prapambetur patriarkal dhe paragjykimi. (Përse mposhtet femra, përse vallë mentaliteti dhe paragjykimi paskërkan kaq ndikim tek ajo? Përse vallë ajo nuk e ndjen dëshpërimin dhe përse ajo nuk e kthen këtë dëshpërim, nëse më thua që e ndjen, në tërbim gjë kjo që do ta bënte një amazonë?)E keni harruar vallë që Zoti e krijoi femrën nga brinja e burrit?! Pra as nga këmba që ta shkelë dhe as nga koka që ta urdhërojë. Por poshtë krahut të tij që ta mbrojë atë dhe nga ana e zemrës që ta dojë atë…Vetmia di të jetë një shoqe e përkushtuar, stimulon meditimin dinamik, të ndihmon të rritesh e të maturohesh. Të gjithë ia njohin domosdoshmërinë, por s’e pohojnë shpesh. Frika mbizotëron ndaj dëshirës dhe njerëzit largohen nga kjo botë duke e urryer vetminë, duke mos e njohur në thelb atë, duke iu shmangur asaj; pa shijuar frytin e “kopshtit të ndaluar”.

Vetmia nuk duhet të trembë asnjërën. Nëse qendra dhe periferia shpirtërore ndërthuren bashkë përsosmërisht, edhe po të mbetesh vetëm, do të dish të ndërtosh lumturinë.

Dhe kur mëngjeseve të të përshëndesë dhembja apo trishtimi, nuk do të vetëshkatërrohesh, alienohesh apo destabilizohesh. Në lumin e madh të jetës, nuk do t’i shpallësh sfidë askujt. Rrjedha e tij do të të marrë dhe gjërat do të ndodhin vetë, pa i sforcuar e manovruar. Mëso të jesh kontemplative. Qëndro, dhe ji vetvetja!Të gjitha ngarkesat negative, flaki tutje! Flake të gjithë ligësinë dhe ji e dlirë!Komplekset dhe ndjenja e fajit janë gjithëpërfshirëse e universale. Askush nuk përfitoi asnjë dobi prej tyre. S’duhet të shndërrohemi në marioneta; as të njerëzve dhe as të fatit.Le të kemi një dhomë më vete si Virginia Ëolf ( pa u kapluar nga simptomat e feminizmit ekstrem, nuk është kjo tema e diskutimit)… Thjesht pretendo normalitet, aty ku të tjerët shohin plot nihilizëm, inferioritet dhe skepticizëm. Bëhu normaliteti !Vetmia nuk është burgu i errët, ku ti ndihesh i harruar. Ajo është reflektimi hyjnor mbi ty. Arsyeja e logjika jetojnë jashtë dhe larg teje. Këtu koha ndalet. Dëgjohet vetëm frymëmarrja e shpirtit tënd. Vetmia është liria absolute që të çel trëndafilin e zemrës. Edhe pak hapa, dhe ja tek ekziston: nirvana.E gjitha kjo i shëmbëllen një procesi vetëpërsosjeje, nëpërmjet të cilit. ti do të gjesh shpëtimin. S’do të të mbetet më asnjë peng, asnjë fobi, asnjë ndrojë, asnjë pasiguri. Vetmia është një mësuese e madhe që të thellon dhe plotëson ngadalë.Nëse të tjerët e kuptojnë marrëdhënien e vyer mes jush, do të ndihen xhelozë, nuk do ta tolerojnë dot dhe do të përpiqen t’ju vënë shkopinj ndër rrota. Sepse njeriu është paradoksi më i madh i natyrës dhe njëkohësisht, derivat i gabimeve e zhgënjimeve të veta. I prirur ndaj vetëpërsosjes me çdo çmim, ai synon të zbulojë çelësin që kodifikon lumturinë e të ngjashmit të tij. Kjo e shëmton atë!Endjeve dhe rravgimeve për t’u pozicionuar në këtë botë, (të cilën me kalimin e viteve mbi supet tona, e krahasojmë gjithnjë e më tepër, me një ëndërr mashtruese) iu vjen fundi. Ashtu si Uliksi, ti duhet ta gjesh Itakën tënde. Ndaj, për aq kohë sa është e mundur dhe të lënë ta bësh, shijoje vetminë!

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?