MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Grupi teatral i Ministrisë së Brendshme ka filluar xhirimet për zbulimin e farës së hashashit - Thesari

E Enjte 23 Shkurt, 2017
Grupi teatral i Ministrisë së Brendshme ka filluar xhirimet për zbulimin e farës së hashashit

Veliaj-Tahiri_1

Ministri Saimir Tahiri vërtet nuk ka një zyrë të tërë propagande si konkurrenti i tij, Erion Veliaj, por po përdor me sukses të njëjtat metoda për të luajtur edhe ai teatrin mediatik, njësoj si kryetari rilindas i Bashkisë.

Kështu, policia e shtetit, konkretisht komisariati 6 në Tiranë, ka organizuar sot një aksion special në fshatin Ndroq, vetëm për kamerat e Top Channel, të cilat më pas shpalosën në edicionet e lajmeve teatrin propagandistik të radhës për llogari të Tahirit.

Gjithaçka u organizua, një ditë pasi policia raportoi me bujë se kishte nisur një operacion në mbarë vendin për parandalimin e mbjelljes së kanabisit, duke ushtruar kontroll në sera, ish reparte ushtarake, tunele e godina të vjetra. Këto kontrolle po bëhen për të gjetur edhe farën e bimës së famshme, por deri më tani nuk është raportuar ndonjë sasi domethënëse e sekuestruar. 

Pas këtij lajmi që u shpërnda nga vetë policia të mërkurën, disa media kërkuan sot që t'u mundësohej ndjekja nga afër e një operacioni parandalimi dhe filmimi i kontrolleve policore. Ato nuk u lejuan në mënyrë të prerë, me argumentin se operacioni po zhvillohej në terren malor dhe ishte e pamundur përcjellja mediatike e tij. 

Por ky arsyetim i policisë rezultoi gënjeshtër, pasi pak orë më vonë Top Channel, tashmë një kanal i preferuar i policisë, shfaqi një kronikë ku shefi i krimeve të Komisariatit 6, Oliger Torba, merrte poza në krye të 10 efektivëve duke ushtruar kontrolle në fshatin Ndroq, fare pranë Tiranës.

Burime të lapsi.al, mësuan se në planin e masave të policisë vendore, nuk ishte parashikuar asnjë kontroll në atë zonë, por policia ka dalë në terren për të inskenuar një kronikë për kamerat e besuara të Top Channel. 

Në këtë mënyrë, policia e shtetit jo vetëm është selektive në dhënien e informacioneve për mediat, por po i përdor ato njëlloj si zyra e propagandës së Velisë për të prodhuar kronika të gatshme. 

Përdorimi i policisë për interesa politike është thelluar së fundmi, që kur Saimir Tahiri ka rritur dozën e populizmit në rivalitetin me Erion Velinë. Madje vetë Drejtori i Përgjithshëm i policisë së shtetit, Haki Çako, që ka funksione ekskluzivisht profesionale, po përdoret rëndom si dekor në aktivitete të sajuara të ministrit socialist, Tahiri.

Por nëse kryetari i Bashkisë ka në dorë të shpërndajë kioska, nuk dihet ende me çfarë i kompenson Tahiri këto shërbime mediatike.

/lapsi/

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?