MENU
thesari.com © 2001

Prokuroria e lëshoi urdhër–arrestin për Klement Balilin që në maj, por policia nuk e arrestoi - Thesari

E Enjte 15 Dhjetor, 2016
Prokuroria e lëshoi urdhër–arrestin për Klement Balilin që në maj, por policia nuk e arrestoi

rama-balili-tahiri

Urdhër-arresti ndërkombëtar për Klement Balilin, i lëshuar në maj të këtij viti detyronte policinë të arrestonte të kërkuarin ose së paku të lokalizonte vendndodhjen e tij, por një gjë e tillë sipas prokurorisë nuk ka ndodhur. Tashmë janë dy urdhra për arrestimin e Balilit, por pavarësisht angazhimit të mbi 200 forcave speciale, ish-zyrtari i Transporteve vijon të jetë i lirë.

Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu i bëri të gjithë përgjegjës për mosarrestimin e Klement Balilit, një zyrtar i shtetit shqiptar deri në maj të këtij viti.

Ai akuzoi prokurorinë se nuk kishte lëshuar një urdhër-arresti, tha se ky ishte dështimi më i madh i policisë, por nuk la jashtë as politikën kur tha se politikanë të majtë e të djathtë iu kanë kushtuar vëmendje interesave financiare, kriminelëve dhe trafikantëve të drogës.

Përballë kësaj deklarate që shumë e mendojnë por vetëm ambasadori amerikan e artikuloi publikisht, të gjithë kanë heshtur.

MAPO kontaktoi Ministrinë e Brendshme dhe zyrtarë të lartë të policisë, por ata nuk komentuan deklaratën e ambasadorit amerikan për mosarrestimin e të ashtuquajturit “Eskobar i Ballkanit”.

Prokuroria sqaroi procedurën që ndiqet në këto raste dhe tha se nuk kishte patur asnjë njoftim nga policia për identifikimin e vendndodhjes së të kërkuarit Balili.

Ndaj tij tashmë ka dy urdhër-arreste, një ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet greke dhe një tjetër nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë.

MAPO kontaktoi edhe një ekspert të marrëdhënieve juridiksionale me jashtë, i cili sqaroi procedurën që ndiqet në rastet e urdhër-arresteve ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet e vendeve me të cilat Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi.

Sipas të dhënave të siguruara nga MAPO, rezulton se në shkurt të këtij viti, Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë kishte regjistruar një procedim penal për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike ndaj Klement Balilit, që në atë kohë mbante detyrën e drejtorit të Transportit Rrugor në Sarandë.

Hetimi kishte nisur nga informacione të siguruara nga agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit dhe ishte i pavarur nga hetimi që po kryenin autoritetet greke të asistuara nga zyra e DEA-s amerikane në Athinë.

Gjatë kësaj kohe prokuroria kishte siguruara dy numra telefoni që dyshohet se përdoreshin nga Balili, një numër shqiptar dhe një grek që funksiononte në territorin shqiptar me anë të shërbimit “roaming”.

Nga përgjimi i numrit shqiptar, sipas prokurorisë nuk janë siguruar të dhëna komprometuese për Balilin, edhe pse kjo mbetet për t’u verifikuar në dosjen hetimore, ndërsa numrin greke e ka patur të pamundur për ta përgjuar.

Po ashtu gjatë kësaj kohe i dyshuari është mbajtur në vëzhgim edhe nga policia, e cila shpesh e ka parë atë në shoqërinë e politikanëve të rëndësishëm.

Kjo situatë mësohet se ka vijuar deri në muajin maj të këtij viti kur autoritetet greke sekuestruan një ngarkesë me mbi 700 kg kanabis dhe arrestuan 15 persona, ndërsa u lëshua një urdhër-arresti ndërkombëtar edhe për Klement Balilin, i cili ishte ende në detyrën e drejtorit të Transportit Rrugor.

Në kohë rekord, Interpol Athina sinjalizoi selinë qendrore të Interpolit në Lion të Francës, i cili shpërndau urdhër-arrestin në të gjitha njësitë e Interpolit, përfshi edhe Tiranën.

Interpol Tirana pasi është vënë në dijeni ka njoftuar Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme.

Po ashtu, Interpol Tirana ua ka përcjellë urdhër-arrestin të gjitha njësive të policisë vendore, të cilat kanë detyrimin të ekzekutojnë këtë urdhër-arresti, ose së paku të lokalizojnë vendndodhjen e të kërkuarit.

Eksperti i kontaktuar nga MAPO sqaroi se në rastet e urdhër-arresteve ndërkombëtare që përcillen nëpërmjet zyrës së Interpolit, policia është e detyruar të kryejë ekzekutimin e tij dhe të njoftojë prokurorin.

Kjo procedurë konfirmohet edhe nga prokuroria, e cila pohon se në rastet e urdhër-arresteve të lëshuara nga vendet me të cilat Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi, policia lokale, pasi lokalizon të kërkuarin njofton menjëherë Prokurorinë e Përgjithshme, e cila njofton Ministrinë e Drejtësisë dhe kjo e fundit kontakton autoritetet gjyqësore të vendit kërkues.

Këto të fundit, në rastin konkret autoritetet greke, nëse vijojnë të kenë interes për arrestimin e personit në kërkim, ia bëjnë me dije këtë gjë Ministrisë së Drejtësisë, e cila njofton Prokurorinë e Përgjithshme.

Pas marrjes së këtij njoftimi, Prokuroria i kërkon Policisë arrestimin e personit.

E gjithë kjo procedurë, zhvillohet kur personi në kërkim ndërkombëtar është lokalizuar nga policia.

“Në rastin konkret, Prokuroria nuk është njoftuar për lokalizimin e shtetasit Klement Balili”, pohojnë burime të prokurorisë.

Kjo situatë ka zgjatur për më shumë se 7 muaj edhe pse gjatë kësaj kohe policia ka kryer disa operacione për arrestimin e Balilit, por pa sukses.

E ndërsa prokuroria nuk kishte mundur të siguronte prova nga hetimi i kryer prej saj, pasi u vu në dijeni për hetimet në Greqi, nëpërmjet letër-porosisë, kërkoi ndihmë juridike nga autoritetet greke, për llogari të procedimit penal të nisur në Shqipëri që prej muajit shkurt të këtij viti.

Pak ditë më parë, në Prokurorinë për Krime të Rënda mbërriti materiali i përkthyer, ku mësohet se janë të paktën 10 mijë faqe dokumente të hartuara nga prokuroria greke dhe DEA amerikane për rrjetin e narkotrafikut që dyshohet se drejtohej nga Klement Balili i quajtur edhe “Eskobari i Ballkanit”.

Në bazë të këtij materiali të dërguar nga autoritetet greke, Prokuroria për Krime të Rënda, për llogari të hetimit të saj, kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, e cila u pranua nga gjykata.

Dy urdhër –arreste për Balilin

Tashmë ndaj Klement Balilit janë në fuqi dy urdhër-arreste, një urdhër-arrest ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet greke që në maj të këtij viti dhe urdhër-arresti i lëshuar nga Gjykata për Krime të Rënda, në kuadër të procedimit penal regjistruar në Shqipëri në Shkurt 2016.

Por asnjë prej këtyre urdhrave nuk është ekzekutuar nga policia, e cila tha se ditët e fundit ka dërguar në Sarandë mbi 200 forca speciale të cilat nuk mundën të arrestojnë Klement Balilin.

Policia kontrolloi banesën e të kërkuarit si dhe ambiente të tjera ku mund të strehohej ai, por pa sukses.

Vëllai i tij tha se Klementi kishte qenë gjatë gjithë kësaj kohe në Shqipëri, madje ditën kur nisi operacioni i policisë ai kishte udhëtuar drejt Tiranës për disa dokumente.

Më herët në një raport konfidencial policia shkruante se Klement Balili ndodhej në territorin mes Sarandës dhe Tiranës, por pa mundur të përcaktonte vendndodhjen e saktë të tij.

Kur kanë kaluar më shumë se 7 muaj nga lëshimi i urdhrit ndërkombëtar të arrestit Klement Balili, ish-zyrtar i shtetit shqiptar, i akuzuar si drejtues i një rrjeti ndërkombëtar narkotrafiku vijon të jetë i lirë.

Autoritetet greke por dhe selia e DEA-s në Athinë konfirmojnë se i dyshuari ndodhet në Shqipëri.

Ndërsa ambasadori amerikan në Tiranë tha se Balili po mbrohet nga të gjithë: politika, prokuroria, policia dhe drejtësia.

/lapsi/

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?