MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Krerët e policisë raportojnë te Artan Didi, furtunë në 5 sektorë të 12 drejtorive në qarqe - Thesari

E Premte 25 Tetor, 2013
Krerët e policisë raportojnë te Artan Didi, furtunë në 5 sektorë të 12 drejtorive në qarqe

didi-tahiri

Nuk ka të sosur furtuna në Policinë e Shtetit. Fshesa e nisur që prej tre javësh vijon me intensitet, për të çmontuar militantët e Partisë Demokratike nga të gjitha nivelet e piramidës së Policisë së Shtetit. Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, pas shkarkimit të krerëve të policisë në të 12 qarqet, ofensiva e spastrimeve do të zhvendoset tek sektorët e policisë në qarqe. Sipas burimeve, menjëherë pas zëvendësimit të kupolës drejtuese të politikës, në shënjestër do të jenë sektorët kryesorë që përbëjnë drejtoritë e policisë. Krerët e rinj të policisë në qarqe, aktualisht kanë gati raportet për veprimtarinë e drejtuesve të pesë sektorëve kryesorë të policisë. Madje, sipas burimeve një pjesë e tyre kanë raportuar tek Artan Didi. Raportet janë kërkuar nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, në kuadër të reformës në polici. Më konkretisht bëhet fjalë për Sektorin e Analizës së Formacionit Kriminal, Sektorin Kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve, Sektorin Kundër Krimeve të Rënda, Sektorin për Operacionet Speciale dhe Sektorin e Rendit dhe Sigurisë Publike. Ndërkaq, Sektori Kundër Krimit Financiar u godit javën e kaluar. Ky sektor u shkri nga Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, pasi ishte kthyer në mburojë e bixhozit të paligjshëm në Shqipëri. Ndërkaq, në pesë sektorët e tjerë priten ndryshime radikale menjëherë pas shqyrtimit të raporteve të drejtuesve të policisë. Ndryshimet po ndodhin për shkak të intensitetit  të krimeve të rënda që po ndodhin ditët e fundit, ekzekutimeve mafioze,  trafikut të drogës jashtë kontrollit si dhe me gjendjen e pasigurisë së krijuar vitet e fundit. Po ashtu, nga ndryshimet nuk do të shpëtojnë as tre sektorë të tjerë si Sektori i Personelit, Sektori Ekonomik dhe Sektori i Buxhetit dhe Financës.

Kontrolli

Ligji për Policinë e Shtetit parashikon që drejtori i policisë së qarkut raporton tek Drejtori i Përgjithshëm për punën dhe kryerjen e detyrave nga drejtoria e policisë së qarkut, komisariatet dhe stacionet e policisë. “Çdo drejtori e policisë së qarkut drejtohet dhe kontrollohet nga drejtori i Policisë së qarkut. Drejtori i Policisë së qarkut dhe drejtori rajonal i Kufirit dhe Migracionit raportojnë te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, nëpërmjet Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për: a) kryerjen e detyrave; b) kryerjen e detyrave nga drejtoria e Policisë së qarkut, komisariatet dhe stacionet e Policisë që drejto dhe kontrollon. Drejtori i Policisë së qarkut i paraqet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë një raport vjetor ose sa herë që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë bën kërkesë për punën e drejtorisë së Policisë së qarkut, të cilën ai drejton dhe kontrollon dhe punën e komisariateve dhe stacioneve të Policisë në varësinë e saj. Drejtori i Policisë së qarkut raporton te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, me kërkesë të tij, për çdo çështje të përgjithshme ose të veçantë të drejtorisë së Policisë së qarkut që drejton”, parashikon ligji.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?