MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Pas 20 vjetësh ndihet dora e shtetit - Thesari

E Hënë 04 Nëntor, 2013
Pas 20 vjetësh ndihet dora e shtetit

gomat_1

Për herë të parë pas 20 vjetësh, zona mes Fushë-Krujës dhe Krujës nuk do të jetë e mbushur me re të zeza tymi, ndërsa banorët e këtij rajoni bashkë me ato kryeqytetit mund të marrin frymë lirisht. Furrat e gëlqeres, që për dy dekada digjnin përditë goma, janë fikur dhe në qiell ka vetëm ajër të pastër. 

Aksioni i Inspektoriatit Ndërtimor dhe atij të Mjedisit, edhe pse i vonuar, ka dhënë rezultatet e veta. Pjesa më e madhe e furrave janë shkatërruar ndërsa pak të tjera janë fikur, duke i dhënë fund kështu masakrës mjedisore në këtë zonë, që prodhonte njëkohësisht rrezik dhe vdekje për banorët atje. Furrat e gëlqeres janë tashmë të braktisura, megjithëse në disa prej tyre materiali i hedhur prej ditësh vazhdon të digjet. 

Banorët e zonës dhe autoritetet lokale shprehen të kënaqur për prishjen e këtyre furrave. Aksioni i ministrisë së Mjedisit për prishjen e 109 furrave të gëlqeres, që kryenin aktivitet të paligjshëm, duke djegur goma, u nis pak ditë më parë, ndërsa pronarët e tyre ishin lajmëruar me kohë për shkatërrimin e tyre. 

Në këto furra punonin rreth 200 persona, ndërkohë që iniciativat për mbylljen e tyre ndër vite nuk kanë munguar, por rezultati ka qenë gjithnjë tërheqja e shtetit. Pavarësisht se me shumë vonesë, mbyllja e aktivitetit të paligjshëm dhe të dëmshëm për shëndetin e njerëzve, është një shenjë se kur autoritetet shtetërore e kanë seriozisht ndalimin e këtyre lloj aktivitetesh, askush nuk mund ta sfidojë shtetin, të paktën jo për një kohë të gjatë.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?