MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Ekskluzive / Durrës. “Kurum”, shitje sekrete e 48 % të terminalit në Maltë - Thesari

E Hënë 28 Prill, 2014
Ekskluzive / Durrës. “Kurum”, shitje sekrete e 48 % të terminalit në Maltë

kurum

Pa zhurmë, në fund të vitit 2012, turqit e koncesionit Durres Container Terminal shitën 48 për qind të aksioneve te një kompani malteze, lajmi i panjohur bëhet i ditur jo nga autoritetet shqiptare (Ministria e Punëve Publike e Transportit / Ministria e Transportit e Infrastrukturës; Drejtoria e Administratës Detare, që konsulton edhe Kurum-in; drejtori ekzekutiv i Autoritetit Portual Eduard Ndreu, pasuesi Selim Belortaja) dhe Kurum-i (që harxhoi mijëra euro për reklama në mediet shqiptare), por nga vet maltezët. 

Në një intervistë për gazetën “The Sunday Times of Malta”, më 27 prill 2014, presidenti i kompanisë malteze Mariner, Marin Hili, beson se edhe pse ende në fazë fillestare të menaxhimit të terminalit të kontejnerëve në Durrës, ky i fundit ka potencial shumë të mirë për rritje të mëtejshme për shkak të vendndodhjes strategjike dhe lidhje të mira në të mirë të Shqipërisë, si dhe të fqinjëve të saj pa dalje në det të tilla si Kosova e Maqedonia.

Holdingu turk gjeti partner në kompaninë malteze Mariner, e specializuar në zhvillimin e terminaleve të mesme dhe që tashmë menaxhon Terminalin Intermodal të Venecies dhe terminalin e kontejnerëve në Riga.

Në vitin 2012, një vit pas dhënies me koncesion të terminalit të kontejnerëve, grupi turk Kurum i shiti kompanisë malteze Mariner 48 për qind të aksioneve të terminalit të kontejnerëve të Durrësit (shih foton me logon e Marinerit, marrë nga sajti i këtij të fundit).

Ndërmarrja e përbashkët turko-malteze beson në pozitën strategjike të portit si portë e Mesdheut në Korridorin VIII, rrethuar nga vendet pa dalje në det si Kosova dhe Maqedonia, por conditio sine qua non për zhvillimin e Durrësit është thellimi i portit.

Por ajo që habit me këtë rast, është një njoftim zyrtar i drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të APD Durrës e datës 6 shkurt 2013 se në mesditë, në mjediset e drejtorisë së përgjithshme të APD në prani të ministrit të Punëve Publike e Transportit, Sokol Olldashi, u nënshkrua Procesverbali i Dorëzimit për Koncesionin e parë në territorin portual.

Sipas njoftimit, marrëveshja e dorëzimit, që parashikonte transferimin e infrastrukturës së terminalit si dhe personelit e tij nga APD-ja te shoqëria koncesionare Kurum, u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i APD Eduard Ndreu dhe administratori i shoqërisë koncesionare Kurum Ahmed Kursun.

Në ceremoni mori pjesë edhe administratori i përgjithshëm i kompanisë turke, Hashmet Kurum.

E megjithatë, dy muaj më parë, dhjetor 2012 Kurum-i kishte shitur 48 për qind të aksioneve te Mariner-i i Maltës që duhej miratuar me VKM.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?