MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Protestat dhe histeria kolektive - Thesari

E Premte 15 Nëntor, 2013
Protestat dhe histeria kolektive

mimoza-dervishi

Është fitore e madhe morale, lirie, demokracie, të shohësh Sali Berishën të ekzaltuar në mes të turmës, dhe m’u para hundës së tij, të rinj që e përqeshin, e tallin, e përzënë. Vetëm katër muaj më parë kjo ishte diçka e paimagjinueshme!

Kaq kam arritur të marr nga protestat e shqiptarëve këto ditë. Dhe personalisht mendoj se ky ishte thelbi i gjithë protestës. Shqiptarëve u doli më në fund frika!

Ky është lajm i madh për një shoqëri që është vrarë e gjakosur kur ka protestuar dhe të nesërmen është mbyllur në shtëpi. Është lajm i gëzueshëm për një shoqëri që paska ndjenja, që jo më larg se dy vjet më parë, kur i vidheshin votat në mes të Tiranës, thjesht ishte një spektatore “futbolli” e habitur, dhe pse jo e dëshpëruar. Aq më patriotik dhe i gëzueshëm bëhet lajmi i protestave, kur mendon që për pak sa nuk iu dha deti Greqisë, për hiç mos gjë, thjesht për ca marrëdhënie personale të ish- kryeministrit me një shtet që nuk e kemi parë ndonjëherë as të luftojë, as të ngrejë zërin për shqiptarët në arenën globale.

Protestat janë demokraci, qoftë dhe kur një njeri i vetëm proteston. Rrugëve të Uashingtonit ka shumë të tilla, për çdo gjë, për gjithçka, përditë.

Por dua të ndaj një moment tjetër nga ato që po ashtu ndodhin këtu përditë. Sot në mëngjes në kafene, në radhë para meje ishin dy gra, njëra veshur për të shkuar në zyrë dhe tjetra me uniformen amerikane ushtarake. Zonja e zyrës me dashamirësi ju kthye ushtarakes dhe i tha: “më lër të paguaj kafen tënde sot”. Nuk njiheshin, ia mësuan emrat njëra- tjetrës aty. Ishte një nga ato momentet e vogla, detajet e papaguara të ditës, që në fakt janë thelbi i një kombi me dinjitet dhe një kombi me zemër të madhe.

Uniformën e gruas para meje e kam parë dikur ndoshta për herë të parë kur NATO, udhëhequr nga amerikanët, bëri atë që tani të gjithë e dimë, në Kosovën e vitit 1999. Nuk kam qenë në Amerikë në ato kohë dhe nuk e di nëse do ndeshja momente të tilla në Starbucks, por një gjë e di ama, që amerikanët me taksat e tyre të përditshme, bënë të mundur çlirimin dhe më pas ekzistencën e një shteti, që pothuaj shumica e tyre as e dinte se ku binte. Nuk e gdhinë në protesta para Shtëpisë së Bardhë, pse po çonin fëmijët në luftë, për një komb që s’e njihnin, pse po paguanin nga xhepi për një luftë që mund të mos kishte fare kuptim për ta. E megjithatë përtej xhepit të tyre të përditshëm, ata mendojnë dhe besojnë se lufta për Kosovën ishte një luftë e drejtë për të drejta njerëzore dhe për t’i thënë ndal shfarosjes.

Sot është kohë krize në Amerikë, por televizionet më të fuqishme amerikane kanë drejtuar dritat dhe çuar njerëzit e tyre më të rëndësishëm në Filipine. Po ashtu dhe ndihma, pa fund ndihma. Nuk i di statistikat në mënyrë ekzakte, por di me siguri, që nuk ka vend në botë t’ia kalojë Amerikës për ndihma humanitare kudo ka ku nevojë, jo vetëm për ushqim, por mbi të gjitha për pak liri.

Mos keqkuptohemi, kjo nuk është një letër dashurie për Amerikën, të cilën do ta bëja në çdo kohë, me një të rrahur të zemrës.

Kjo është një letër për bashkëqytetarët shqiptarë, që herës tjetër, të dinë të thonë jo, edhe me dinjitet. Sot, me gjithë vlerat e mëdha që i kanë shtuar demokracisë përmes protestave dhe kauzës se tyre, duhet ta përmbajnë veten kur klasifikojnë armiqtë. E sidomos kur kërkojnë të shpallim ambasadorin amerikan armik të shtetit. Të bësh sikur nuk e kupton që ambasadori amerikan flet në emër të shtetit që përfaqëson dhe personalisht në emër të presidentit Obama, është të bësh strucin, ose në shqip skuthin. E kanë detyruar dhjetëra, dhjetëra herë ambasadorin, të shpjegohet që është përçues i politikës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe nuk e ka luksin të flasë nga xhepi. Gjithashtu ai do vazhdojë të jetë ambasador i SHBA në Shqipëri deri minutën e fundit të mandatit të tij. Të marrësh krahë nga fakti që mandatit të tij po i vjen fundi, dhe të pretendosh që s’na e ka fajin Amerika por Arvizu, është tipike burracakëri shqiptarësh. Në anglisht thuhet: COËARD.

Por kjo që po ndodh, tregon sa e lehtë është të kalosh nga demokracia dhe ushtrimi i lirisë tënde, në propagandë komuniste dhe në cenim të lirisë se tjetrit. Fakti që shqiptarët hidhen: o në njërin krahë pa masë, o në tjetrin, po pa masë, është gjithashtu shprehje papjekurie. Nuk do doja të thosha mosmirënjohje. Midis njëri- tjetrit, në raporte shoqërore por dhe më gjerë, ndoshta e dimë mirë në jemi në thelb mosmirënjohës a jo. Por kjo është temë tjetër, jo aq globale sa tema e protestave të sotme. Dhe meqë jemi tek globalizmi, shqiptarët duhet besoj ta dinë, se pjesë e globales, nuk bëhesh thjesht duke pasur një llogari në Facebook, duke komentuar mbarë e mbrapsht nëpër forume apo duke marrë pjesë në “Big Brother”.

Kur Shqipëria u fut në NATO, ajo kishte një ushtri qesharake me ushtarë që bënin stërvitje me shapka. Edhe akoma e ka. Shqipëria nuk ka mundësi të çojë avionë apo tanke aty ku NATO shkon, aq më pak mundësi të çojë ndihma humanitare. E kanë pyetur ndonjëherë veten shqiptarët se cili është kontributi i tyre real në këtë aleancë botërore? A kanë ndonjë detyrim prej vërteti apo thjesht në konceptin shqiptaresk, Aleanca është vetëm një ofiq dhe shumë privilegje?

Sepse në fund të fundit, lëre Amerikën të lobojë për ne në NATO, në Bashkim Europian, e aq më thellë akoma, lëre Amerikën t’i japë drejtim zgjedhjeve të brendshme. Lërini ata të bëjnë presionin maksimal mbi një hajdut zgjedhjesh si Sali Berisha, që ai mos vjedhë e vrasë sërish. Një nga ekzaltimet më të mëdha të shqiptarëve në prag të 23 qershorit, mbaj mend që kishte të bënte me qëndrimin amerikan dhe me izolimin ndërkombëtar (mundësisht amerikan) të ish- kryeministrit. Kjo u pa si shpresë e madhe se diçka po ndodhte ndryshe. Dhe në fakt ndodhi ajo që të gjithë mezi prisnin.

Nuk kam ndërmend të hyj në pyetjen a duhet apo jo, që lëndët kimike të kalojnë, ç’montohen apo asgjësohen në Shqipëri. Nuk kam si hyj në një debat të tillë pa ditur asgjë. Nuk na dhanë asnjë mundësi të hynim në një debat racional dhe dinjitoz, pasi kërcitën të gjithë si pushka e jevgut. Ata që janë brenda studiove televizive, jo nga dashuria për atdheun, po nga dëshira e papërmbajtur për të gjetur një platformë për të shfryrë për pushtetin që u iku. Se nuk kam si të besoj që sharlatanët e djeshëm, që nuk iu ndje zëri kur shqiptarët vriteshin si dele në bulevard apo hidheshin në erë në Gërdec, janë patriotët e mëdhenj që po parandalojnë rrezikun amerikan për Shqipërinë. Të tjerët jashtë studiove, kanë nevojën e ndrydhur 20- e ca vjeçare, pse jo edhe qindravjeçare, të gjyshërve, nënave, baballarëve, dhe të tyren, për të shfryrë e thithur pak liri. Dhe mirë bëjnë.

Por ama e kam të vështirë ta gëlltis histerinë se Amerika dashka të na shfaroska si komb. Paranojat enveriste me kapitalistët si armiqtë tanë më të mëdhenj, janë jo vetëm qesharake, por tregojnë një cektësi mentale gati të pashpjegueshme. Nuk e di për çfarë e përdorin Facebook-un dhe internetin shqiptarët. Ndoshta vetëm për konkursin mbarëkombëtar “kush bën poza më të bukura”. Nja dy- tre gjëra duhet t’i kishin mësuar sesi funksionon bota, politika, gjeopolitika.

Qoftë dhe përmes Facebook, në thelb të gjithë si komb duhet të disiplinohemi me ato që thjesht quhen, të drejta dhe detyrime. Është shumë e vështirë në fakt t’ia kërkosh këtë një populli që sheh vetëm brenda mureve të apartamentit të tij, do doja shumë të thosha brenda gardhit. Por në fakt, sapo del nga dera e çdo pallati apo shtëpie, sheh plehra gjithandej, sikur ajo copë tokë, ajo copë rrugë, ai qytet a fshat, ku secili merr frymë, të mos ishin pronë e të gjithëve. Unë duhet të jem e gëzuar, kur shoh një ndjeshmëri shumë të lartë ndaj pronës së përbashkët, atdheut, por nuk jam e bindur se shqiptarët janë të ndërgjegjësuar mjaftueshëm. Deri më sot kanë treguar bash të kundërtën. Dhe nuk ka nevojë të vijmë tek armët kimike, pamja e Shqipërisë në çdo cep është drithëruese dhe është kryekëput vepër e njerëzve të saj dhe përditshmërisë së tyre. S’ka lidhje me asnjë bombë atomike.

Marrja në konsideratë e një kërkese nga një aleat kryesor, është detyrimi më bazik që Shqipëria ka. Shqyrtimi i kësaj kërkese, është gjithashtu respektim marrëveshje dhe asgjë më shumë.

Marrja e një vendimi, është padiskutim detyrim i kryeministrit, i cili e do Shqipërinë po njësoj si ata që bërtasin në rrugë. Por në dallim nga ata, ai ka marrë votën, pikërisht për të drejtuar dhe vendosur, sidomos në momente të tilla. Ideja se duhet të dëgjohet sovrani, është sa populiste aq dhe diletante. Nuk është shpikur ende një shoqëri që të funksionojë pa zgjedhje, pa liderë, po thjesht duke bërë sondazhe në popull, e duke marrë vendime. Sondazhi u bë në 23 qershor!

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?