MENU
thesari.com © 2001

Mashtrimi me rimbursimin e TVSH-së. 11 kompanitë kineze u blenë nga dy shqiptarë - Thesari

E Shtunë 26 Tetor, 2013
Mashtrimi me rimbursimin e TVSH-së. 11 kompanitë kineze u blenë nga dy shqiptarë

corruption2

Identifikohen përfituesit e 516 milionë lekeve nga rimbursimi fiktiv i TVSH-së.

Ata janë dy shtetas shqiptarë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimore.

Burime të prokurorisë bëjnë me dije për Vizion Plus se një nga të dyshuarit është nga Pogradeci dhe tjetri nga Durrësi.  Aktualisht po verifikohen lidhjet e tyre me ish-zyrtaret e Drejtorisë së Tatimeve të Tiranës, të kallëzuar më parë për shpërdorim detyre.

Nga hetimet e para rezulton se 11 kompanitë kineze nuk kanë qenë aktive që nga viti 2010, e ato janë blerë nga dy shqiptaret pikërisht në datën 10 gusht të këtij viti.

Vetëm 14 ditë më vonë, kompanitë, tashmë në pronësi shqiptare, kanë marrë miliona leke si rimbursim i tatimit të vlerës së shtuar.

Ky fakt ka shtuar dyshimet për një skemë të paramenduar abuzimi në të cilën mendohet se janë të përfshirë edhe zyrtarë të doganave si dhe të Ministrisë së Financave.

Skandali është duke u hetuar nga njësia task-force e kryeqytetit.

Pak ditë më parë Ministria e Financave kallëzoi tetë zyrtarë të lartë të administratës tatimore, mes tyre edhe dy ish-drejtues, si dhe përfaqësuesit e 11 kompanive, te cilët akuzohen se i kanë shkaktuar shtetit dëme të konsiderueshme përmes një skeme mashtrimi me tatimin mbi vlerën e shtuar.

Sipas Ministrisë së Financave, shkeljet janë evidentuar në periudhën qershor– tetor 2013.

Mes punonjësve të nivelit zbatues që u kallëzuan janë edhe dy zyrtarë të nivelit drejtues, ish-drejtori i Tatimeve Tiranë dhe ish-drejtuesi i Hetimit Tatimor.

“Vizion Plus” zbuloi e publikoi pak ditë më parë skemën e mashtrimit të bizneseve në bashkëpunim me organet tatimore e doganore.

Skema quhet “Carousel”, e cila sipas ekspertëve, gjatë viteve 2005- 2006 është përdorur në Angli, Francë dhe Spanjë.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?