MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Biznesmeni që vjedh 40 milionë dollarë - Thesari

E Martë 24 Dhjetor, 2013
Biznesmeni që vjedh 40 milionë dollarë

erion-brace

Deputeti socialist Erion Braçe mbrëmë në parlament kritikoi ish-kryeministrin Berisha, por edhe qeverinë e majtë për favorizime

Monopol tek shënjimi i naftës, tek pullat fiskale dhe në portet e vendit, prej një njeriu të vetëm në Shqipëri

Mbrëmë, një deputet kurajoz brenda PS-së, i cili për nga natyra nuk pranon asnjë kompromis me parimet, i quajtur Erion Braçe, foli gjatë seancës parlamentare të mbrëmjes me një ton, i cili sikur kishte mbi supe edhe 1 milion vota të majta të 23 qershorit, pra deputeti sulmoi monopolin e një biznesmeni që po bën ligjin e që financon edhe një media saliste.

Deputeti socialist e ngriti zërin duke iu drejtuar ministrave të tij, mazhorancës, ish-ministrave të PD-së se një biznesmen vjedh 40 milionë dollarë në një vit nga xhepat e shqiptarëve. Ai tha se këto dollarët duhej të shkonin në Buxhetin e Shtetit si tarifa, por që përfundojnë tek biznesmeni, emrin e të cilit ai deklaroi se do ta thoshte në fund të seancës, nëse nuk ka reagim nga ish-kryeministri Berisha që ia ka dhënë këto monopole, por ishte edhe si paralajmërim edhe për kryeministrin Rama, pasi akoma biznesmeni i gëzon këto monopole.

Redaksia e gazetës "Koha Jonë" e priti deri në mesnatë, porse parlamenti vazhdonte, siç duket dhe sot në mëngjes herët, çka nuk e arritëm të mësonim nga goja e deputetit kush është ky biznesmen që ka bërë ligjin në kohën e qeverisë Berisha, por edhe në këto 100 ditë të qeverisjes së Edi Ramës. Erion Braçe theksoi në parlament në mënyrë të drejtpërdrejt se "Koncesioni i ngjyrosjes së karburantit është një monopol i pastër, përmes të cilit ju si qytetarë iu paguani 3 lekë për litër sipërmarrësve të karburanteve dhe që nuk shkon në arkën e shtetit, asnjë qindarkë nuk shkon.

Po i pyes këtu qeveritarët e sotëm dhe ish-qeveritarët e PD-së, a dini të thoni emrin e sipërmarrësit që merret me këtë punë apo jo?! E kanë detyrim ta thonë; 10 milionë dollarë ikin në vit për këtë koncesion. I paguani ju, njerëz të nderuar, të gjitha këto lekë, por që nuk përfundojnë në xhepin e Shtetit që të kthehen në rrugë, spitale, ujësjellës etj. Por i merr një njëri, emrin e të cilit do ta them në fund të seancës. Prapë një fakt tjetër nga ky biznesmen, pasi ai ka edhe koncesionin e pullave fiskale për gjithë Shqipërinë. Edhe ky monopol i pastër, edhe ai me tarifa gramatikisht të larta, edhe ai në kurriz të qytetarëve. Prapë ky biznesmen i merr 15 milionë dollarë të tjera në vit, pra 15 milionë dollarë që dalin nga ju o njerëz dhe shkojnë në xhepat e këtij biznesmeni. Prapë është i njëjti njëri që i përlan këto miliona dollarë! Po ju pyes edhe një herë: E dini nën emrin e kujt është ky koncesion?

E keni detyrim ta thoni se iu merrni qytetarëve 15 milionë dollarë vetëm për pulla fiskale dhe vini e flisni për akcizën e cigareve, ju të PD-së. E njëjta gjë është dhe me koncesionin e skanimit në portin e Durrësit. Foli më parë ministri Koka këtu dhe ua bëri të qartë çfarë i keni bërë portit të Durrësit. Ju keni qenë ish-ministra, keni dhënë me koncesion, në monopol të pastër, të gjitha objektet në portin e Durrësit. Janë 15 milionë dollarë të tjera që u merren qytetarëve për çdo deklaratë doganore me vlerë mbi një mijë euro, përfshirë dhe deklaratat e qytetarëve që vijnë tani për festa.

Pra, janë gjithsej 40 milionë dollarë taksa të drejtpërdrejta që ua merrni qytetarëve dhe nuk shkojnë fare në arkën e shtetit, por në xhepin e këtij biznesmeni që ju zotërinj ish-qeveritarë të PD-së ia keni dhënë atij në vend që t'i arkëtonte Shteti si shërbim. Po ju pyes prapë: e dini emrin e biznesmenit që merret me kalimin në të gjitha pikat doganore në Shqipëri?! Përgjigjuni para qytetarëve për transparencë! Keni kohën e mjaftueshme, derisa në fund fare të seancës unë do t’ju them se kush është ky biznesmen që merr 40 milionë dollarë në një vit për vete, ndërkohë që Shteti i humbet këto dollarë që mund t’i kthente në shërbime për qytetarët".

Fjala e deputetit Braçe shkaktoi qetësi të madhe në sallë, aq sa të gjithë ish-ministra dhe ministra kishin ulur kokën para një fakti të tillë drithërues, që nëse është i vërtetë (pa vënë në dyshim fjalën e zotit Braçe) ka nevojë për reagim qeveritar. Dhe nëse edhe pas këtij denoncimi të fortë të deputetit të PS-së nuk ka përgjigje nga Qeveria, atëherë pikëpyetjet janë edhe më të mëdha, duke krijuar dyshime të mëdha se biznesmeni që, siç thotë Braçe, ka blerë gjithçka në këtë vend; politikën, qeveritë, median, prokurorinë, gjyqësorin. E nëse vërtetohet se kryeministri Rama nuk reagon për këto fakte të deputetit të tij, atëherë gishtin tregues do ta drejtojmë nga Edi Rama! Sali Berisha iku, pasi veproi në atë mënyrë që tha deputeti Braçe, ndaj duhet medoemos që Edi Rama të tregojë se nuk pyet për asnjëri që shkel ligjin , që krijon monopole dhe që blejnë gjithçka.

Kryeministri Rama ndodhet para një fakti tashmë të bërë publik nga një deputet i parlamentit, një deputet i partisë së tij, si dhe para 1 milion votave që duan përgjigje! Por edhe para atyre të tjerëve që nuk e votuan, por që nuk dinin se çka bërë pushteti i Berishës me paratë e tyre si taksapagues. Edi Rama është në udhëkryqin e madh ku do të ndahet vendosmëria e tij për të bërë Shtet dhe dilema se mos prish pushtet, duke shkatërruar mafio-pushtetin e një grupi biznesmenësh, të cilët po presin se kur mund të fusin "fishën e korrentit" tek priza e pushtetit të ri.

Edi Rama është nën vëzhgim mediatik e të parlamentit, nëse ka fuqi t’i presë këto fije të rrezikshme që, sipas deputetit të PS-së, Erion Braçe, janë krijuar në kohën e qeverisë së Sali Berishës, por që po rrotullohen edhe në oborrin e ndonjë ministrie të kabinetit të tij.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?