MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Rama bllokon kandidaturat për drejtorët në qarqe, rrëzon propozimet e asambleve të PS - Thesari

E Dielë 03 Nëntor, 2013
Rama bllokon kandidaturat për drejtorët në qarqe, rrëzon propozimet e asambleve të PS

EDI-RAMA-SHERR

Kryeministri Edi Rama, ka urdhëruar bllokimin e të gjitha kandidaturave, të miratuara gjatë mbledhjeve të asambleve të Partisë Socialiste në rrethe, çka ka sjellë tensionimin e drejtuesve të partisë.

Partia Socialiste e qendrës nuk ka konfirmuar asnjë nga propozimet e asambleve të PS në rrethe për në krye të drejtorive kryesore në qarqe. Kryeministri Edi Rama, ka urdhëruar bllokimin e të gjitha kandidaturave, të miratuara gjatë mbledhjeve të asambleve të Partisë Socialiste në rrethe, çka ka sjellë tensionimin e drejtuesve të partisë. Vendimi për propozimet e asambleve do të merret vetëm pas verifikimit të pastërtisë së kandidaturave. Aktualisht një grup në selinë rozë po verifikon dëshmitë e penalitetit të kandidatëve dhe raportin e tyre me detyrat shtetërore në të shkuarën. Emrat e propozuar po verifikohen për të kaluarën e tyre në raport me detyrën dhe ligjin. Sipas burimeve, nuk do të pranohet asnjë kandidaturë e dënuar apo që është lakuar për afera korruptive. Po ashtu, po verifikohet nëse profesioni i emrave të propozuar përputhet apo jo me postin.

Bllokimi

Disa ditë pas konstituimit të qeverisë së re, asambletë e PS në rrethe u mblodhën për zëvendësimin e drejtorëve të Sali Berishës në të gjithë sektorët dhe drejtoritë rajonale. Në vend të drejtorëve të PD, asambletë e PS miratuan kandidaturat për drejtorë të rinj, të cilët përgjithësisht ishin drejtues dhe anëtarë të degëve të Partisë Socialiste në rrethe. Kandidaturat shkuan në qendër për konfirmim. Por, ka ndodhur ajo që s'pritej. Sipas burimeve të sigurta brenda selisë rozë, kryeministri Rama ka bllokuar kandidaturat, duke e hedhur poshtë këtë praktikë të të emëruarit nga strukturat e partisë. Madje, Rama ka kundërshtuar edhe mbledhjen e asambleve në rrethe për emërimet e reja. Kryeministri Rama u ka kërkuar drejtuesve të lartë të PS dhe krerëve të partive në rrethe t'i japin fund kësaj praktike, e cila diskretiton mazhorancën në sytë e ndërkombëtarëve. Çështja e mbledhjeve të asambleve të PS dhe emërimet e reja, ishin objekt debatesh edhe në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar socialist.

Udhëzimet

Sipas burimeve, kryeministri Rama u ka kërkuar drejtuesve të lartë të PS sipas qarqeve përkatëse, që në drejtoritë rajonale të zgjidhen njerëzit e përshtatshëm, ku kriter bazë duhet të jetë profesioni dhe kualifikimet dhe jo përkatësia partiake. Ky vendim ka sjellë tensionimin e drejtuesve të PS në rrethe, të cilët e kanë ndarë pushtetin në zonat e tyre me njerëzit që kanë dhënë kontributin kryesor për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 23 Qershorit. Ata kanë paralajmëruar deputetët e zonave, se bllokimi dhe rrëzimi i kandidaturave do të kishte pasoja fatale për PS në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ndërkaq, presioni i simpatizantëve të PS për vende pune është i jashtëzakonshëm. Ndryshe paraqitet situata në LSI, e cila ka një mënyrë tjetër për menaxhimin e pushtetit. LSI pothuajse i ka prezantuar drejtorët kryesorë, ndërsa po akomodon edhe njerëzit e saj në nivelet e tjera të administratës.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?