MENU
thesari.com © 2001

Braçe në Tete a Tete: Do japin llogari ata që lanë buxhetin bosh - Thesari

E Shtunë 26 Tetor, 2013
Braçe në Tete a Tete: Do japin llogari ata që lanë buxhetin bosh

erjon_brace

TIRANË - Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ishte i ftuari i rradhës në emisionin Tete a Tete në A1 Report. Braçe ka deklarua se, rishikimi i buxhetit ishte i nevojshëm pasi arka e shtetit që në muajin shtator ishte bosh. Sipas tij, janë bërë shpenzime të panevojshme gjatë fushatës elektorale dhe janë boshatisur edhe rezervat e shtetit.

Sipas deputetit socialit, për shpenzimet e bëra duhet bërë drejtësi. “Nga 230 milionë dollarë që mungojnë, 206 milionë dollarë i janë mohuar buxhetit vetëm në 4 muajt e tranzicionit. Përgjegjshmëria duhej të ishte më e madhe e atyre që dolën humbës në zgjedhje. Ngritën traun e doganës, janë përfshirë në veprimtari kriminale, të gjithë ata që kanë pasur biznese", deklaroi Braçe.

Sipas deputetit socialist, “kur mungojnë 200 milionë dollarë, duhet që të gjenden përgjegjësit, në të gjitha nivelet e qeverisjes së vendit, për shkak të paligjshërisë në ushtrimin e detyrës. Janë para që mungojnë në buxhetin e shtetit. Jo vetëm që skema është fryrë me 6 mijë persona vetëm gjatë fushatës zgjedhore. Por shteti nuk u është përgjigjur atyre që janë vërtetë invalidë”.

“Përgjegjësia duhet të nisë që nga ish-kryeministri i vendit, që në sallën e Kuvendit vetëm një gjë nuk bëri, të jepte llogari se pse mungojnë 200 milionë dollarë në buxhet”, theksoi Braçe gjatë intervistës së tij në A1 Report përballë gazetares Mirjela Ngjela.

Braçe ka hedhur edhe akuza në lidhje me rimbursimin e TVSH-së dhe sipas tij janë bërë para duke shitur këtë taksë, apo duke ndryshuar rradhën e kompanive që duhej të rimbursoheshin.

“Nuk u dha përgjigje për rimbursimin e TVSH-së, sepse deri më tani ka dalë vetëm një skemë, ajo e kompanive kineze. Pasi dolën të humbur ata u munduan të bëjnë nga një dorë para. Bode gjatë gjithë kësaj kohe ka refuzuar që të ballafaqohet. Ka një rënie shumë të fortë ekonomie gjatë tremujorit të dytë, 1.1 % ishte rritja ekonomike”, tha Braçe.
Sipas deputetit socialist, “sa herë që ka pasur fushata në këtë vend, muajt e fundit të vitit kanë qenë me të ardhura më të larta se muajt e parë. Ne kemi shkurtuar  160 milionë dollarë shpenzime me aktin normativ. Kemi prekur edhe shkurtime në shpenzimet publike dhe këto janë para grantesh që nuk janë gjendje në Shqipëri”.

“Vetëm 24 miliardë lekë do merren borxh. Ne nuk kemi krijuar borxh të ri, por kemi marrë përsipër për të paguar borxhet e krijuara gjatë 9 mujave të parë të vitit. Do paguajmë, pagat, shpenzimet, borxhet e energjisë, ato të ujit, të gjitha ato borxhe që ata që ikën nuk i kanë paguar”, deklaroi kreu i komisionit të Ekonomisë në Kuvend.

“Fondi rezervë ishte zero. Dhe ky është krim pasi të lësh në muajin e 9 të qeverisjes të lësh arkën bosh që në muajin shtator, sigurisht që është krim. Të përdorësh fondin rezervë për investime të panevojshme është krim. Të lësh zero ushqim në rezervën e shtetit, zero karburant sigurisht që është krim. Kanë prekur jo vetëm fondin rezervë dhe kontigjencën por edhe rezervën e shtetit”, tha në fund të fjalës së tij, deputeti socialist, Erjon Braçe.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?