MENU
thesari.com © 2001

Izet Haxhia u drejtohet kërcënuesve - Thesari

E Premte 27 Mars, 2015
Izet Haxhia u drejtohet kërcënuesve

ismet-haxhia

Që kur Izet Haxhia, ish truproja i ish presidentit dhe kreut të PD-së Sali Berisha, i larguar drejt Turqisë që prej 15 vjetësh, pranoi të rrëfejë për DITA-n të vërtetat e tij për ngjarjet e errëta që kanë ndodhur gjatë viteve të tij pranë Berishës, deklaratat e tij kanë trazuar shumëkënd. Në shumicë dërrmuese, lexuesit dhe publiku e ka përshëndetur këtë vendim të Haxhisë në shtatorin e vitit të kaluar dhe kuptohet që shumë ngjarje tashmë janë parë edhe nga këndvështrimi i munguar prej vitesh: Ai brenda rrethit të ngushtë të Berishës. Duke hedhur kështu një dritë të re mbi një sërë sferash, skandalesh e vrasjesh. E vetmja që nuk është trazuar, është drejtësia shqiptare, por ndërkaq palët e prekura duket se nuk kanë ndenjur duarkryq.

Izet Haxhia, në një reagim nga faqja e tij në facebook deklaron se ka marrë kërcënime ditët e fundit; nuk çuditet kur i vijnë nga “cubat e Berishës”, por bën habi me mbështetësit e ish presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Haxhia thotë se nuk i trembet vdekjes dhe nuk ka frikë, pasi kokën e tij e kanë peshuar rëndë që shumë vite më parë kur u detyrua të largohet nga vendi. “Shumën nuk e them, se i mbetet qejfi Tomës”, shkruan ai. Por ky reagim është më i gjerë se kaq: Izet Haxhia bën një sqarim të drejtpërdrejtë se përse vendosi të flasë.

Më poshtë reagimi:

“Të nderuar miq dhe armiqtë e mi të shumtë. Desha të ndaj me ju disa gjëra. Ka disa ditë që kam marrë një seri kërcënimesh, ofendimesh e sharjesh nga më të ndryshmet. Shumica e këtyre kërcënimeve e sharjeve vijnë nga anonimë që fatkeqësisht shfrytëzojnë lirinë që u japin mediat sociale për të shfryrë dufin e tyre. Një pjesë janë nga cubat që mbështesin kryecubin Berisha, por ajo që më bën të çuditem janë kërcënimet që po marr nga trimat pacifistë të pacifistit të ndjerë Rugova.

Kjo erdhi pas një citimi që Berisha kishte bërë për mikun e tij e që unë isha vetë dëshmitar i këtij citimi. Unë nuk kam qenë roje e ushkurit të Rugovës apo Berishës. Pavarësisht se gojët e liga thonë që Rugova kur pinte, kthehej në një maniak seksual, apo Berisha nën ndikimet anësore të Haloperidolit që pinte ishte kthyer në një impotent.

Në jetën time nuk kam dashur asnjëherë të jem i famshëm apo me emër. Do kisha dashur të kisha qenë më mirë çoban i dhive që dikur në rininë e tij ruante Berisha, se ta ruaja Berishën vetë. Por e kaluara nuk kthehet as nuk blihet me asgjë. Kam qenë me fat që edhe pse kam qenë pjesë e stanit kriminal të Berishës, nuk kam bërë krime. Të jeni të sigurt që po të isha i përzier me krimet e tij, do të isha ose pranë tij ose në varreza.

Një fjalë kisha për këta pacifistët e Rugovës. Po të ishit aq trima sa tregoheni të fshehur pas anonimatit, do t’u ishit bashkuar luftëtarëve të UÇK-së e jo të iknit nga sytë këmbët e të shullëheshit në plazhet e Shqipërisë, kur luftëtarët e lirisë derdhnin gjakun për lirinë tuaj; kur lideri juaj shpirtëror takohej në Beograd me vrasësin e shqiptarëve.

Disa të tjerë më thonë që të bëri njeri Berisha. Unë u them këtyre, që Berisha nuk është bërë njeri për vete e jo të më bëjë mua. Ca të tjerë më thonë që ke ngrënë bukën e Berishës. Këtyre u them që unë kam ngrënë vetëm bukën që kam fituar me djersën time e jo atë haram që ka ngrënë Berisha me sahanlëpirësit e vet.

Ca të tjerë thonë që je shitur tek Rama apo Meta. Në jetën time as nuk më ka blerë njeri e as nuk mund të më blejë, jo se jam i pasur apo nuk kam nevojë për para. Jam i varfër, jetoj në varfëri, por nuk mund të pranoj të jem në një krah me ta që kanë qenë pjesë e një qeverie që ka dhënë urdhrin për mua që të qëllohet pa paralajmërim ku të shihet. Bëhet fjalë për qeverinë Nano të vitit 98, pjesë e së cilës kanë qenë Rama e Meta. Nuk besoj që Ramës t’i ketë ikur urrejtja për mua që më quante si drejtuesi i grushtit të shtetit të 14 shtatorit, që e detyroi të ikte nga zyra komode e ministrit me çorape për t’u fshehur në bodrumin e hotel Rognerit. Apo Meta nuk mund të ketë harruar atë kohë kur rrinte përpara meje me qëndrim të përulur që të merrte një përshëndetje.

E ndjej si një detyrim për shqiptarët dhe si një pastrim të shpirtit, që të tregoj me vërtetësi pa asnjë deformim ose urrejtje personale ato që di apo kam qenë dëshmitar në lidhje me Berishën, apo ndodhi të tjera.

Po ju them diçka, nuk e njoh frikën, nuk mund të më frikësojë asgjë. As vdekja e as burgu. Aq më tepër kërcënimet e pacifistëve të Rugovës apo ato të cubave të Berishës. Nuk më ka pëlqyer as nuk më pëlqen të ankohem. Nuk jam ankuar as atëherë kur për mua u vunë shuma të mëdha parash për të më vrarë. Shumën nuk e them se i ngelet qejfi Tomës. Por killeri që kishte marrë përsipër këtë vrasje, pasi mori kaparin më çon fjalë nëpërmes një mikut tim që “bëj kujdes se duan të të vrasin” dhe u kthye në vendlindjen e vet në Prishtinë.

Ju them armiqve të mi që nuk kam frikë, jo se jam ndonjë trim apo budalla, por unë e ndjej që jam me të drejtën e po bëj diçka të dobishme. Nuk jam fshehur asnjëherë, as nuk do të fshihem. Adresën e dini. Po ju pres. Mund t’ju qeras me ndonjë salep po më dhatë mundësinë. Armë nuk posedoj sepse vazhdimisht jam i kontrolluar nga policia turke.

Por kisha një lutje për Argitën, që po pate mundësi ma dërgo atë pistoletën e vogël që të pata dhuruar kur u ktheve nga arratisja që bëre në Itali në mars 97.

Respekte të gjithëve, Izet Haxhia”.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?