MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

"Belle Air" preu 52 mijë bileta pas falimentit - Thesari

E Enjte 05 Dhjetor, 2013
"Belle Air" preu 52 mijë bileta pas falimentit

haxhinasto_kom_ekonomi

Borxhet e kompanisë “Belle Air” ndaj buxhetit të shtetit janë 6 milionë euro, në banka të ndryshme detyrimet janë 10 milionë euro, rreth 4 milion euro janë detyrime të pashlyera ndaj furnitorëve dhe klientëve të tjerë, ku përfshihen edhe biletat e prera në avancë nga pasagjerët. Me këtë bilanc detyrimesh kompania ka shpallur falimentin dhe më pas ka vijuar të pres edhe 52 mijë bileta të tjera, të cilat sipas ligjit të falimentit në fuqi rrezikojnë të mos u dëmshpërblehen qytetarëve. Shifrat janë bërë të ditura nga tre ministra të kabinetit “Rama”. Tre ministrat e linjës, përkatësisht ai i Financave. Shkëlqim Cani, i Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe i Transporteve, Edmond Haxhinasto, kanë raportuar përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë në lidhje me falimentin e kompanisë.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi se kjo kompani kishte 5 vite që nuk paguante taksa. Sipas tij, “Belle Air”, kishte 6 milionë euro taksa për të paguar, për të cilat qeveria i kishte ofruar që t’i paguante me këste. Ndërsa ministri Arben Ahmetaj tha se, “Belle Air” siguronte 3.5 milionë euro fitim në vit. Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto ka deklaruar se, kompania “Belle Air” kishte pozita monopol, por nuk respektonte asnjë kusht dhe kompania nuk përfillte ankesat e pasagjerëve dhe slotet e fluturimeve. Ndërkohë, ish ministri i Financave, Ridvan Bode, u ndal në dëmin që iu është shkaktuar qytetarëve në këtë rast të cilëve iu janë shitur bileta dhe që tashmë janë të parimbursuara. Për të mos u përsëritur raste të tilla në të ardhmen, Bode kërkoi garanci për qytetarët, çka ligji aktual nuk ua ofron. Madje, jo vetëm për shërbimin ajror, por masa duhet të merren për të gjitha kompanitë që ofrojnë shërbime ndaj qytetareve: si telefonia; shërbimi urban, ai detar, etj. Komisioni

Sipas tyre, faktorët kryesorë që sollën këtë faliment ishin favorizimi i kompanisë nga qeveria e mëparshme në mos pagimin e taksave, monopoli që kishte në treg dhe keqmenaxhimi i saj. Sipas ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po përgatit dosjen e plotë të kësaj kompanie dhe dërgimin për ndjekje penale. Ndërkohë ai i bëri thirrje drejtuesve të kësaj kompanie që të hyjnë në negociata me qeverinë për shlyerjen me këste të vlerës prej 6 milionë eurove që i ka detyrim administratës fiskale. Do të hapim tregun për të zhdukur monopolin, tha ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, sipas të cilit, kanë filluar shqyrtimet e kërkesave nga kompani të tjera. "Në fund, fare afërsisht ne shkojmë në një shumë prej 6 milionë euro dhe ka një pyetje dhe për këtë.

Themi që kjo është një shoqëri që ka zhvilluar një aktivitet me një xhiro relativisht të lartë mbi 100 milionë euro në vit. Është pak e errët që mbetet përsëri një pikëpytje për tu zgjidhur në kohë se të gjitha detyrimet që kjo shoqëri tregtare ka ndaj bankave, detyrime ndaj të tretëve, aeroportit, etj si dhe detyrime ndaj buxhetit, është mbi 20 milionë euro. Kjo është një çështje mjaft për t'u vënë në dyshim si organe shtetërore nuk kanë bërë një analizë të gjendjes"- tha ministri Shkëlqim Cani. "Për qytetarët që ndoshta nuk e dinë se çfarë do të thotë kjo është një pagesë e drejtpërdrejtë që qytetarët bëj- në në çmimin e biletës prej 10 euro, e cila shkon në buxhet të shtetit drejtpërdrejt dhe kompania apo aeroporti janë agjentë të buxhetit të shtetit. Pra, një 10 euro e cila është paguar në kohë reale dhe nuk ka shkuar në buxhet të shtetit.

Pra, kompania në rastin konkret ka përdorur në operacionet e veta para të cilat i takojnë buxhetit të shtetit. Ka operuar me paratë e tatim paguesve në dëm të buxhetit të shtetit"- tha ministri Arben Ahmetaj. "Kemi një situatë thuajse monopoli në treg, mbi 50 % të tregut. Asnjë avion i kësaj kompanie nuk ishte regjistruar në Tiranë, që është kërkesë ligjore. Pra, ishte një favor i madh që i ishte bërë kësaj kompanie. Cilësia e operacioneve të saj linte shumë për të dëshiruar. Është kompania emblemë për mosrespektimin e sloteve dhe të orareve. Dhe emblemë përsa i takon vonesave"- tha ministri Haxhinasto. 

Biletat në avancë 

Ministria Arben Ahmetaj ka deklaruar se, “Belle Air” siguronte 3.5 milionë euro fitim në vit. Sipas tij, kompania gjatë falimentimit shiti në avancë 52 mijë bileta. Ahmetaj tha se, deri në momentin e falimentit kompania kishte 53 për qind të tregut ajror. Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka deklaruar në komision se, kompanisë i ishte kërkuar që të mos priste bileta, por ajo ka vazhduar. Ministri i Transporteve, tha se, qeveria kishte interes që të mos bllokonte kompaninë pasi kishte prerë 52 mijë bileta, ndërsa punësonte qindra njerëz. Sipas tij, kjo kompani nuk ka respektuar dhe nuk ka paguar asnjë detyrim aeroportual. 

Braçe: Qeveria “Berisha” favorizoi kompaninë 8 vjet

Kompania “Belle Air” është krijuar ne vitin 2005 dhe prej atij viti është favorizuar në mënyrë qeveritare, kuptuar në këtë mbështetjen e çdo agjencie shtetërore si rregullator i fushës. por edhe nga organet fiskale të Qeverisë. Kompania për shkak të kësaj ndihme është rritur aq sa në vitin 2013 zotëronte rreth 53- 56% të tregut dhe në një pjesë të madhe të destinacioneve të saj ka operuar si monopol i pastër. Kompania “Belle Air” nuk ka patur asnjë avion të saj të regjistruar në Shqipëri në shkelje të ligjit dhe ka patur deri tani në fund vetëm 7 avionë në operim një numër shumë i vogël kur ke parasysh destinacionet e saj. Cilësia shërbimit ishte skandaloze, kur referohen shifrat 30% të fluturimeve të deklaruara të anuluara dhe 12% të fluturime me vonesa të thella. 

Bllokimi i llogarive ka zgjatur vetëm 2 ditë, pas tyre llogaritë janë zhbllokuar pas një marrëveshje mes Qeverisë dhe kompanisë e cila parashihte shlyerjen e detyrimit me këste, në kohë, por përmes një garancie bankare për shlyerjen e këtyre detyrimeve. Kompania pavarësisht kërkesës për faliment ka vijuar të shesë bileta deri me datën 27 nëntor; kjo ka ndodhur edhe pse që në muajin tetor kompanisë Belle Air i është kërkuar të ndërpresë shitjen e biletave. Qeveria garantoi se ka nisur një hetim gjithpërfshirës për këtë kompani dhe në rast të konsumimit të veprave penale nga ana e kompanisë dhe zyrtarëve të shtetit, atëherë nga hetimi administrativ do të kalohet në hetim penal. Qeveria garantoi se agjencia e parandalimit dhe luftës ndaj pastrimit të parave ka nisur një hetim të plotë në gjurmim të parave të kompanisë, zbulim të destinacionit të tyre. 

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?