MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Prokuroria Shqiptare, vatra e qelbit kriminal të Sistemit të Reformuar për ti shërbyer krimit dhe pushtetit - Thesari

E Hënë 25 Qershor, 2018
Prokuroria Shqiptare, vatra e qelbit kriminal të Sistemit të Reformuar për ti shërbyer krimit dhe pushtetit

ornela-rrumbullaku-00

Që Reforma në Drejëtësi ishte vetëm një lojë për ndërrimin e forcave të pushtetit në shërbim të politikës së radhës dhe s'ka lidhje fare me drejtësinë e munguar në Shqipëri, këtë edhe bufi e ka mar vesh tashmë. Por që prokuroria të kthehej në një vatër qelbi në shërbim të krimit dhe Mafies, deri këtu nuk na e kishte marrë mendja se do arrinim.

Prokurorja Ornela Rrumbullaku u komandua në Prokurorinë e Durrësit që kur Arta Marku u caktua si Kryeprokurore e Përkohshme, në mesin e Dhjetorit 2017. Prokurorja Rrumbullaku u shndërua në personazh interesant për median pasi iu caktuan të ndiqte dy prej hetimeve, për të cilat kishte interes të posaçëm Kryeprokurorja Marku - hetimin për ekstradimin e paligjshëm të Nazer Seitaj, i konsideruar si "financieri i organizatës së narko-trafikut "Habilaj" dhe hetimin për pasurinë e bashkëshortëve prokurorë Rovena Gashi e Dritan Gina, të cilët u përplasën ligjërisht e institucionalisht me Kryeprokuroren Arta Marku. 

Së fundmi Ornela Rrumbullakut ju besua edhe hetimi i çështjes së 3.5 milion eurove të zbuluara në makinat Toyota në Durrës, pasi tashti ajo është ngritur në detyre nga shoqja e saj e ngushtë Arta Marku dhe mban pozicionin përgjegjëse e Strukturës së Task Forcës pranë Prokuorisë për krimet e rënda në Tiranë.

Alban Mësonjësi, burri i prokurores Ornela Rrumbullaku, e cila është shoqe e ngushtë me lidhje të forta me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohëshme Arta Marku, është një biznesmen i përfshirë në skandalin e pastrimit të parave "Panama Papers" që shpërtheu para ca kohësh. Mësonjësi krijoi një kompani fiktive bastesh me emrin "24 Bast" në bashkëpronësi me kompanitë Trillado Enterprises dhe Antilova Enterprises, kompani të cilat ishin edhe këto të përfshira në skandalin "Panama Papers".

Një investigim i nisur për pasurinë e prokurores Ornela Rrumbullaku, e cila po heton disa nga dosjet e rëndësishme në Prokurorinë e Durrësit, zbuloi një skemë të dyshuar gjigande të pastrimit të parave. Në qendër të kësaj skeme, qëndron bashkëshorti i prokurores, biznesmeni Alban Mësonjësi. Ai rezulton se ka përfshirë në tregun financiar shqiptar të paktën 4 kompani që rezultojnë në listën e zezë globale, në të ashtuquajturin skandali "Panama Papers".

Prokurorja Rrumbullaku nuk kishte ndonjë profil të lartë publik. Madje, edhe kur ajo nisi të trajtonte hetimet e mësipërme, media e kishte të vështirë të gjente edhe një foto të saj. Por, gjithësesi, investigimi më i thelluar zbuloi se ajo ishte pjesë e një familjeje, e cila kishte krijuar lidhje të ngushta financiare jo vetëm me disa eksponentë të rëndësishëm të së majtës në Shqipëri, por edhe me disa kompani "off-shore" nga Panama dhe Qipro, emrat e të cilave lidheshin me skandalin ndërkombëtar financiar të pastrimit të parave të njohur si "Panama Papers".

zmadhoje

Sipas investigimet të nisur nga "lajme.al", Alban Mësonjësi, bashkëshorti i prokurores Ornela Rrumbullaku, ishte ortak biznesi në kompaninë "Instituti Privat i Vuajtjes së Dënimit Sarandë" me Adriatik Selamin, vëllain e ish-deputetit Shkëlqim Selami, i cili humbi mandatin për shkak të ligjit "Për Dekriminalizimin". Bashkë-ortaku i Mësonjësit, Adriatik Selami, nga ana e tij kishte pasur aktivitet të përbashkët biznesi me ish-deputetin tjetër, të dënuar Mark Frroku dhe me Ervin Çenollarin, i konsideruar si lidhja e afërt shoqërore me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, aktualisht nën hetim si i dyshuar për bashkëpunim me trafikantët "Habilaj" dhe për korrupsion e shpërdorim posti.

zmadhoje

Por, duke u thelluar më tej në investigimin e tij, bazuar gjithnjë në të dhëna publike, "Lajme.al" zbuloi lidhjet e Alban Mësonjësit me disa kompani off-shore, të përfshira në skandalin "Panama Papers". Pjesa vijuese e investigimit përbën materialin më të plotë, për herë të parë, të kërkimit gazetaresk shqiptar për lidhjet e Shqipërisë me skandalin botëror "Panama Papers".

Në vitin 2015, Alban Mësonjësi regjistron në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) dy kompani bastesh- "Timbast", në janar 2015 dhe "24 Bast" në prill 2015. Në të dyja këto kompani, të cilat kanë të njëjtën adresë si seli, biznesmeni shqiptar është aksioneri kryesor me 40% të kapitalit fillestar dhe në pozicionin e administratorit. Sipas dokumentave të dorëzuara në QKR, Alban Mësonjësi ka regjistruar nga 20 milion lekë të reja si kapital fillestar për secilën kompani, pra, në total, 40 milionë lekë të reja.

zmadhoje
zmadhoje
zmadhoje
zmadhoje

Ortakët e tjerë të rëndësishëm në këto dy kompani bastesh janë 4 kompani të huaja, dy me seli në Panama dhe dy me seli në Qipro, vende të njohura si "parajsa fiskale". Të katër këto kompani "off-shore" rezultojnë të lidhura me skandalin financiar global "Panama Papers".

Në kompaninë "24 Bast", krahas Alban Mësonjësit, janë ortakë edhe kompanitë panameze "Trillado Enterprises" dhe "Atilova Enterprises". Këto dy kompani, sipas një investigimi të portalit informativ grek "lobbystas.gr", rezultojnë të kenë të njëjtën "mëmë", kompaninë e regjistruar në Panama, por me kapital qipriot "Franco & Franco". Kjo e fundit, sipas portalit grek, ka një peshë të rëndësishme në skandalin "Panama Papers". Ajo ka krijuar mbi 270 kompani fantazma, dy prej të cilave janë edhe ortakët e Alban Mësonjësit, "Trillado" dhe "Atilova".

"Trillado", pak para regjistrimit të kompanisë "24 Bast" në QKR, ka transferuar në llogarinë e Alban Mësonjësit shumën prej 100 mijë eurosh, me shënimin "për kapital fillestar".

zmadhoje

Kompania "24 Bast" nuk ka kryer asnjë aktivitet financiar që prej krijimit të saj. megjithëse vijon të jetë me statusin "aktiv". Kompania "24 Bast" ka dorëzuar në QKR vetëm bilancin financiar për vitin 2015, në të cilin, të gjithë rubrikat janë shënuar me "zero", pra, asnjë aktivitet. Ajo që krijon dyshimin është fakti se në bilancin vjetor nuk janë shënuar as shumat për kapital fillestar, të cilat arrijnë në total në vlerën e rreth 500 mijë dollarëve, si edhe as transferta prej 100 mijë eurosh, e cila i ka kaluar Alban Mësonjësit nga Trillado.

zmadhoje

Pasi dorëzohet raporti vjetor i bilancit financiar për vitin 2015, në prill 2016 administratori Alban Mësonjësi jep dorëheqjen nga pozicioni i administratorit të kompanisë.

E njëjta skemë thuajse identike është zhvilluar edhe me një tjetër kompani bastesh, "Timbast", ku është përfshirë biznesmeni Alban Mësonjësi. Kjo kompani është krijuar në janar 2015. Edhe këtu, Mësonjësi është ortaku kryesor me 40% të kapitalit fillestar, me vlerë 20 milion lekë të reja, si edhe në pozicionin e administratorit.

Në këtë sipërmarrje, biznesmenit shqiptar i bashkohen edhe dy kompani qipriote, "Charino Holding co. Limited" dhe ‘Christoforus Varianous". Për krijimin e kompanisë "Timbast", në llogarinë e administratorit Alban Mësonjësi është transferuar shuma 125 mijë dollarë nga "Charino Holding", me shënimin "për kapitalin fillestar". Kompania "Timbast", gjithashtu vijon të jetë me status ‘aktiv" në QKR, por rezulton se nuk ka pasur asnjë aktivitet.

zmadhoje

Në raportin vjetor financiar për vitin 2015, "Timbast" i ka plotësuar të gjitha rubrikat me ‘zero", pra, pa asnjë aktivitet. Në bilancin vjetor nuk gjendet e pasqyruar as shuma e përdorur për kapitalin fillestar të saj, e cila shkon në total në vlerën e rreth 500 mijë dollarëve. Gjithashtu, nuk gjendet e deklaruar as transferta prej 125 mijë dollarësh e kryer nga "Charino Holding…" për llogari të administratorit Alban Mësonjësi. Njëlloj si edhe në rastin e kompanisë "24 Bast", administratori Alban Mësonjësi jep dorëheqjen edhe nga kompania "Timbast" në të njëjtën ditë-më 25.04.2016. Pra, edhe në këtë rast, ekzistojnë dyshime të forta se e gjithë skema është fiktive, duke krijuar përshtypjen se është përdorur për pastrim parash.

zmadhoje

Këto dyshime forcohen edhe më shumë, kur, nga rezultatet e investigimit gazetaresk, rezulton se ortakët e huaj të "Timbast", pra "Charino Holding co. Limited" dhe "Christoforus Varianous" lidhen me një sërë fijesh me dy të tjerat, ato panameze, të cilat i ishin bashkuar Alban Mësonjësit për krijimin e "24 Bast".

Duke iu referuar sërish portalit grek "lobbystas.gr", kompania "mëmë" Franco & Franco" kishte krijuar një sërë kompanish, ku gjendej edhe emri i shtetases greko-qipriote Christina Sarri. Emri i saj, sipas portalit grek, gjendej në dokumenta si pjesë e kompanive "Trillado Enterprises" dhe "Atilova Enterprises", bashkëpronare te kompania shqiptare "24 Bast".

zmadhoje
zmadhoje

Ndërkohë, emri i Christina Sarri rezulton si sekretare e përgjithshme edhe tek kompania "Charino Holding Co. Limited", e cila iu bashkua Alban Mësonjësit edhe tek kompania tjetër e basteve, "Timbast". Gjithashtu, biznesmeni qipriot, Christoforus Varianous, i cili është ortak te "Timbast", rezulton edhe si përfaqësues zyrtar i "Trillado Enterprises" në marrëveshjen me Alban Mësonjësin për kompaninë "24 Bast".

zmadhoje

Pra, në mënyrë më të thjeshtuar - Alban Mësonjësi ka krijuar dy kompani bastesh me 4 kompani "off-shore", të lidhura me njëra-tjetrën dhe të gjitha bashkë të përfshira në skandalin "Panama Papers". Shumë veprime të kryera nga kompanitë ‘Timbast" dhe "24Bast" krijojnë dyshimin e fortë se ato janë përdorur në një skemë pastrimi parash.

Të dyja kompanitë, "Timbast" dhe "24Bast", në total, deklarojnë se kanë investuar si kapital fillestar shumën që arrin në shifrën e rreth 1 milion dollarëve (500 mijë dollarë për secilën). Të dyja kompanitë rezultojnë të jenë të regjistruara në të njëjtën adresë në Tiranë. Të dyja kanë si ortak kryesor Alban Mësonjësin, me 40% të kapitalit fillestar, për të cilën ai ka shënuar se ka paguar nga 20 milion lekë të reja (40 milion lekë në total). Të dyja kompanitë kanë të njëjtin administrator, Alban Mësonjësi.

Për të dyja kompanitë, ortakët "off-shore" kanë realizuar dy transferta në llogarinë e administratorit Alban Mësonjësi, në vlerën totale rreth 220 mijë euro. Të dyja kompanitë, "Timbast" dhe "24Bast" nuk kanë kryer asnjë aktivitet financiar dhe në bilancin vjetor të dorëzuar për vitin 2016, të gjitha rubrikat janë shënuar me "zero", pra pa aktivitet. Ndërkohë, pas dorëzimit të këtyre bilanceve, administratori i të dyja kompanive, Alban Mësonjësi, jep dorëheqjen në të njëjtën ditë nga të dyja, në dt. 25.04.2016.

Sipas dokumentave të dorëzuara në QKR, Alban Mësonjësi deklaron se ka investuar në këto kompani shumën totale prej 40 milionë lekë të reja, rreth 340 mijë euro. Në "Timbast" dhe "24Bast", Alban Mësonjësi është paraqitur si individ, gjë që do të thotë se paratë e investuara prej tij si kapital fillestar, 40 milionë lekë, janë të tijat personale.

Ndërkohë, po në të njëjtën periudhë që Mësonjësi deklarohet se ka mundësi të mëdha financiare, nga ana tjetër, bashkëshortja e tij, prokurorja Ornela Rrumbullaku deklaron pranë ILDKP se ka marrë një kredi konsumatore në vlerën e rreth 48 mijë eurove.

Ky veprim financiar, pra kredia e marrë nga prokurorja Rrumbullaku, shton akoma më shumë dyshimet se bashkëshorti i saj, Alban Mësonjësi, nuk ka pasur mundësitë reale për investimin në vlerën e 40 milion lekëve në kompanitë "Timbast" dhe "24Bast’. E gjitha duket se është një skemë pastrimi parash, vlera e të cilës është të paktën 1 milion dollarë, aq sa është edhe shifra e deklaruar si kapital fillestar për "Timbast" dhe "24Bast".

/lajme.al/

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?