MENU
thesari.com © 2001

Një taksë e re për shtëpitë dhe pronat. Ja tarifat sipas zonave - Thesari

E Dielë 11 Shtator, 2016
Një taksë e re për shtëpitë dhe pronat. Ja tarifat sipas zonave

Rama-Ahmetaj

Hyn në fuqi taksa e ndërtesave të banimit me diferencim në tri zona. Në zonën e parë është Tirana dhe Durrësi, ku çdo person që ka në pronësi ose posedon një shtëpi do të paguajnë 15 lekë/m2 në rast se ndërtimi është i para vitit 1993 dhe 30 lekë/ m2 në rastet kur ndërtimi është pas vitit 1993. Në zonën e dytë janë qytetet Vlorë, Fier, Sarandë, Pogradec, Korçë, Elbasan, Berat, Lushnjë, Gjirokastër, Shkodër, Kavajë, Lezhë dhe taksa për ndërtesa banimi është 12 lekë/ m2 në vit. Ndërsa në zonën e tretë janë përfshire ndërtimet në zona rurale të cilat kanë një taksë për ndërtesa banimi 6 lekë/m2 në vit.  Ndërkohë, taksa për ndërtesat e biznesit apo për shtëpitë në fshatra turistikë është 400 lekë për metër katror. Tatimit mbi banesat në dhjetë vitet e fundit është mbledhur në masën 30 % në shkallë vendi dhe për të garantuar pagesën e kësaj takse qeveria parashikon ta përfshijë atë në faturën e energjisë elektrike ose në faturën e ujit një herë në vit. Ndërsa për personat fizikë, të cilët kanë më shumë se një shtëpi, për shtëpinë ku kanë banimin e zakonshëm, paguajnë taksën e ndërtesës për të gjitha shtëpitë e tjera, e cila është sa dyfishi i taksës së ndërtesës, që zbatohet në zonën ku ndodhet kjo ndërtesë.

Pagesat

Duke nisur nga data 1 janar, qytetarët do të duhet të paguajnë tarifa të ndryshme për banesën e tyre apo për ndërtesat që kanë në pronësi apo në përdorim. Në paketën e re fiskale që ka hyrë në fyqi dhe i është dërguar për zbatim zyrave të drejtorive tatimore në të gjithë vendin janë ndryshuar dy nene të ligjit të vjetër. Rishikimi i taksës së ndërtesave ka parashikuar një rritje të taksës së ndërtesës dhe baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit në metër katror e ndërtesës ose e pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Sipërfaqja në pronësi të tatimpaguesit përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë këtë pronësi. Kategoritë minimale të ndërtesave, për efekt të bazës së taksueshme, do të kategorizohen nga pushteti vendor pasi kjo taksë do të shkojë për administrim pranë bashkive dhe komunave. Për çdo kategori minimale të ndërtesave, këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë nënkategorizime të ndërtesave që ndodhen brenda territorit që mbulon. Taksa e pasurisë është trajtuar në vlerë për m2, duke përgjithësuar të gjithë tatimpaguesit me të vetmin përjashtim për ndërtesat e banimit, vitin e ndërtimit të tyre, viti 1993, dhe diferencimin e aktiviteteve tregtare që ushtrohen në pasuritë e taksueshme.  Niveli i taksës së pasurisë në Shqipëri është shumë i ulët në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Përveç të tjerave, këtu ka ndikuar edhe mosindeksimi i nivelit të kësaj takse, në kuptimin që vlera e pasurisë shtohet çdo vit, ndërsa niveli i taksimit të saj është fiks, lekë/m2 dhe i paindeksuar. Referuar ndryshimeve fiskale, për banesat e ndërtuara para vitit 1993 në zonën 1 që përfshin Tiranën dhe Durrësin, qytetarët duhet të paguajnë 15 lekë për metër katrorë. Për banesat e  ndërtuara pas vitit 1993, taksa vjetore që duhet paguar është 30 lekë për metër katror. Ndërkohë, për banesat në zonën 2, që përfshin bashkitë më të mëdha të vendit, taksa që duhet paguar për ndërtimet e para 1993 është 10 lekë për metër katror. Për banesat e pas vitit 1993 taksa është 12 lekë për metër katrorë ndërsa për ndërtesat që përdoren për qëllime biznesi, taksa është 300 lekë për metër katrorë. Me paketën e re fiskale, duket se i është dhënë zgjidhje edhe problematikës së ndërtuesve që kanë në pronësi apartamente apo ambiente të pashitura. Ata do të taksohen sipas destinacionit të përdorimit të ambientit. Ambientet e hipotekuara si apartamente banimi do t’i nënshtrohen taksës mbi ndërtesat në kategorinë “Ndërtesa banimi”, ndërsa ambientet e destinuara për qëllime biznesi do t’i nënshtrohen taksës mbi ndërtesat në kategorinë “Ndërtesa të tjera për tregti dhe shërbime”.

Subjektet tregtare, ndryshon taksa për ndërtesat

Edhe për ndërtesat që përdoren për qëllime tregtare taksa do të jetë e diferencuar. Në bazë të paketës së re fiskale janë parashikuar tre zona taksimi. Në zonën e parë Tiranë-Durrës, tarifa do të jetë 400 lekë/m2. Ndërsa në zonën e dytë Vlorë, Fier, Sarandë, Pogradec, Korçë, Elbasan, Berat, Lushnjë, Gjirokastër, Shkodër, Kavajë dhe lezë taksa për ndërtesat tregtare do të jetë 300 lekë/ m2 në vit dhe në zonën e tretë ku janë përfshirë të gjitha bashkitë e tjera dhe komunat tarifa është 200 lekë/m2. Tarifa më e lartë për ndërtesat është parashikuar për ndërtesa në pronësi apo në përdorim, në territore të miratuara si fshatra turistikë, e cila është caktuar në vlerën 400 lekë/m2. Brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zyrat rajonale të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme u ofrojnë bashkive dhe komunave të dhënat e regjistrimit elektronik të pasurisë.

Hotelet

Çdo gjashtë muaj, hotelet paraqesin për miratim çmimet e fjetjes në hotel te bashkitë dhe komunat. Bashkitë dhe komunat miratojnë çmimet çdo gjashtëmujor, për efekt të taksës së fjetjes në hotel, bazuar në sondazhet e kryera në treg.

Mendimi juaj
11 Shtator, 2016 18:32 UTC
ElsaKu
Ky nuk eshte ne terezi fare. Po ti ske rroga per keto taksa o dinosaur, ske nivel ekonomik per kete takse. Nga ke ardh ti ore qe na zure bishtin me rroten e rilindjes dhe i torturon njerezit keshtu qe ta dham edhe voten si burre i mire qe do mendoje per ne. Maskara burre dole
Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?