Qeveria miratoi mbrëmjen e së premes disa ndryshime në dy ligje të rëndësishme, në atë që njihet si ligji anti- mafia dhe në Kodin e Procedurës Penale.
Qëllimi është të forcohet sa më shumë lufta ndaj korrupsionit.
Me ndryshimet e reja do i jepet mundësia Gjykatës së Krimeve të Rënda që të shqyrtojë rastet e korrupsionit, ndërkohë që i hapet rruga arrestimit të zyrtarëve të lartë.
“Ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale synojnë përfshirjen në kompetencën e Gjykatës së Krimeve të Rënda të veprave penale në fushën e korrupsionit, si dhe përcaktimin e dhënies së autorizimit për të proceduar në rastet e: arrestit, ushtrimit të kontrollit personal ose të banesës, për deputetin, gjyqtarin, gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarin e Gjykatës së Lartë,” thuhet në njoftimin e qeverisë.
Ndërkohë sa u përket ndryshimeve në ligjin anti- mafia, në njoftimin e qeverisë thuhet: “Projektligji që do t’i propozohet Kuvendit për miratim synon zbatimin e masave parandaluese, me karakter pasuror, nëpërmjet sekuestrimit të pasurive, veprimtarisë ekonomike, tregtare dhe profesionale, si dhe nëpërmjet konfiskimit të pasurisë ndaj personave, mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale në fushën e korrupsionit”.
Qeveria po ashtu ka miratuar edhe planin e veprimit për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Është miratuar në këtë mbledhje plani i veprimit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në të cilin janë përcaktuar hapat konkretë që duhen ndjekur përgjatë muajve në vijim, me fokus luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” theksohet në njoftimin e qeverisë.
Pas mbledhjes, në konferencë për shtyp doli edhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.
“Qeveria shqiptare sot ka marrë një nga vendimet më të rëndësishme lidhur me strategjinë dhe luftën antikorrupsion që pjesë-pjesë, ne do ta zbatojmë deri në fund.
Një nga ndryshimet thelbësore që në kemi paraqitur dhe shumë shpejt nga sot do kalojnë në parlament, janë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale që kanë të bëjnë me imunitetet e deputetëve, të gjyqtarëve, të cilat u bënë ndryshime në Kushtetutë, por nuk u shoqëruan me Kodin e Procedurës Penale. Përmirësimet që bëhen janë të ndjeshme për t’i hapur rrugë Prokurorisë, e cila që nga java që vjen të fillojë realisht të hetojë dhe të luftojë korrupsionin në Shqipëri.
Ndryshimet e tjera konsistojnë dhe tek kompetenca lëndore që i shtohen Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda për rastet e korrupsionit. Pra, ne e konsiderojmë korrupsionin një fenomen të rëndë, që do të hetohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda për t’u thënë të gjithëve që e barazojmë njëlloj me organizatat kriminale, me bandat sepse ky është një nga fenomenet më të përhapura në Shqipëri dhe ne duhet të jemi të denjë për t’u integruar.
Ndryshimet do të shkojnë akoma më tej.
Ne sigurisht duam që të dekurajojmë korrupsionin dhe për këtë kemi propozuar edhe në ligjin tjetër për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve, veprat penale të korrupsionit të futen në fushën e zbatimit. Që do të thotë që duam ta luftojmë në zemër korrupsionin, duke vendosur sekuestro dhe konfiskim të pasurisë të të gjithë atyre që kanë një akuzë për korrupsion apo u provohet korrupsioni. Ne jemi të bindur që me masat e marra do ta luftojmë realisht korrupsionin. Kjo, sepse ne kemi premtuar, shqiptarët presin, të gjithë kanë shpresë tek kjo maxhorancë që ka marrë mbështetjen dhe është votuar nga 1 milion shqiptarë”, u shpreh ministri Naço.
