Gjykata Kushtetuese ka shpërndarë për mediat një njoftim ku sqaron vendimin e saj për pezullimin e ligjit të Vetting-ut.
Në njoftim thuhet se pezullimi është bërë pasi ligji i Vetting-ut bie ndesh me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata Kushtetuese kërkon edhe interpretim nga Komisioni i Venecias.
Ligji u miratua në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës. Partia Demokratike e ankimoi në Gjykatën Kushtetuese dhe pezullimi i tij ishte një nga kërkesat.
Pezullimi i zbatimit të ligjit do të qëndrojë deri në marrjen e një vendimi për të.
Në vijim Gjykata Kushtetuese do të diskutojë edhe kërkesën e dytë të PD-së që lidhet me shfuqizimin e disa neneve të tij të konsideruara antikushtetuese.
Ligji i Vetingut parashikon kalimin në filtër të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve nga ana pasurore dhe ajo e figurës së tyre.
Më poshtë njoftimi:
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot me daten 25.10.2016 në çështjen me:
Kërkues: 1/5-ta e Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë - Anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
Subjekte të interesuara: Kuvendi i Shqipërisë
Objekti: Deklarimi i papajtueshmërisë me Kushtetutën i ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Pezullimi i ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Baza ligjore: Nenet 4, 7, 17, 32, 42, 49, 78, 124, 125, 131/a, 134/c, 145, 148, 179/b dhe nenet A - G të Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenet 6 dhe 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut; ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Pasi mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga kërkuesi për pezullimin e zbatimit të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në bazë të nenit 45 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,
VENDOSI:
- Pezullimin e zbatimit të ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
- Kërkimin e amicus curia nga Komisioni i Venecias në lidhje me pajtueshmërinë e ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
- Pranimin e kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve te Shqiperise për të marrë pjesë në gjykim si subjekt i interesuar.
