MENU
Thesari.com © 2001 - 2023

Je pa patentë apo i dehur në timon? Tashti shkon në burg! - Thesari

E Premte 08 Nëntor, 2013
Je pa patentë apo i dehur në timon? Tashti shkon në burg!

policia2

Drejton makinën pa patentë, ose në gjendje të dehur, të pret qelia e burgut. Kjo është nisma më e re e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Në fakt, ka qenë e parashikuar si vepër penale “drejtim automjeti pa dëshmi, ose në gjendje të dehur”, por për shkak të tolerancës, procedimet kryheshin në gjendje të lirë. Për të zbutur dukurinë e aksidenteve që prodhojnë në të vërtetë një bilanc lufte, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, prej ditës së djeshme, ka kërkuar me një urdhër të lëshuar ndaj piramidës policore, kryesisht Njësisë së Qarkullimit Rrugor, për arrestimin në kushtet e flagrancës të të gjithë shoferëve të dehur apo që nuk kanë patenta me vete. Ditën e djeshme janë arrestuar 8 shoferë makinash në Tiranë dhe Kavajë dhe operacioni po shtrihet në të gjithë vendin, ku më pas do të vlerësohen edhe efektet e kësaj mase.

Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme konfirmuan lajmin për gazetën “Dita”. Të pyetur në lidhje me arsyet përse u vendos në këto momente shtrëngimi i dorës ndaj shoferëve, autoritetet u përgjigjën se “kjo bëhet për të ulur numrin e aksidenteve, pasi pjesa më e madhe e tyre ndodhin nga parregullsi që përfshihen në vepër penale”. Ndërkohë që sipas statistikave, llogaritet se deri në 20 % e aksidenteve shkaktohen prej gjendjes së dehur të shoferëve në timon, ose për mungesë të dëshmisë së aftësisë për drejtim.

“Kodi Penal e parashikon arrestimin në flagrancë të shoferëve kundravajtës, për rastin e patentës. Ne po e aplikojmë ashtu siç e parashikon ligji dhe nuk ka nevojë për urdhëresa të veçanta apo shkresa. Thjesht po zbatohet ligji nga policia”, tha një zyrtar i ministrisë në lidhje me operacionin më të fundit.

Deri në praktikën e tanishme, ishte proceduar ndjekja penale në gjendje të lirë dhe gjoba, por prej ditës së djeshme do veprohet ndryshe. Shoferi kundravajtës jo vetëm do gjobitet, por edhe do provojë qelinë e ftohtë të komisariatit për të paktën 24 orë. Sipas procedurave penale, pas ndalimit në flagrancë, do të jetë prokurori i gatshëm që do vendosë për veprimet e mëtejshme, nëse shoferi i kapur pa patentë në timon do qëndrojë për 48 orë në arrest deri në daljen para gjykatës, apo do të ndiqet në gjendje të lirë.

“Ne do përgatisim dosjet penale për këto raste, do ua dorëzojmë prokurorisë dhe ky organ le të vendosë më tej se si do procedojë me kundravajtësin”, shpjeguan specialistë të Rrugores. Por çfarë thotë Neni 291 i Kodit Penal; Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë, ose me burgim deri në gjashtë muaj. Për ditën e djeshme policia ka njoftuar se arrestoi kundravajtësit Altin Kasula, Hysni Meka, Oltian Muça, Xhevat Kasa, Enea Totraku, Arif Hoxha, Hysen Stafa dhe Shkëlqim Sokoli, me vetura apo motoçikleta dhe pa leje drejtimi.

Neni 291

Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi
“Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara ne gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj”.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?