MENU
thesari.com © 2001

Të nderuar tatimpagues - Thesari

E Hënë 12 Shtator, 2016
Të nderuar tatimpagues

brisi-Tatimeve

E nderuar DSHT/DRTT a.k.a Brisi,

Të falënderoj për letrën tënde të 9-të, në po kaq muaj të këtij viti. E shoh që e ke hall të madh xhiron time, saqë, tani që e mendoj, po më vjen më shumë keq për ty që më ka rënë xhiro mua, sesa më vjen keq për veten dhe kalamajtë.

Ti thua pse të ka rënë xhiroja në verë, në Tiranë? Si të ta thotë vëllai ty, në verë vetëm qentë e rrugës dhe policët e Bashkisë gjen në Tiranë. Të dy, ku të të marrin ndonjë gjë, s'bëhet fjalë të të japin.

Siç ta kam thënë dhe në 8 letrat e para, s'e di sesi është situata andej nga Qeveria, po këtej nga ne po shkon gropë e humnerë. Deri para ca kohësh uleshin njerëzit dhe ua jepje dhe një gotë ujë çezme pa lekë, tani as atë s'ua jep dot se me këto taksat e fundit të Bashkisë, kushton më shumë uji i çezmës sesa uji pa gaz në bidon.

Mos e dëgjo shumë TV që flet për rritje ekonomike, mrekulli financiare e më the të thashë. Se kështu e dëgjoja dhe unë në fillim, shihja lajmet me Ben Ahmetajn dhe zihesha me gruan ku shkuan lekët e xhiros që na mungojnë nga rritja ekonomike. Derisa nje ditë vendosa mos dëgjoj më lajmet dhe që prej asaj dite nuk zihem më me gruan.

Meqë po të shkruaj s'mund të rri pa të falënderuar për atë taksën e re të pasurisë që do na vendosni. Thuaju rrofsh dhe ju bëftë dita 1000 edhe Benit edhe Edit. Se ia kanë gjetur mendjen këtij stanit tonë që për konvencion ne e quajmë "shtet". Po që në fakt është stan, sepse vendi që ka dele dhe qen me shumicë s'quhet tjetër veçse stan. Dhe këtu jetojnë gati 3 milionë dele që vishen me rroba dhe 10.000 qen rrugësh me pullë bashkie në vesh.

S'bënte kot Naimi i madh atëherë. Kur i duhej të kujtonte Shqipërinë, ajo që i vinte në mendje ishte "Bagëti e Bujqësi". Po të ishte ndryshe do t'i vinte ndër mend "Njerëzi e Qytetari"? Po jo. Bageti e bujqesi.

Gjithsesi ju rrofshi që na e bëni të lehtë ta ndajmë një herë e mirë dhe të ikim dhe ne si shokët në Gjermani. Se mesa kuptojmë, dritës në fund të tunelit i është djegur portollamba me gjithë poç.

Herës tjetër, po na shkruajte dhe s'u përgjigjëm, na e nis te adresa e kampit në Gjermani se të shkruajmë që andej.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?