Partia Demokratike i ka cilësuar si të pamatura dhe amatore deklaratat e kryeministrit Edi Rama në Kosovë, kur e cilësoi Thaçin si “kryeministër i shqiptarëve të Kosovës”.
Në një deklaratë për shtyp zëdhënësja Laura Vorpsi theksoi se, “PD-ja i kujton kryeministrit të vendit se politika e jashtme është një nga kolonat më të rëndësishme të shtetit dhe për këtë arsye kërkon maturi, pjekuri dhe kompetencë”.
“T’i drejtohesh kryeministrit të Kosovës, me shprehjen: “kryeministër i shqiptarëve të Kosovës”, është një gafë amatorësh. Kryeministri i Kosovës, është gjithashtu edhe kryeministër i pakicave që jetojnë në këtë republikë, është kryeministër i të gjithë qytetarëve atje. Të flasësh për politikën e jashtme nuk është si t’i japësh drejtim punëve të këshillit teknik të Bashkisë. Reagimi masiv i analistëve, i komentuesve, por dhe i shumë shqiptarëve në rrjetet sociale dhe kudo, vjen pas këtyre qëndrimeve amatore të kryeministrit. I pakuptueshëm është reagimi i z. Rama ndaj tyre, duke i quajtur “idiotë”, siç i cilësoi ai në një intervistë televizive, kritikët ndaj tij” theksoi Vorpsi.
Sipas saj, “kjo mënyrë të shprehuri është e papranueshme për një kryeministër, dhe është po aq amatore dhe joserioze sa mënyra me të cilën ai bën politikën e jashtme“.
