MENU
Thesari.com © 2001 - 2020

Edhe fasulet i ke përlarë o Shpëtim? - Thesari

E Premte 25 Tetor, 2013
Edhe fasulet i ke përlarë o Shpëtim?

shpetim-idrizi

Kryeministri Edi Rama bëri dje një prezantim të detajuar të financave shqiptare dhe pse është e nevojshme të ketë një akt normativ me ndryshime në buxhetin e shtetit për këtë vit kalendarik. Ndër konstatimet e asaj çfarë ka gjetur qeveria e re në çdo gjë që prek financat shqiptare, apo më thjeshtë fare taksat e shqiptarëve është dhe situata në Rezervat e Shtetit: Me poshte, pjesa e fjales se Rames, dje në Kuvend:

…Shembulli i dytë, është si më poshtë vijon dhe lidhet përsëri me prillin, majin dhe qershorin; Ky vend, si çdo vend tjetër, por me kushtet e veta, me buxhetin modest ka edhe një fond, për atë që quhet emergjenca civile dhe ka edhe një rezervë të vetën, për ato raste, që nuk janë pak, të përsëritura, atje lart në veri, vit pas viti për shkak të përmbytjeve, kur njerëzve ju duhet buka e gojës dhe me ligj, jo në bazë të dëshirave të një pale, apo të një pale tjetër është përcaktuar se cili duhet të jetë limiti minimal i rezervave të këtij shteti për të përballuar nevojën për bukën e gojës, të njerëzve të këtij vendi, kur gjenden në kushtet e emergjencave humanitare. Limiti minimal, që ky shtet duhet të ketë në dispozicion çdo ditë, çdo sekondë, çdo natë dhe duhet ta vërë në lëvizje brenda ditës, për sheqer është 40 mijë kilogram. E dini sesa keni lënë mbas 23 qershorit?! Keni lënë 85 kilogram. Meqë jeni amatorë të pilafit dhe njiheni botërisht si të tillë dhe po pyesni për orizin?! Nga 40 mijë kilogram, është zero. E, tek orizi jeni të mirëkuptuar, se siç ju thashë jeni pilafdashës të njohur botërisht dhe meqë keni kaluar nga petullat tek “Versaçe”, miellin e keni kursyer, nga 200 mijë kilogram keni lënë vetëm 30 mijë. Ndërkohë që dihet, pavarësisht, se keni kaluar tek “Versaçia” nuk e keni harruar kurrë aromën e fasules. Zero kilogram fasule! Nga 30 mijë kilogram që duhet të kishte atje. Për ju, pilafi dhe fasulja janë ato adetet e mëdhaja, që i keni pasur shumë dhe për shumë gjatë, se nuk do të shpjegohej ndryshe, pse në listën e borxheve na janë shfaqur tani, dhe hotele dhe restorante me fatura, që thonë kanë ngrënë, kanë pirë, kanë ikur kanë ardhur, kanë ngrënë, kanë pirë, kanë ikur, por për të paguar nuk kanë paguar. Kjo është gjendja e rezervave. Sigurisht, dihet se keni edhe një etje të madhe për karburant. Keni pasur zorrën më të babëzitur për të thithur karburantin e këtij vendi, nga të gjitha anët, në të gjitha drejtimet. E nuk kishit si të linit një litër karburant në rezervat e këtij shtetit, për të lëvizur makina që të çonin thasë me miell, me oriz, me sheqer e vaj! Zero litra karburant! Zero! Pa llogaritur këtu, që keni tenderuar karburant pa fund, nëpër ministri të ndryshme e keni lënë pas zero litra karburant. Ju, që vini sot e flisni këtu se çfarë po ndodh! Ndërkohë se çfarë po ndodh, lidhet me ato që kanë ndodhur….

 

Magazinat në Lundër, aty ku miu thyen kokën

Në çdo vit kalendarik kur hartohet buxheti për vitin pasardhës, një fond i veçantë është dhe ai rezervave të shtetit. Po kështu një fond i veçantë është i përllogaritur dhe për produkte ushqimore, që është pjesë e Fondit të Emergjencave Civile. E këto produkte ushqimore që janë miell, fasule, oriz, makarona, karburant, etj., pra ushqime bazë për t’u përdorur në raste të fatkeqësive natyrore, për të mbajtur frymën gjallë, lihen mënjanë në magazinat që shteti i ka vendosur në Lundër dhe gjatë një viti ato duhet të përdoren nëse lind nevoja (e ne të vërtetë urohet që të mos jenë të nevojshme për t’u përdorur kurrë). Por sa thërret kujtesa jo afatgjatë, këtë vit Perëndia na ka dashur dhe nuk ka qenë e nevojshme të përdoren këto produkte deri tani. As nuk ka patur përmbytje, as zona të izoluara, nuk pati zjarre, pati vetëm zgjedhje të përgjithshme dhe ndërrim pushteti. E këto rezerva nuk ka qenë e nevojshme të përdoren. Por në magazinat në Lundër, miu e thyen kokën. Tej deklaratës therëse të Ramës dje në Kuvend, është i vërtetë ky fakt, përveçse janë në gjendje të mjerueshme këto magazina, aty nuk ka më asgjë.

 

“Avullimi” në pak javë

Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave prej 2 000 milionë lekësh përdoret për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore, e kjo kryesisht në raste të fatkeqësive natyrore. Por ky fond është shpenzuar në masën 99.87 përqind të tij, nga qeveria e kaluar, duke e thelluar më tej papërgjegjshmërinë e saj, e duke i lejuar vetes të linte vendin pa fondin e emergjencave për katër muajt e fundit të këtij viti. Më datën 10 shtator 2013 kishin ngelur vetëm 18 milionë lekë të vjetra. 1.2 miliardë lekë të këtij fondi u përdorën vetëm për shpenzime operative, të cilat mund të shmangeshin ose financoheshin nga burime normale. Janë 12 institucione të Shtetit që kanë përfituar nga ky fond, i destinuar normalisht për situata emergjente e të paparashikueshme. Janë 50 vendime të Këshillit të Ministrave që kanë prekur dhe përdorur këto para të paracaktuara për ditë të këqija për Shtetin. Dhe kur këto ditë nuk janë parë, qeveria e ikur ka menduar t’i përdorë praktikisht sipas qejfit. Pjesën më të madhe të këtyre 10 milionë eurove të Fondit Rezervë e ka përfituar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me 521 milionë lekë (rreth 4 milionë euro).

Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë zë vendin e dytë, me 120 milionë lekë. Këshilli i Ministrave ka marrë edhe ai 120 milionë lekë. Të bën përshtypje që në shpenzimet për të cilat është prekur ky fond rezervë, që caktohet nga të gjitha buxhetet normale të vendeve normale për raste përmbytjesh e katastrofash të tjera natyrore, futet dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, që kujdeset për vilat qeveritare në zonat e plazheve. Janë rreth 80 milionë lekë të ikur në këtë farë feje! Nuk kishte asnjë zjarr, përmbytje, tërmet apo rast fatal natyror tjetër, që të prekej ky fond. Shyqyr që vendi deri tani nuk ka përjetuar ndonjë situatë emergjente, pasi edhe kjo pjesë ka shkuar si shumë dëme të tjera të shkaktuara nga qeveria e ikur në shifra marramendëse. Kjo madje mund të konsiderohet dëmi më i vogël i asaj çfarë i janë shkaktuar financave të shtetit në pjesën e parë të vitit sa qeverisnin të djathtët.

 

Edhe fasulet i ke përlarë, o Shpëtim?

Në 23 qershor, shqiptarët votuan për të hequr qafe korrupsionin e qeverisë Berisha, që shtrihej nga familja e tij politike në qendër deri tek drejtorët e tij dhe te aleatët në bazë. Por shumë nga këta drejtorë janë ende këmbëkryq në zyrat e shtetit. Dhe për t’i mbajtur këta hajdutë në ato zyra, PD e Berishës është duke kërcënuar me bojkote dhe trazira sociale, ndërsa të vegjëlit si Idrizi janë duke ofruar “shërbimet e tyre” prej kurtizanësh

Rama dje në Kuvend ka bërë publike jo thjesht disa shifra, por ka dhënë një dëshmi të asaj që kanë bërë paraardhësit e tij me financat e shtetit. Babëzia shkon deri tek fasulet e orizi në Lundër, tek një fond modest emergjencash civile, që mund të përdoret vetëm në rast fatkeqësish natyrore. “Kush i ka drejtuar Rezervat e Shtetit?” – është pyetja që lind duke dëgjuar Ramën? Kjo drejtori deri para pak ditësh drejtohej nga z. Petrit Cerçizi, produkt i dalë nga aleanca PD-PDIU dhe i perket kesaj te fundit.

Sërish në skenë, pra, është partia e Shpëtim Idrizit, që flirton sot me mazhorancën e re duke bërë marifete “bojkot-votimesh” në Kuvend. Pse themi sërish në skenë? Sepse aferat korruptive në drejtoritë që ka marrë Idrizi (shumë prej tyre, pas largimit të Metës nga aleanca me PD) janë vërtet mbresëlënëse.

Vetëm dy ditë më parë, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë nxorri një raport skandaloz, ku në muajt e parë të këtij viti vendit tonë i janë shtuar 6 mijë invalidë, e këta paskan qenë njerëz të kryekomunarëve të zonave të ndryshme, të drejtorëve të ndryshëm të qeverisë së kaluar. E firma për këto lloj pensionesh lëshohet nga Shërbimi Social Shtetëror, e që çuditërisht është drejtuar deri në muajin Prill nga Kozeta Mesiti e PDIU. Po kjo zonjë kaloi pas këtij muaji në drejtim të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe ku Prokuria dhe KLSH pa kaluar as pak muaj në drejtim të këtij institucioni e bënë objekt të hetimit për shkak të fshehjes së kompanive të karburantit që vjedhin qytetarët në pikat e karburantit me pakicë.

KLSH raportoi gjithashtu disa ditë më parë shkelje dhe abuzime të rënda në ISSH-në e drejtuar nga znj.Vjollca Braho, edhe kjo e emëruar aty pas marrëveshjes PD-PDIU. Është po kjo ISSH në qendër të akuzave të ish-ushtarakëve që kanë denoncuar se u kërkohen rryshfete deri në 30 përqind të vlerës për t’u lidhur pensionet.

“Çuditërisht” edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është drejtuar nga partia e Idrizit dhe burime pranë Ministrisë së Bujqësisë bëjnë të ditur se abuzimet në këtë dikaster janë të mëdha e për këtë ka nisur një hetim i detajuar, ku flitet që do të vendosen dhe njerëz para drejtësisë.

Në 23 qershor, shqiptarët votuan për të hequr qafe korrupsionin e qeverisë Berisha, që shtrihej nga familja e tij politike në qendër deri tek drejtorët e tij dhe të aleatëve në bazë. Por shumë nga këta drejtorë janë ende këmbëkryq në zyrat e shtetit. Dhe për t’i mbajtur këta hajdutë në ato zyra, PD e Berishës është duke kërcënuar me bojkote dhe trazira sociale, ndërsa të vegjëlit si Idrizi janë duke ofruar “shërbimet e tyre” prej kurtizanësh. Flitet edhe për pagesa nën dorë, flitet edhe për “nevoja për 5 votat e Idrizit”, flitet edhe që drejtorët e Idrizit dhe të ndonjë tjetri që janë hequr nga disa poste, po “rehatohen” në poste të tjerë brenda administratës.

Disa gjëra mund të jenë të vërteta, disa të tjera jo. Por apeli i sotëm, që vjen pas një fjale mbresëlënëse të vetë kryeministrit në Parlament është i qartë: Askush nuk mundet të harrojë votën e 23 qershorit!

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?