Dy persona, mes tyre edhe një efektiv policie, janë arrestuar nga blutë e kryeqytetit pasi akuzohen për shpërthimin e mbrëmshëm në automjetin e punonjësit të policisë, Shkurt Toplani, komandant grupi në komisariatin numër 6 të kryeqytetit.
Burime zyrtare të policisë bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit Renato Mane Kazani, 18 vjeç, banues në Kodër Kamëz dhe Shaban Imer Lami 52 vjeç, lindur dhe banues në Kamëz Tiranë, me profesion punonjës policie në komisariatin e policisë Nr.5 Tiranë.
Sipas policisë, dy të arrestuarit dyshohen se janë autorët e e vënies së një sasie eksplozivi në automjetin e një tjetër punonjësi policie.
Arrestimi i tyre u krye pasi mbrëmë rreth orës 22:00, në afërsi të rrugës “Petraq Leka” në Kombinat, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vrasin duke vendosur një sasi lëndë eksplozive në automjetin tip “Ford Fiesta” një punonjës policie.
Nga hetimi i menjëhershëm i vendit të ngjarjes ka rezultuar se nga shpërthimi është dëmtuar automjeti i mësipërm, ndërsa punonjësi i policisë ka arritur t’i shpëtojë shpërthimit dhe nuk ka pësuar dëmtime.
Ndërkohe materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale e “Vrasjes me dashje e punonjësit të policisë së shtetit gjatë detyrës dhe për shkak të saj e kryer në bashkëpunim”.
