MENU
Thesari.com © 2001 - 2020

Mali i Zi nxjerr (zyrtarisht) të palarat e Arben Imamit - Thesari

E Shtunë 26 Tetor, 2013
Mali i Zi nxjerr (zyrtarisht) të palarat e Arben Imamit

arben_imami41

Vazhdimisht vitet e fundit mediet kanë bërë publiket lidhjet e forta Shqipëri-Serbi për sa i përket importit, eksportit dhe tranzitimit të armatimeve dhe lëndëve shpërthyese. Viti 2012 nuk mund të bënte përjashtim nga ky “rregull”.Gjatë këtij viti me gjithë zhurmën në shtyp dikasteri Imami ka vazhduar me intensitet marrëdhëniet me serbo-sllavët.

Më poshtë do të analizojmë rast pas rasti këto raporte simbioze shqiptaro-serbe  në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë kryesisht gjatë vitit 2012, por jo vetëm. Shqipëria në vitin 2012 ka eksportuar kundrejt EUC (certifikatës së përdoruesit fundor) për në Republikën Demokratike të Kongos 60 (gjashtëdhjetë) armë me kalibër mbi 20mm, me vlerë  16 700 Euro. Në fakt armët janë eksportuar më parë në Serbi duke kaluar tranzit në Mal të Zi. Biznesmenët serbë të armëve, të njëjtat armë shqiptare ua kanë shitur kongolezëve për 59  mijë e 159 Euro. Theksojmë se në dokumentin kongolez EUC theksohet qartë, që shitësi është Shqipëria dhe blerësi është Ministria Kongoleze e Mbrojtjes, Çarmatimit dhe Veteranëve të Luftës. Serbët në këtë rast janë thjesht sekserë. Diferenca e çmimit është 42 mijë e 439 Euro pra trefish i çmimit të eksportit nga Shqipëria. Për tu eksportuar armët shqiptare në Kongo domethënë në Afrikë, në jug të Shqipërisë, duhet më së pari të ngjiten në veri deri në Serbi, tranzit nëpër Mal të Zi e më pas të zbresin përsëri në jug. I kujtojmë ministres Kodheli se vartësit e paraardhësit të saj Imami i kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 42 mijë e 439 Euro arkës së shtetit ose sepse janë budallenj(ua kanë hedhur serbo malazezët) ose se janë maskarenj,  se kanë ndarë Eurot me sivëllezërit e tyre sllavë. Budallenjtë pushohen nga puna, ndërsa maskarenjtë dërgohen në prokurori.

 

Drejt Ukrainës

Nga Shqipëria kundrejt EUC-së përkatëse janë eksportuar në Ukrainë 200(dy qind copë) armë me vlerë 70 mijë Euro. Mallrat nuk janë dërguar direkt në Ukrainë por janë tranzituar nëpërmjet Malit të Zi për llogari të një firme të inkorporuar në Qipron greke, me pronar një serb të certifikuar ndërkombëtarisht(lista e OKB-së dhe lista e Departamentit Amerikan të Shtetit) si trafikant armësh. Theksojmë se biznesmeni serb ia  ka shitur këto armë Ukrainës për 247 mijë e 000  Euro. Në dokumentin EUC shkruhet qartë Shqipëria është vendi eksportues ndërsa Ukraina vendi importues. Diferenca është 177 mijë Euro, rreth 2,5 herë më e lartë se çmimi i palës shqiptare. Vartësit e Imamit nga budallallëku ose nga maskarallëku me ndihmën e sivëllezërve të tyre serbë dhe malazezë i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm ekonomik prej 177 mijë Eurosh. Skema e hajdutërisë është e njëjtë: për të eksportuar armë në Ukrainë  domethënë në lindje, nga Shqipëria duhet të ngjitesh në veri- Mal të Zi dhe pastaj të zbresë në juglindje- Qiproja greke. Nga Shqipëria kundrejt EUC-së përkatëse janë eksportuar në Mali(Afrikë) 3(tre)milion fishekë me vlerë  71 mijë e 829 Euro. Ky eksport është kryer duke i tranzituar fishekët nëpër Mal të Zi. I kujtojmë lexuesit që Mali gjendet në Afrikë në jug të Shqipërisë ndërsa Mali i Zi gjendet në veri të Shqipërisë. Kësaj i thonë, që tiransi, që niset për të shkuar në Sarandë i bie rruga më shkurt po të kalojë nga Shkodra.

 

Sekserët serbë

Në këtë eksport municionesh ndërmjetëse është një firmë e regjistruar në Kosta Rika me pronarë një gjeneral pensionist të IDF-së dhe një serb të famshëm për të keq në fushën e tregtisë së armëve. Sekserët i kanë eksportuar nga Mali i Zi fishekët shqiptarë me çmimin 76 mijë e 618 Euro. Diferenca në këtë rast është normale për sekserin serbo-malazezo-hebre vetëm 4 mijë 601 Euro.

Shqipëria po gjatë vitit 2012 ka eksportuar në Mal të Zi kundrejt EUC-së përkatëse 1 000(një mijë) ton lëndë shpërthyese me vlerë 286 mijë e 280 Euro. Lënda shpërthyese e eksportuar ka prejardhje kryesisht nga procesi i demontimit të municioneve të ndryshme. Më pas Mali i Zi po këtë një mijë tonësh ia shet Serbisë (duke e shkruar qartë në dokumente se vendi i origjinës-vendi dërgues është Shqipëria) me vlerë  670 mijë Euro. Diferenca e çmimit është 363 mijë e  720 Euro. Si më sipër budallenjtë ose maskarenjtë e Ministrisë Shqiptare të Mbrojtjes i kanë dhuruar ose kanë ndarë me sekserët serbë e malazezë këtë sasi eurosh. Shkurt puna edhe kësaj radhe buxhetit të Ministrisë sonë të Mbrojtjes i është bërë  një dëm i konsiderueshëm.

 

Shifrat e çuditshme

Shqipëria po në vitin 2012 ka importuar nga Serbia 100(një qind) ton lëndë shpërthyese me vlerë 119 000 Euro, kundrejt lëshimit të EUC-së përkatëse nga AKSHE-ja. Ndonëse Ministria jonë e Mbrojtjes për më se një dekadë  shet,ble dhe tranziton armë me Serbinë, përsëri për të blerë armë në Serbi është zgjedhur një firmë sekser shtetërore malazeze, e famshmja MDI-Montenegro Defence Industries. Po kjo firmë është zgjedhur si firmë sekserë për të importuar nga India 200 mijë kapsolla detonatorë dhe 50 mijë ml. fitil zjarr-përcjellës me vlerë 79  mijë e 250 Euro. E njëjta firmë ka lozur rolin e sekserit,edhe kur Shqipëria kundrejt EUC-së përkatëse ka importuar zyrtarisht nga Serbia 6 mijë e 505 copë djegore me vlerë 470 mijë e 312 Euro. Në vitin 2012 Shqipëria kundrejt EUC-së përkatëse ka eksportuar në SHBA 14 581 copë municione të kalibrit nën 20mm me vlerë  438 008 Euro. Ndonëse Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, ndonëse shqiptarët janë kombi më pro-amerikan në Evropë, ndonëse ka një zyrë me ekspertë amerikanë në  dikasterin ish-Imami, përsëri ne e kemi realizuar këtë eksport me ndihmën e sekserëve serbo malazezë. I kujtojmë lexuesit që as Serbia, as Mali i Zi nuk janë anëtarë të NATO-s dhe popujt e tyre janë ndër më anti-amerikanët në Evropë. Për “nderin”, që na kanë bërë sivëllezërit serbo-malazezë ata i kanë rieksportuar municionet shqiptare në SHBA me vlerën 609 756 Euro. Diferenca prej 171 mijë e 756 Euro është dëmi, që i kanë bërë arkës së shtetit shqiptar vartësit e zotit Imami. Dëm ky i shkaktuar nga budallallëku apo nga maskarallëku i tyre në vartësi të faktit se i kanë ndarë apo jo këto Euro me sekserët serbo-malazezë.

 

Radha e z. Kodheli të bëjë detyrën

Vetëm në këto raste importesh, eksportesh dhe tranzitimesh nëpër Mal të Zi dhe Serbi shteti shqiptar si rrjedhojë e veprimtarisë së vartësve të z.Imami ka pësuar një humbje totale prej 779 mijë e 516 Eurosh. Ministrja e mbrojtjes Kodheli ankohet se nuk ka para për të blerë karburante për nevojat e makinave të ushtrisë. Ushtarakët ankohen se u bënë vite, që ish-ministri Imami nuk u ka paguar ushqimet,që u takojnë me ligj, ndërsa po ky dikaster u “dhuron” më shumë se tre çerek milion Euro “vëllezërve” të veriut apo jep miliona euro të tjera për të bërë propagandë ala-bolshevike në Sandër-mediat për sukseset e mahnitshme të Ushtrisë Shqiptare, që rezulton pa karburant për automjetet dhe pa lekë ushqimi për ushtarakët e një vendi tashmë anëtar në NATO! Media e kreu detyrën e vet. Tashmë është radha e ministres Kodheli të bëjë detyrën e saj duke i hetuar të tëra raste e mësipërme të provuara përtej çdo dyshimi të arsyeshëm nga dokumente zyrtare malazeze të përpiluara nga Ministria Malazeze e Ekonomisë. Më pas organet e prokurorisë dhe gjykatës do merren me personat përgjegjës për këto dëme monetare. Për sa i përket problemit moral të bërjes biznes me armatime me armiqtë tanë tradicionalë serbo sllavë, pak rëndësi ka. Tashmë atdhetarët shqiptarë janë mësuar deri në rutinë me episode të tilla të tipit “Serbia Mon Amour”! Ky idil serbo-shqiptar vazhdoi edhe gjatë vitit elektoral 2013. Në këtë periudhë ky bashkëpunim mori forma edhe më të shëmtuara.

 

Pak mbi përgjimin

Pajisja përgjuese e importuar nga SHIU për nevojat operacionale të forcave tona pjesëmarrëse në operacionet paqeruajtëse jashtë  Shqipërisë, u përdor për përgjime masive brenda Shqipërisë. Krahas përgjimit të “armiqve” si ambasadori Arvizu apo deputetë të bezdisshëm opozitarë si Braçe, Gjoni, Balla, apo Bizhga, pajisja u përdor edhe për përgjimin e subjekteve, pa kurrfarë lidhje me objektin e SHIU-t. Interesant është përgjimi i jetës private të vëllait të njërit prej policëve viktima të Dritan Dajtit. Përgjimi i tij u bë me qëllim mbledhjen e materialeve kompromentuese për një deputete atëherë opozitare të Kuvendit të Shqipërisë. Besoj edhe aftësia e shquar aktoriale e ish- ministrit Imami zor se mund të gjejë lidhje midis këtij përgjimi dhe nevojave operacionale të ushtarakëve tanë në Afganistan, Bosnje apo Gjeorgji Si objekt përgjimi përmendim gjithashtu edhe  fytyrën publike të muxhahedinëve iranianë z.Shahin Gobard me mob.tel.0033637435133, në dhjetëditëshin e parë të qershorit të këtij viti, kur ai vizitoi “in cognito” Shqipërinë. Mund të mirëkuptohet interesimi i z.Fahima dhe Forcës Quds për veprimtarinë e z. Gobard në Shqipëri, sidomos kontaktet e tij me gazetarë të medieve prestigjoze ndërkombëtare, që ushtrojnë veprimtarinë në Tiranë, po pse të tilla përgjime duhej me patjetër t’i kaloheshin edhe “vëllezërve” tanë serbë?! Njëlloj si në kohën e Kxoci Xoxes, kur rruga shqiptare për në Moskë apo Sofje kalonte nga Beogradi edhe sot, eksport -importet shqiptare në katër kontinente, në SHBA, Indi, Mali, Kongo etj. etj. kalojnë nga Beogradi.  Në pranverën e 2013-ës Nebojsha Maleviçi në  ministrinë Imami ishte  bërë si dikur koloneli i OZNA-s  Safet Filipoviçi, i cili në vitin 1947 ishte i gjithëpushtetshëm në dikasterin e Koçi Xoxes. Në muajt e nxehtë verorë të tranzicionit politik, pajisja përgjuese u zhduk pa lënë gjurmë nga magazina e SHIU-t. Ka shumë hamendje për “final destination” të pajisjes. Ca thonë se është strehuar e punon me kapacitet të plotë në një ndërtesë, buzë Lanës, pranë ish-Institutit nr.6. Të tjerë thonë, që pajisja ka emigruar në Kosovë. Vërtet Shqipëria nuk ka asnjë këmbë ushtari në Kosovë dhe pajisja nuk shërben për qëllimin, që u ble, por në kuadrin e idilit serbo-shqiptar alla- imamçe ajo ndoshta punon me mjaft efiçencë në drejtim të ushtarakëve sllovenë, austriakë e italianë të dislokuar në rrafshin e Dukagjinit. Normalisht përgjimet njëlloj si edhe armatimet shqiptare për të shkuar në destinacion duhet të kalonin nga Beogradi.

Faqja e parë e Raportit të Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi

Faqja e parë e Raportit të Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi

Të dhënat e raportit shtetëror malazez  për blerjen e municionit në Shqipëri dhe më pas rishitjen e këtij municioni në Kongo

Të dhënat e raportit shtetëror malazez për blerjen e municionit në Shqipëri dhe më pas rishitjen e këtij municioni në Kongo

Të dhënat e raportit shtetëror malazez  për blerjen e municionit në Shqipëri dhe më pas rishitjen e këtij municioni në Indi

Të dhënat e raportit shtetëror malazez për blerjen e municionit në Shqipëri dhe më pas rishitjen e këtij municioni në Indi

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?