MENU
Thesari.com © 2001 - 2023

Kuvendi nis hetimin për Zana Xhukën e ILDKP - Thesari

E Mërkurë 06 Nëntor, 2013
Kuvendi nis hetimin për Zana Xhukën e ILDKP

zana13

Kuvendi ka nisur një hetim ndaj kryetares së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka. Verifikimi rreth pozicionit të saj ka nisur pas një disa letrash publike të stafit të Xhukës drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe Parlamentit, shkruan sot “Mapo”.

Mësohet se tashmë ka nisur hetimi i të gjithë veprimtarisë së Xhukës në krye të ILDKP-së, duke filluar që nga procedura e zgjedhjes së saj në këtë institucion për të parë ligjshmërinë e procesit. Në analizë është marrë dhe aktiviteti ligjor i këtij institucioni dhe përmbushja prej tij e detyrimeve që rrjedhin prej legjislacionit sa i përket verifikimit dhe kontrollit të deklaratave të pasurive të zyrtarëve të lartë.

ILDKP, pavarësisht se kanë kaluar muaj nga bërja e deklarimit të pasurive nga subjektet përkatëse, nuk ka publikuar ende asnjë deklaratë. Sipas Xhukës, shkak për këtë vonesë është bërë ndryshimi i ligjit, si pasojë ILDKP nuk ka më afat të përcaktuar brenda të cilit duhet të kryejë verifikimin e deklaratave të pasurisë apo publikimin e tyre. Ligji i ndryshuar përcakton vetëm se “Publikimi i të dhënave që deklarohen pranë Inspektoratit të Lartë bëhet nga ky i fundit vetëm pasi të ketë kryer kontrollin paraprak dhe aritmetik e logjik të këtyre të dhënave, duke i shoqëruar njëkohësisht me vërtetimin përkatës mbi rezultatin e këtij kontrolli”.

Por siç bëjnë të ditur burime nga mazhoranca, ky përcaktim nuk e shpëton ILDKP-në nga detyrimi që mund të kishte bërë ndërkohë kontrollin aritmetik e logjik për të gjitha deklaratat e depozituara. Kjo sipas tyre hyn te performanca që do të vlerësohet, ku natyrisht do të merren parasysh edhe rastet e referuara në prokurori, të cilat siç kanë pretenduar punonjës të këtij institucioni në letrat e tyre publike, kanë qenë zero.

Gjithashtu, pjesë e këtij hetimi parlamentar do të jenë dhe akuzat e tjera të punonjësve kundrejt Xhukës, për bllokim të dosjeve, abuzim me karburantin e institucionit, apo edhe çuarja e të gjitha deklaratave të pasurisë të ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Kujtojmë gjithashtu se një nga çështjet që mund të bëhet pjesë e këtij hetimi parlamentar për Xhukën është dhe mospublikimi i raportit të vitit shkuar.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?