Soriraq Filo është zgjedhur kryetari i ri i bashkisë së Korçës. Pas numërimit të 100 qendrave të votimit të zgjedhjeve të së dielës, kandidati i majtë Sotiraq Filo ka marrë 15953 vota kundrejt Sotiraq Stratobërdhës i cili ka marrë 5283 vota.
Kështu fitorja e Filos ka qenë mjaft e thellë, me plot 10670 vota më shumë se rivali i tij demokrat.
Menjëherë pas shpalljes së fitores, kryetari i ri i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo është shprehur se ndihet mjaft i vlerësuar nga qytetarët ndërsa u zotua për realizimin e premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale.
“Jam i emocionuar dhe i vlerësuar nga qytetarët e Korçës. Koha e fjalëve ka mbaruar, tani duhet të realizojmë premtimet e fushatës elektorale”, tha Filo.
Procesi i numërimit të votave, shkoi kryesisht mirë dhe pa vonesa, me përjashtim të një kutisë ku votoi vetë kandidati i majtë Sotiraq Filo e cila nuk u hap pasi kishte parregullsi.
Mësohet se kjo kuti do të numërohet nga KQZ-ja, pasi kodi i saj nuk përputhet me kodin në procesverbal.
