MENU
thesari.com © 2001

Rilindja Urbane: Akademia Detare "kurban" për ndërtimin e Lungomares në Vlorë - Thesari

E Enjte 09 Shkurt, 2017
Rilindja Urbane: Akademia Detare "kurban" për ndërtimin e Lungomares në Vlorë

akademia-marines-vlore

I nisur prej vitit 2014-ës projekti i shëtitores “Lungomare”, i prezantuar me aq shumë bujë nga qeveria që sipas saj do të transformojë vijën bregdetare të Vlorës, ende nuk ka përfunduar.

Për të arritur këtë ambicie duket se qeveria do të bëjë ‘kurban’ edhe Akademinë Detare, trualli i së cilës do ti kalojë Bashkisë së Vlorës, duke e hequr atë nga inventari i pronave të paluajtshme shtetërore të Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e sotme, ku vetë kryeministri Rama mësohet se nuk ka qenë i pranishëm,  “Akademia e Detarisë”, me vendndodhje në Skelë, Vlorë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, do ti jepet Bashkisë së Vlorës për ta përdorur për nevoja urbanistike, për zbatimin e projekteve për ndërtimin e rrugës “Lungomare” dhe për ndërtimin e unazës së qytetit Vlorë.

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA VLORË, TË DISA OBJEKTEVE DHE TË DISA SIPËRFAQEVE NGA TRUALLI FUNKSIONAL I PRONËS NR.904, ME EMËRTIM “AKADEMIA E DETARISË”, ME VENDNDODHJE NË SKELË, VLORË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,  “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE  TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.  Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Vlorë, të disa objekteve dhe të sipërfaqeve truall funksional prej 22 009 (njëzet e dy mijë e nëntë) m² dhe prej 3 690 (tre mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë) m², me sipërfaqe të përgjithshme 25 699 (njëzet e pesë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë) m², brenda territorit të pronës nr.904, me emërtim “Akademia e Detarisë”, me vendndodhje në Skelë, Vlorë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për nevoja urbanistike, për zbatimin e projekteve për ndërtimin e rrugës “Lungomare” dhe për ndërtimin e unazës së qytetit Vlorë.

2.  Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, nga prona nr.904, me emërtim “Akademia e Detarisë”, me vendndodhje në Skelë, Vlorë, sipas planvendosjes, të hiqen sipërfaqet truall funksional prej 22 009 (njëzet e dy mijë e nëntë) m² dhe prej 3 690 (tre mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë) m², me sipërfaqe të përgjithshme 25 699 (njëzet e pesë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë) m², përfshirë objektet, dhe të shtohen në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në pronësi ose në përdorim Bashkisë Vlorë.

3.  Bashkisë Vlorë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të sipërfaqeve të pronës, të përcakuara në pikën 1, të këtij vendimi, ose t’ua japë ato në përdorim të tretëve.

4.  Para fillimit të punimeve, Bashkia Vlorë të ndërtojë rrethimin në kufijtë e rinj të pronës, të kryejë spostimin e rrjeteve inxhinierike që prek gjurma e rrugës, sipas parametrave dhe kushteve teknike, duke i kthyer ato në gjendjen e tyre të mëparshme dhe për këtë, ndërmjet Bashkisë Vlorë dhe Komandës së Forcës Detare Durrës të hartohet një aktmarrëveshje.

5.  Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkia Vlorë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?