MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Nuk ka shpresë kur gjeneratat e reja politike i caktojnë ata që duhet të ikin - Thesari

E Premte 09 Dhjetor, 2016
Nuk ka shpresë kur gjeneratat e reja politike i caktojnë ata që duhet të ikin

basha-rinia

Lulzim Basha u bëri thirrje të rinjve që të marrin në dorë fatin e vendit. Ashtu si 26 vjet më parë. Këto thirrje retorike i dëgjojmë nga çdo parti opozitare, të cilat pasi vijnë në pushtet shkelin jo vetëm demokracine brenda tyre por kufizojnë edhe demokracinë dhe liritë e tjera.

Personalisht jam i neveritur nga klasa politike që ka qeverisur dhe qeveris këtë vend. Jo sepse është vjetëruar, pasi moshën dhe eksperiencën në politikë nuk i quaj problem por vlerë dhe kapacitet. Por jam i neveritur nga fakti se kjo kastë politikanësh, është përgjegjëse këmbë e kokë për të këqijat që i janë bërë këtij vendi e këtij populli dhe pikërisht për këtë ajo duhet të largohet. Duhet të largohet se është e korruptuar, është e kriminalizuar, është e sponsorizuar nga paratë e krimit, korrupsionit dhe koncesionet e dyshimta me paratë publike.
PD-ja që sot po kërkon të bindë popullin t’i besojë pushtetin, ka ende në radhët e saj shumë prej kësaj kaste hajdutësh që kanë lënë ende rrugëve autostradat e vendit si pasojë e tenderave-pazare që bënë kur ishin në pushtet.

Ka ende ish-ministra, ish-deputetë, deputetë apo që presin të bëhen të tillë, që kanë qenë etaloni i hajdutërisë. Dhe Basha duket se është në një përpjekje të vështirë për ta larguar këtë gardë, pa shkaktuar ndonjë rebelim të brendshëm, i cili në fakt duhej të ishte bërë dhe që do t’i kishte hapur udhë rigjenerimit të partisë. Por Basha mesaduket revolucionin e ka lënë ta bëjë në zgjedhje, ku mund të humbë zgjedhjet por shpreson të fitojë partinë.
Megjithatë ajo që më shqetëson më shumë është fakti se liderët e politikës marrin përsipër të bëjnë edhe rifreskimin e partive. Ata caktojnë gjeneratat. Dhe rreziku i kësaj praktike është që të rinjtë që ofrojnë ata do të jenë po njësoj.

Sepse këta ta rinj janë produkte të të njëjtës organizatë, janë frymëzuar nga të njëjtat ideale, janë frymëzuar nga të njëjtët idhuj dhe modele politikë.
Po, politika ka nevojë urgjente për rini, por JO për rininë që ka bërë shkollën e forumeve rinore të partive që kanë lënë bangat e shkollës për të shkuar në mitingje me shpresën se aty do të gjejnë vende pune pa meritë dhe favore të tjera; JO për te rinj që rreshtohen në listat e forumeve partiake deri dhe për të marrë provimet pa shkuar në shkollë, apo të atyre që bëhen drejtorë dhe deputetë që 22 vjeç, pse babai është sponsor i partisë.
Shqipëria ka nevojë për formacione të reja dhe prurje te reja, por ato mos i caktoi ju.

Ju krijoni lirinë e nevojshme, lërini të rinjtë të vetëorganizohen, ndryshoni ligjin elektoral, bëni transparencë të financimeve, pra hiqni mekanizmat përmes të cilëve i shtypni kokën çdo përpjekjeje të re politike që cenon establishmentin tuaj. Shoqëria është e neveritur nga kjo klasë politike, por ajo ka nevoje të jetë e lirë t’i prodhojë vetë njerëzit e të ardhmes dhe jo t’i caktoni ju si trashëgimtarët tuaj.

fb/mentor.kikia

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?