Tiranë - Një polic rrugor përfundon në pranga, për shkelje të rënda në detyrë. Polici me inicialet R.Gjoni, u arrestua nga Task Force dhe SHKB, pasi kishte abuzuar me 17 gjoba të vendosura qytetarëve të ndryshëm.
Gjatë hetimeve të kryera rezultoi se ai kishte vendosur gjoba dhe shërbim karotrec prej 4000-7000 lekësh për karotrec dhe i detyronte shoferët të paguani paratë në dorë. Nga ana tjetër, ai nuk e dërgonte mjetin në pikën e bllokimit të makinave. Në çastin kur shoferët paguanin gjobën, ai ndryshonte shifrën në bllok dhe e bënte atë 6 mijë lekë të vjetra. Në këtë mënyrë, ai përfitonte të gjithë shumë tjetër për veten.
SHKB kishte pak kohë që kishte marrë informacione për këtë person dhe nisi hetimet për të “kopsitur” materialet që e faktonin përfshirjen e tij në këtë afer korruptiv. Mësohet se R.Gjoni do të merret në pyetje nga prokurorët e Task Force, për të zbardhur këtë ngjarje si dhe për të zbuluar nëse ka dhe të implikuar të tjerë.
