MENU
Thesari.com © 2001 - 2020

Procedura se si do të bëhet kompensimi i ish-pronarëve - Thesari

E Dielë 08 Dhjetor, 2013
Procedura se si do të bëhet kompensimi i ish-pronarëve

akkp.gov.al

Në 20 dhjetor rinisin pagesat për ish-pronarët

Masa e kompensimit për 2013-ën

Moskthimi i përgjigjeve nga Zyra Vendore e Regjistrimi të Pasurive të Paluajtshme ka detyruar Agjencinë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave të rishqyrtojë edhe një herë kërkesat e ish-pronarëve. Për pronarët, të cilëve u është njohur prona për kompensim, së pari kërkohet që vendimi i njohjes së pronës dhe i të drejtës së saj për kompensim të jetë përfundimtar, pra të mos jetë në proces trajtimi administrativ apo gjyqësor dhe të jetë i ekzekutueshëm. Do të kërkohet që vendimi me të cilin aplikohet të mos jetë trajtuar më parë me kompensim si në të holla, ashtu edhe fizik. Nuk do të përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuara, që kanë përfituar më parë kompensim të plotë apo të pjesshëm me vendimin më të cilin aplikojnë. Ky kufizim është i nevojshëm me arsyetimin, që fillimisht duhet të përfitojnë edhe subjektet e shpronësuar apo trashëgimtarët e tyre ligjorë, të cilët nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme. Kompensimi i pronës së llojit truall do të kryhet në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet.

Kompensimi

-Për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 (një mijë e pesëqind) m², masa e kompensimit është 200 (dyqind) m².

-Për pronat e njohura për kompensim mbi 1500 (njëmijë e pesëqind) m² deri në 3000 (tre mijë) m², masa e kompensimit është 300 (treqind) m².

-Për pronat e njohura për kompensim mbi 3000 (tre mijë) m² deri 5 000 (pesë mijë) m², masa e kompensimit është 400 (katërqind) m².

-Për pronat e njohura për kompensim mbi 5000 (pesë mijë) m² deri në 10 000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit është 500 (pesëqind) m².

-Për pronat e njohura për kompensim mbi 10.000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit është 600 (gjashtëqind) m²

Vendimi

Në vendimin nr. 1310 të AKKP-së, i miratuar në datën 20 nëntor, shtyhet me 30 ditë afati për kompensimin e pronarëve, që do të thotë se pagesat nuk do të bëhen para datës 20 dhjetor. “Në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, duke u nisur nga situata e krijuar si rezultat i mosardhjes së përgjigjeve nga ZVRPP-ja, nga institucionet e treta si dhe nga një sërë vështirësish administrative të krijuara gjatë kësaj periudhe në ZVRPP, duke na krijuar vështirësi për marrjen e një vendimi përfundimtar, me objekt kompensimin në të holla për pronën e njohur me vendim për t’u kompensuar, është e nevojshme marrja e një vendimi të ndërmjetëm për të gjitha dosjet e kompensimit dhe ky vendim ka si objekt “Shtyrje e afatit procedural për kërkesat me objekt kompensimi në të holla, nga fondi në të holla për vitin 2013”, – thuhet në vendimin e ndërmjetëm të miratuar nga Sonila Qato, drejtore e AKKP-së.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?