Në Vlorë është parashikuar prishja e pallatit 7-katësh i projektuar për ndërtimin e një hoteli, i cili aktualisht është ende i papërfunduar. Objekti pritet të shembet me lëndë plasëse ashtu siç u prish pallati 5-katësh në Tiranë. Për këtë të fundit u përdorëbn 63 kg tritol.
Forca të shumta policie ndodhen në Vlorë për të qenë pjesë e operacionit për prishjen e ndërtesës, i cili ndodhet tek ish - Aulona, buzë detit në detit.
Policia bashkiake, inspektorë të INUK dhe forcat e Xhenios, prej ditës së djeshme kanë rrethuar me shirit të verdhë ndërtesën ndërsa gjatë natës kanë punuar për hapjen e vrimave ku do të vendoset lënda eksplozive.
Ndërtesa ka lejen e bashkisë së Vlorës. Prishja e këtij objejkti do të bëhet me qëllim t’i hapet rrugë ndërtimit të shëtitores që është e emëruar dhe si “Lungomare” duke filluar nga zona e Skelës deri tek Uji i Ftohtë. Projekti i bashkisë pritet të nisë shumë shpejt dhe ka dhe mbështetjen e kryeministrit Rama.
Ministri Tahiri shkon në Vlorë
Shembja e godinës shtatë katëshe, ka çuar ministrin e Brendshëm në Vlorë. Ministri Tahiri, do të jetë i pranishëm gjatë shpërthimit që do të bëhet ditën e nesërme në qytetin bregdetar, të një godine me qëllim hapjen e terrenit për të ndërtuar një shëtitore.
Në këtë kuadër, Ministria e Brendshme ka bërë publike dhe rrugët ku nuk do të qarkullohet nesër në qytetin e Vlorës, nga ora 07:00 deri në orën 16:00.
“Ministria e Punëve të Brendshme informon opinionin publik e në mënyrë të veçantë banorët e qytetit të Vlorës se duke filluar prej orës 07:00 e deri në orën 16.00 të datës 27 Tetor 2013, do të ketë regjim të kufizuar të qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve në rrugën “Çamëria” në qytetin e Vlorës dhe rrugët dytësore të lidhura me të”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Burimet zyrtare thanë se, “gjatë kohës së përcaktuar, në këtë zonë nuk do të lejohet qëndrimi apo lëvizja e mjeteve dhe këmbësorëve. Lokalet përreth zonës do të jenë të mbyllura”.
“Policia e Shtetit këshillon pronarët dhe administratorët e tyre që të mbajnë dritaret e lokaleve të hapura. Policia e Shtetit rezervon të drejtën të bllokojë plotësisht qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve në segmentin Skelë - Uji i Ftohtë”, përfundon edhe njoftimi nga Ministria e Brendshme në lidhje me shembjen që do të bëhet nesër në Vlorë.
