Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm Aldo Hoxhën, duke e shpallur fajtor për vrasjen e Fatbardha Tafës, rreth një viti më parë në kryeqytet.
Gjatë leximit të vendimit, gjyqtari i çështjes tha se është provuar akuza që rëndon mbi të riun Aldo Hoxha, prandaj dhe ai dënohet me burgim të përjetshëm.
Aldo Hoxha akuzohet se, në zonën e fushës së Aviacionit, në tentativën për grabitje ka qëlluar me thikë duke vrarë Fatbardha Tafën. E gjithë ngjarja ndodhi pasi i dënuari donte t’i merrte varësen e florit viktimës.
Në seancën e datës 23 tetor, prokurori Endrit Bimi kërkoi burg për jetë për 20-vjeçarin Hoxha. Sipas prokurorisë, ekzistojnë të gjitha provat që 20-vjeçari të shpallet fajtor për vrasje dhe të dënohet me burg përjetë.
Nga ana tjetër, pala mbrojtëse mohon akuzat me pretendimin se i pandehuri nuk ka qenë në vendin e ngjarjes. Mbi Aldo Hoxhën rëndojnë akuzat e “vjedhjes me pasojë vdekjen” dhe “plagosjes së lehtë me dashje”, në dëm të Lumturie Gjanës, motrës së viktimës Fatbardha Tafa.
