MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Nishani i kthen Kuvendit aktin për "Nëpunësin Civil" - Thesari

E Premte 08 Nëntor, 2013
Nishani i kthen Kuvendit aktin për "Nëpunësin Civil"

nishani-berisha-1024x741

Presidenti Nishani ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend Aktin Normativ per “Për disa ndryshime në ligjin nr.  152/2013 “Për nëpunësin civil””. Përmes një dekreti të posaçëm, kreu i shtetit i ka rikthyer aktin e kaluar disa javë më parë në Parlament këtij të fundit, ndërsa u është drejtuar me një letër sqaruese deputetëve

“Me anë të dekretit nr. 8383, datë 8.11.2013, në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani, ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend, ligjin nr. 161/2013 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.5, datë 30.9.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në ligjin nr.  152/2013 “Për nëpunësin civil””- bën të ditur faqja zyrtare e Presidencës.

Letra e Nishanit

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 161/2013

“Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.5, datë 30.9.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”””

Të nderuar deputetë,

Në seancën plenare të datës 17 tetor 2013, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 161/2013 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.5, datë 30.9.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”””.

Ky ligj është paraqitur për shpallje më datë 21 tetor 2013. Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës, kam vlerësuar se ky ligj duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit, mbështetur mbi arsyet dhe argumentet e poshtë përmendura.

Arsyeja kryesore për të cilën vendosa të mos e shpall këtë ligj dhe t’ia kthej Kuvendit për rishqyrtim, bazohet në respektimin e parimit shumë të rëndësishëm të hierarkisë së normës juridike. Si akt me fuqi juridike të posaçme, ligji zë vendin më të lartë (pas Kushtetutës) në hierarkinë e akteve ligjore, ndaj si i tillë ai duhet ndryshuar apo shfuqizuar vetëm nëpërmjet një ligji tjetër, dhe aspak, në gjykimin tim, nëpërmjet një akti normativ. Krijimi i precedentëve të tillë, do të vinte në pikëpyetje rendin juridik dhe shtetin e së drejtës.

Në këto kushte, një akt normativ i qeverise, pra i njerit prej pushteteve nuk duhet që të modifikoje apo ndryshoje një ligj i cili është miratuar me shumicë të cilësuar, po ashtu nuk mund të shprehet rreth çështjeve të hyrjes apo jo në fuqi të një ligji kaq specifik si ligji nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, të miratuar në maj me konsensus të gjërë parlamentar.

Neni 101 i Kushtetutës së RSH, në vlerësimin tim, duhet interpretuar stricto sensu, pra vetëm si përjashtim, i cili i jep Këshillit të Ministrave të drejtën për të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për të siguruar marrjen e masave të përkohshme. pasi vetë masat që parashikohen në keto akte normative duhet të jenë të përkohshme. Gjithesesi,edhe në rast se një ligj rishihet me anë të një akti normativ të Këshillit të Ministrave, mbetet taksative detyrimi i këtij të fundit të vrojtojë plotësimin e 3 kushteve: nevoja, urgjenca dhe marrja e masave të përkohshme.

Plotësimi i këtyre 3 kushteve duhet te jetë kumulativ pasi mungesa e plotësimit të qoftë të njerit prej tyre, e kthen nderrmarjen e një akti normativ nga Qeveria në një veprim antikushtetues.

Nëse do ti hidhej një vështrim përvojës së vendeve të tjera, lehtësisht do të vërehej se aktet normative nxirren për të përballuar situata konkrete të cilat kërkojnë një ndërhyrje legjislative të enjëhershme apo kur ka boshllëk ligjor i cili duhet plotësuar po në mënyrë të menjëhershme.

Në rastin konkret, Këshilli i Ministrave për të ndyshuar ligjin .152/2013, “Për nëpunësin civil”, përdori instrumentin e aktit normativ, duke iu referuar nenit 101 të Kushtetutës se Republikës dhe duke paraqitur një situate emergjence dhe nevoje. Në gjykimin tim si President i Republikës,

Këshilli i Ministrave gjatë kohës që kishte në dispozicion, duhej dhe duhet të përgatiste dhe nxirrte aktet nënligjore në zbatim të ligjit nr.152/2013, dhe jo të vinte në pikëpyetje qëndrushmërinë e ligjit duke e ndryshuar me akt normativ. Veprim ky që rezulton të jetë në shkelje të pikës 2 të nenit 81 të Kushtetutës, i cili ndër të tjera sanksionon se ligji për statusin e funksionarëve publikë, bën pjesë në grupimin e ligjeve që duhen miratuar me një shumicë të cilësuar prej tre të pestave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Akti normativ që ka fuqinë e ligjit dhe që nxirret nga Këshilli i Ministrave, kur miratohet nga Kuvendi sic eshte ky me dt 17 tetor 2013, shëndrrohet në ligj, pra bëhet ligj jo vetëm në kuptimin material por edhe atë formal, ndërsa para miratimit nga Kuvendi, është thjesht një ligj në kuptimin material. Dallimi midis aktit normativ me fuqi ligjore dhe ligjit, qendron vetem në proceduren e ndryshme të ndjekur për miratimin e tyre, ndërsa nga pikepamja e përmbajtjes nuk ka asnje ndryshim mes tyre.

Ky akt normativ pasi u miratua me 17 tetor nga parlamenti, mori fuqinë de iure e një ligji, pra fuqia që ligji gëzonte në mënyrë të përkohshme, me miratimin nga Kuvendi të aktit normativ u be një fuqi e përhershme, pavaresisht afatit 6 mujor që është lënë për shtrirjen e efekteve të ligjit. Për më tepër, akti normativ modifikoi dispozitat kalimtare te një ligji të miratuar me konsensus të  gjërë të paleve.

 

Të nderuar deputetë,

Në rastin e miratimit të aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.5, datë 30.9.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil””, vlerësoj se është shkelur edhe pika 4 e nenti 84 të Kushtetutës e cila parashikon marrjen e pëlqimit nga Presidenti i Republikës për hyrje në fuqi menjëherë të ligjit i cili miratohet për të përballuar një masë të jashtëzakonshme apo në rast nevoje e urgjence. Fakti që Presidentit të Republikës nuk i është parashtruar një kërkesë e tillë, provon se miratimi i aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.5, datë 30.9.2013, i Këshillit të Ministrave, nuk ishte aspak një masë e jashtëzakonshme, një rast nevoje  e urgjence.

Por pyetja normale lind: a është paraqitur raporti që përligj shpenzimet financiare mbi buxhetin e shtetit dhe gjendjen ekonomike financiare? A është zgjidhje e drejte dhe e duhur shtyrja e efekteve të ligjit edhe për 6 muaj, nderkohe që kemi një ligj i cili tashme ka 7 muaj që eshte miratuar në parlament dhe ka hyre në fuqi që prej një muaji? A mund të jete argument i vlefshem “koha e pamjaftueshme për të bere rregullime ligjore” ndaj një ligji i cili eshte i  miratuar jo me larg se para 7 muajsh dhe diskutimet mbi të cilin kanë vazhduar mbi disa vite  madje të mbeshtetura dhe nga asistenca e partnerëve tanë ndërkombetarë?!

Me besim se do të kem mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e këtij akti,

Me respekt,

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

BUJAR NISHANI

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?