MENU
thesari.com © 2001

Referendumi në Itali, Renzi dërgon gjithë ministrat në përballje televizive: nuk keni parë gjë akoma! - Thesari

E Hënë 03 Tetor, 2016
Referendumi në Itali, Renzi dërgon gjithë ministrat në përballje televizive: nuk keni parë gjë akoma!

Matteo-Renzi

I inkurajuar nga bumi i telespektatorëve gjatë përballjes me Gustavo Zagrebelsky-n, një kundërshtar brenda partisë, të cilën beson se e ka fituar, kryeministri italian, Matteo Renzi programon tashmë një ofensivë të stilit madhështor. “Fushata për referendumin nuk ka nisur ende, nuk keni parë gjë akoma”, i ka deklaruar ai një kolegu të tij të majtë gjatë një vizite në Pesaro. Kështu njoftojnë mediat italiane, sipas të cilave strategjia e Renzit në lidhje me referendumin që mund të vendosë edhe të ardhmen e tij politike, duket se tashmë po lidhet gjithnjë e më shumë me median.

Janë pikërisht duelet televizive arma mbi të cilën pritet që kryeministri italian të mbështetet më së shumti për të marrë mbështetjen e italianëve në reformimin e parlamentit dhe sistemit politik të vendit. Për këtë arsye, ai është në një fushatë personale për të bindur të gjithë figurat e mëdha të votës “po”, duke nisur nga Xhorxho Napolitano, që të pranojnë të ulen ballë për ballë përpara kamerës me figura po aq të rëndësishme, eksponentë të votës “jo”. Dhe sigurisht një gjë të tillë ai pret që ta bëjnë edhe të gjithë ministrat e kabinetit të tij. Urdhëri për këtë ka mbërritur këto ditë në tryezën e secilit: “Të gjithë, të gjithë atje jashtë, nuk ka asnjë përjashtim”.

Gjeneralët janë vendosur në rradhën e parë. Ka dhënë “dëshminë” e tij Gian Luca Galletti, u dërgua në television edhe Carlo Calenda, i është kërkuar një përballje edhe Angelino Alfanos, e shumë figurave të tjera të majta. Një mobilizim i përgjithshëm që sipas gazetës italiane “La Stampa” prek edhe gardën e vjetër, personalitete si

Pierferdinando Casini dhe Luciano Violante, ndërkohë që nga e djathta janë gjetur edhe kundërshtarët me anë të një marrëveshjeje me grupin “Marcello Pera dhe Giuliano Urbani”, me profesorë dhe konstitucionalistë popullorë si Giovanni Guzzetta apo Lorenzo Ornaghi.

Nëse ky është rrjeti i aleancave dhe masa e të urtëve që do të shpartallohen në betejë, lëvizja e parë nga e cila do të niset, e pa të cilën gjithçka që kërkohet mund të rezultojë e kotë, është eleminimi i problemit të ligjit elektoral. “Duhet të heqim çdo alibi në tryezë dhe të përqëndrohemi vetëm tek referendumi”, thotë Renzi. Për këtë arsye, ai ka vendosur që brenda tetorit, që do të thotë pak para votimit, të publikojë të zezë në të bardhë propozimin për modifikimin e ligjit elektoral.

Nuk dihet ende se mbi cilët binarë do të vrapojë kryeministri për t;ia arritur qëllimit, por mësohet se pas një rezistence të gjata, Renzi është bindur të hapet ndaj Berluskonit. Kjo pasi opozitën e brendshme në parti, Renzi e konsideton të humbur.

Ideja është ajo e ofrimit për diskutim të nja njëzet propozimeve pikërisht ashtu si bëri kur nisi dy vjet më parë ndryshimet për autoritetet lokale.

Në vend të njohjes së fajit se ka personalizuar përtej pritshmërive referendumin, që mund t’i krijojë probleme me karrierën politike, Renzi në të kundërt nuk ka asnjë synim të zmbrapset. Përkundrazi.

Ai ka përzgjedhur me kujdes kundërshtarët brenda partisë për t’i shpartalluar, siç ishte rasti me Zagrebelsky.

Objektivi është të bindë elektoratin e moderuar ende të pavendosur. Por nga ana tjetër nëse për kundërshtarët e vendosur është e kotë të lançohet një mesazh, nuk është e tillë ideja për të folur me elektoratin e Forza Italia, të ulur në divan duke parë televizor: meqënëse armiqtë tuaj tashmë janë edhe të mitë, mund të më besosh.

Por, nëse Berlusconi, për momentin i papërfshirë, vendos të dalë personalisht në fushatë në favor të “jo”-së, Renzi ka edhe për të një surprizë: do i hedhë publikisht Kavalierit dorezën e sfidës. Duke e thirrur për një përballje televizive si në një duel të vërtetë e kjo duket të jetë një gëzim i pafund sidomos për moderatorin e debatit dhe audiencën që do të nxjerrë prej tij.

Në axhendë ai ka edhe një manifestim të madh me flamujt e partisë së tij të majtë në sheshin e Popullit në Romë, planifikuar më 29 tetor. Qëllimi është të bërtitet në shesh kundër Europës së masave të kursimit. Të gjitha lëvizjet, sipas shtypit italian, janë të planifikuara shumë mirë. “Fushata as që ka nisur, më besoni”, deklaron Renzi.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?