MENU
Thesari.com © 2001 - 2020

Që e shkuara mos të bëhet e ardhme. - Thesari

E Enjte 02 Prill, 2020
Që e shkuara mos të bëhet e ardhme.

IMG-20160401-WA0012[1]

2 prill 1991

2 prilli për një individ si unë, që këtë pjesë të historisë thjesht e ka lexuar, pasi nuk pa pasur moshën për ta përjetuar, është një datë që të kall datën.


Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu
Besnik Ceka, donin të ishin të lirë.
Katër të rinj donin t'i jepnin zë mendimit të burgosur prej gjysmë shekulli në kokë.

Nuk e kam jetuar errësirën gjysmë shekullore të diktaturës, por hamendësoj që shumë njerëz të revoltuar në diktaturë, kanë folur me vete për shumë kohë.

Ai tmerr diktatorial duhet t'i ketë shtrënguar shumë njerëz , t'i besonin veçse monologut të heshtur me veten dhe jo dialogut me zë me dikë tjetër.

Kam përshtypjen se në atë kohë, kushdo vinte në dyshim këdo.

Dhe ajo frikë dhe ai tmerr, që pllakosi shpirtrat e shqiptarëve atë kohë, duket se ngre krye edhe sot.

Para dy muajsh, fëmija e një familjeje të persekutuar (tashmë i bërë burrë) më tha; Kjo kohë vjen era diktaturë.

E tha me po atë siguri, me të cilën mund të shprehet secili prej nesh, kur hap derën e shtëpisë dhe ndien erën e gjellës së preferuar, që po gatuhet me dashuri nga nëna.

Do të ishte pikërisht era e padurueshme e diktaturës që do t'i shtynte katër shkodranët rebelë të revoltoheshin, duke mos e ditur se bashkë me lirinë e fjalës do të flinin përgjithmonë.

Katër djem, katër jetë, katër dhimbje, katër kufoma, ende sot kërkojnë drejtësi.

Fjala 'drejtësi' tingëllon aq e huaj në këtë vend, sa po të mos ishte falë emërtimit zyrtar të disa institucioneve në Shqipëri, me siguri do të ish kthyer në një ' esperanto' të dytë.

Thelbi i bilancit tragjik prej 30 vitesh, është mungesa e drejtësisë.

Mungesa e drejtësisë sjell edhe sëmundjen më të rëndë të njerëzimit " Moralin e sëmurë".

Jemi të sëmurë moralisht. Ndonëse kjo sëmundje nuk na shkakton një dhimbje konkrete fizike, është shkaku i të gjitha dhimbjeve në jetë.

Asnjë shoqëri nuk ka ecur përpara përmes vesit. Ne, deshëm të sfidonim urtinë dhe përvojën botërore dhe të merrnim dhe të ndiqnim me fanatizëm rrugën e vesit dhe përfunduam këtu ku jemi.

2 prilli duhet të shërbejë jo veçse si një datë përkujtimi, por edhe si një datë reflektimi.

30 vite peshojnë rëndë mbi shpinën e çdo shqiptari.

Partitë politike në vend, pa asnjë përjashtim janë përgjegjëse për këtë bilanc tragjik pas 30 viteve.

Shoqëria shqiptare është përgjegjëse po ashtu. Kjo datë na bën të gjithëve përgjegjës.

Dikush është përgjegjës se ka heshtur, dikush tjetër se nuk marrë vendimin e duhur, dikush tjetër se nuk është përfshirë.

Forcat politike në vend duhet të shqyrtojnë të shkuarën e tyre, në rast se nuk duan ta përsërisin atë.

Të bëjnë një " Mea Culpa" para popullit shqiptar, i cili ka të drejtën ta pranojë ose ta refuzojë ndjesën e tyre.

Shoqëria shqiptare ndërkohë duhet të zhvillojë shqisën e protestës.

Ne, në të vërtetë duam më të mirën për vendin tonë, por lind pyetja; Sa kemi investuar ne, për të pasur më të mirën?!

Më e mira nuk ka zbritur kurrë nga qielli në asnjë vend. Më e mira ka qenë gjithmonë produkt i një investimi të gjatë njerëzor në protesta dhe qëndrime.

Të mos pajtohemi me të keqen. Të mos shndërrohemi në qenie partiake, as në të tashmen dhe as në të ardhmen.

Padrejtësia nuk ka ngjyrë. Ajo është e denjë për t'u dënuar kurdo.

Të rifitojmë dinjitetin qytetar. Duke rifituar dinjitetin qytetar, sfidojmë çdo individ të veshur me pushtet që ka prirjen për t'u kthyer në diktator, në të tashmen apo në të ardhmen.

Dinjiteti qytetar është pushteti dhe forca jonë dhe mënyra më e mirë ,për të përkujtuar ata katër djem që u kthyen në shpirtra qiellorë në emër të lirisë.

Post Scriptum- 2 prill 1991- 2 prill 2020
Që e shkuara mos të bëhet e ardhme.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?