VLORË - Bllokohet "Pallati i Bashës" në plazhin e Ujit të Ftohtë në Vlorë dhe po bëhen gati procedurat për shembjen e tij. Lajmi vjen nga INUK pas matjeve që i kanë bërë sot këtij objekti inspektorët ndërtimorë dhe jo vetëm atij, por dhe shumë objekteve të tjera që kanë përfituar territor nga deti.
Rreth ndërtesës së shumëpërfolur këto ditë si e paligjshme e për t'u prishur të "Bashës" janë vendosur sot pasdite rretheqark shiritat e bllokimit dhe gjenden të pranishme forca policie, për të shmangur incidentet.
Edhe pse gazetarët kanë ngulmuar të pyesin më tepër, fillimisht kreu i INUK të Vlorës, Zydi Dajti nuk u shpreh specifikisht, por nënkuptoi se "të gjitha ndërtimet pa leje, si njëkatëshe apo ato shumëkatëshe që zënë territorin e plazhit publik apo lungomares do të prishen pa përjashtim deri në Llogora". Dhe janë plot 190 objekte të tilla, që janë për t'u verifikuar. Ndërkohë
Më vonë u mësua lajmi i shembjes së ndërtesës së vjehrrit të kryetarit të PD dhe kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha, e projektuar për hotel, dhe sot është bllokuar parkimi i godinës.
Aksioni, që ka filluar prej dy ditësh, ka vijuar gjatë gjithë ditës së sotme prej inspektorëve ndërtimorë të INUK dhe kreut të këtij institucioni në Vlorë, Zydi Dajti.
