MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Jo rikthim në traditën e qeverisjes së Nanos! - Thesari

E Premte 25 Tetor, 2013
Jo rikthim në traditën e qeverisjes së Nanos!

FATOS-NANO-800x533

Në deklaratën për shtyp që bëri Zëdhënësja e Grupit Parlamentar të PD-së, deputetja Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë se "për herë të parë në Shqipëri ne kthehemi 10 vite pas, ku borxhi nuk përdoret më për investime, ashtu siç i takon të jetë, por do të përdoret ekskluzivisht për shpenzime operative”. Por Tabaku nuk tregoi sesi është përdorur borxhi publik në vitet e qeverisjes së PD-së.

Në fakt, gjatë periudhës 31 dhjetor 2005 – 30 qershor 2013, borxhi jo vetëm nuk është përdorur për shpenzime rutinore operative, por ka mbuluar vetëm treçerekun e shpenzimeve kapitale (për investime publike). Kështu, stoku i borxhit publik në këtë periudhë u rrit 404 miliard lekë (rreth 4 miliard dollarë), ndërsa shpenzimet për investime publike ishin 540 miliard lekë (rreth 5.4 miliard dollarë). Pra, me të ardhurat e vetë buxhetit janë mbuluar të gjitha shpenzimet rutinore operative, si dhe rreth 1.4 miliardë dollarë shpenzime për investime.

Rishikimi emergjent që i bëri qeveria buxhetit për tremujorin e fundit, mund të justifikohet me borxhet e pashlyera ndaj biznesit, që sipas saj kapin vlerën rreth 0.5 miliardë dollarë. Gjithashtu, mund të justifikohet me mungesën e eksperiencës së drejtoreve të reja të doganave e tatimeve (të cilat ende vazhdojnë të merren me Fejsbukun). Por projekt-buxheti i vitit 2014, i cili është në hartim e sipër,  duhet të vazhdojë traditën e mirë të marrjes borxh vetëm për investime, e jo për shpenzime rutinore operative. Madje duhet të vazhdojë edhe traditën e mbulimit të një pjese të investimeve me të ardhurat e vetë buxhetit.

Qeveria aktuale mund të ketë kritika për efektivitetin ekonomik të investimeve prej 5.4 miliard dollarë që kreu qeveria parardhëse. Gjithashtu, mund të ketë kritika për mënyrën e shpërndarjes së tyre në territorin e vendit. Madje, mund të ketë kritika edhe për abuzimet me to. Por një gjë nuk mund t’ia mohojë qeverisë së shkuar – në politikën buxhetore ajo u dha prioritet investimeve dhe jo shpenzimeve rutinore operative.

Pavarësisht kritikave ndaj qeverisjes së Berishës, duhet thënë se gjërat nuk mbetën njëlloj si në kohën kur qeveriste Nano. Kështu, gjatë qeverisjes së Berishës, edhe pse buxheti i shtetit u luhat në nivelin 26-29 përqind të Produktit të Brendëshëm Bruto, raporti mes investimeve publike dhe shpenzimeve operative u përmirësua ndjeshëm.

Gjatë qeverisjes së Nanos, investimet publike mezi arritën të ngjiten deri në nivelin 15% të buxhetit të shtetit, ndërsa gjatë qeverisjes së Berishës, kapën edhe nivelin 33% të buxhetit në vitin 2008. Dhe investimet, sado që mund të shpërdorohen gjatë tenderimeve, trupëzohen në objekte që kanë jetë të gjatë. Ndërsa shpenzimet operative treten në xhepat e zyrtarëve, në serbatorët e makinave shtetërore, në impulset e celularëve, etj. etj.

Një rikthim në traditën e qeverisjes së Nanos nuk do të ishte veçse një Rilindje e Nanos në petka të tjera...  

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?