Stafi i ILDKP kërkon ndërhyrjen urgjente të Kuvendit në lidhje me situatën e krijuar në këtë institucion.
Punonjësit e ILDKP thonë se kryeinspektorja Zana Xhuka ka bërë një tjetër shkelje flagrante, që sjell përfundimisht degradimin e një institucioni të tërë, duke shpallur katër ditë më parë në faqen zyrtare të institucionit kërkesën për “thirrjen e dy ekspertëve të pavarur, të licencuar, të fushave të ndryshme, për të bërë vlerësimin e deklaratave të interesave private të subjekteve deklarues”.
“Ky fakt skandaloz, për të cilin vihemi në dijeni nga njoftimi zyrtar i sipërcituar, vërteton edhe një herë shqetësimet e stafit, të bëra publike edhe më parë, për ndërhyrje në dokumentacionin zyrtar, nga personave të huaj, që në këtë rast “legjitimohen” nga titullarja e institucionit me emrin “ekspertë të liçensuar. Ky njoftim zyrtar i Inspektores së Përgjithshme, provon shqetësimet tona për manipulim, ndërhyrje arbitrare dhe të kundraligjshme në deklaratat e interesave private apo serverin e të dhënave me qëllim zhdukjen dhe manipulimin e dokumentacionit”, thuhet në letrën e strafit të ILDKP.
Ata thonë se do të depozitojnë në prokurori një tjetër kallëzim penal ndaj Xhukës dhe kërkojnë ndërhyrjen e Kuvendit për të ndalur veprimet e mëtejshme të paligjshme të titullares.
“Kërkojmë ndërhyrjen urgjente të Kuvendit, në cilësinë e organit epror, që të ndalojë veprimet e mëtejshme arbitrare dhe të kundraligjshme, deri në marrëzi, të inspektores së Përgjithshme, Zana Xhuka, të cilat sjellin pasoja degraduese të pariparueshme për institucionin dhe po cenojnë rëndë edhe sigurinë e tij dhe të punonjësve. Ju lutemi ndërhyni sa nuk është vonë”, thuhet në letër.
