MENU
thesari.com © 2001

Moore: U zhgënjyem që Shqipëria nuk i pranoi armët kimike - Thesari

E Dielë 08 Dhjetor, 2013
Moore: U zhgënjyem që Shqipëria nuk i pranoi armët kimike

jonathan_moore

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë zhgënjyer nga vendimi refuzues i Tiranës zyrtare për refuzimin e dhënë për shkatërrimin e armëve kimike, por kjo nuk i prish marrëdhëniet mes dy vendeve.” Kjo është deklarata e dhënë nga ana e drejtorit për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, për televizionin “News24”. “Komuniteti ndërkombëtar, përfshi Shqipërinë, është i përkushtuar t’i eliminojë armët kimike nga Siria. Me anë të rregullimeve ndërkombëtare do të jetë e mundur të largohen nga Siria. Shkatërrimi nuk mund të ndodhë aty; për fat të keq, konflikti vazhdon. Pra, duhen shkatërruar diku tjetër. Së bashku me anëtarë të tjerë të komunitetit ndërkombëtar, ONAK etj., disa vende u pyetën nëse mund të bëheshin terreni i shkatërrimit të armëve. Shqipëria ishte një prej atyre vendeve. U zhgënjyem që Shqipëria nuk mundi t’i pranonte kimikatet për shkatërrim. U zhgënjyem edhe që vende të tjera nuk mundën t’i pranonin për shkatërrim, por jam shumë i lumtur që kam këtë mundësi për t’ju konfirmuar, që të gjithë ne në Uashington dhe sigurisht ambasada jonë këtu në Tiranë jemi të përkushtuar të vazhdojmë atë që është një partneritet shumë i fortë dhe i efektshëm me Shqipërinë, një aleancë shumë e fortë dhe e efektshme në NATO me Shqipërinë. Ky vendim i vetëm, kjo çështje e vetme, edhe pse e rëndësishme në planin ndërkombëtar, nuk ndryshon faktin që ne kemi një marrëdhënie afatgjatë, të palëkundur, shumë pozitive me vendin tuaj”, deklaron Moore. Më tej, zyrtari i DASH-it komenton qëndrimet jo vetëm të mazhorancës, por edhe të opozitës. “Por kam pasur mundësinë në këtë vizitë të flas me kreun e PD-së, Kryeministrin, kryeparlamentarin Meta; mendoj se të gjithë e kuptojmë që kjo është një çështje ku nuk kishte aq shumë informacion dhe kishte shumë emocione, por ngaqë jemi miq dhe aleatë, e kemi kapërcyer. Shumë prej diskutimeve të mia dje dhe sot kanë qenë mbi BE-në dhe argumentin e fortë që ka Shqipëria për të qenë kandidate për anëtare e BE-së. Kjo është diçka për të cilën qeveria, opozita dhe sigurisht ne të gjithë biem dakord. Ndaj, jo, nuk mendoj se ka ndonjë problem me pikëpamjet e shprehura gjatë asaj kohe të mbushur me mjaft emocione”, shprehet Moore. Duke komentuar situatën paszgjedhore, zyrtari i DASH-it deklaron se “ka gjithnjë skepticizëm, kush është udhëheqësi? Udhëheqësi nuk është Saliu apo Edi, është votuesi dhe votuesi solli një rezultat, ndaj urime Shqipërisë për atë dhe se si po ecin gjërat. Për sa i përket KQZ-së, është organ shumë i rëndësishëm. Do të donim ta shihnim të plotë. Do të donim ta shihnim të angazhuar në të gjitha zgjedhjet në vend. Ndaj, tani që kaluat atë fazë zgjedhore, do të ishte mirë që KQZ-ja t’i kishte të gjithë anëtarët”.

Ndërsa për sa i përket moszgjedhjes ende të titullarit të ri për Tiranën, ai thekson se “shpresojmë që ambasadori i emëruar Lu do të konfirmohet shpejt. Në Shtetet e Bashkuara kemi një sistem të ndarjes së pushteteve. Dega ekzekutive emëron ambasadorët dhe Senati ka të drejtën ta shqyrtojë dhe konfirmojë emërimin. Shpresojmë që do ta bëjnë shpejt. Shpresoj se është e qartë, meqë ra fjala, se Don është vetëm një ndër shumë ambasadorë të emëruar në këtë situatë. Ai është një diplomat i shquar e i lartë karriere, që do të bëjë një punë të shkëlqyer këtu në Tiranë. Sigurisht, ndërkohë, kemi besim dhe siguri të plotë tek ambasadori Arvizu dhe Alex do të vazhdojë këtu në Tiranë”. Sa i përket qeverisjes së re, zyrtari i DASH-it thekson: “Keni të drejtë që pyesni për punën e saj dhe se si po përparojnë gjërat dhe me të drejtë vini në dukje që kanë kaluar rreth tre muaj. Qartësisht, populli shqiptar mbështeti partitë që kandiduan dhe tani kanë formuar një koalicion. Qeveria po flet për një numër çështjesh. Ato duhen diskutuar dhe debatuar nga Parlamenti dhe publiku, por mendoj se do të ishte e parakohshme të fillonim të gjykonim punën e qeverisë, pasi kanë kaluar në fakt më pak se tre muaj”.

Takimi me Berishën, Arvizu shmang “përballjen” me ish-kryeministrin

Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, përveç takimeve me drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar, ka takuar edhe lidershipin e PD-së. Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, qeveria e Kryeministrit Edi Rama po karakterizohet nga paligjshmëria. Kreu i opozitës njohu zyrtarin e Departamentit të Shtetit me disa prej rasteve që, sipas demokratëve, faktojnë degradimin e shtetit ligjor. Moore ka takuar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Në këtë takim, ambasadori aktual Aleksandër Arvizu nuk ka qenë i pranishëm, duke shmangur përballjen me ish-kryeministrin. Arvizu ka shoqëruar Moore në takimin me kreun zyrtar të PD-së, Basha.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?