MENU
Thesari.com © 2001 - 2020

Kolopuçi i KLD-së - Thesari

E Mërkurë 04 Dhjetor, 2013
Kolopuçi i KLD-së

04-dhjetor-2013-724x1024

Dje duhet të ketë qenë një ditë e zymtë, gati-gati e papërballueshme për Bujar Nishanin. Paradite, ai ka mësuar se këshilltari i tij për marrëdhëniet me publikun, ishte nisur drejt policisë së Tiranës, për t’u marrë në pyetje si i dyshuar në disa afera korruptive të konsumuara që në kohën kur punonte në Ministrinë e Brendshme së bashku me Nishanin. Në drekë Presidentit i duhej të mblidhte KLD-në, një mbledhje e detyruar nga skandali i plasur në sistemin e drejtësisë pas fakteve dhe video-filmimeve të kryera nga emisioni “Fiks Fare”. KLD-ja u mblodh, shkarkoi gjykatësin e Pukës që hetoi emisioni i “TCH” por…ajo që doli nga mbledhja e KLD-së ishte një situatë ku e ku më e rëndë se sa rrjeti i mitmarrjes që u zbulua në Pukë. KLD-ja shpërndau dje një  raport që evidentonte gjendjen e gjyqësorit në Shqipëri dhe të situatës me krerët e gjykatave. Përmbajtja e këtij raporti e kthen ekspozimin e tij nga vetë KLD-ja në një “autogol” të rëndë, pasi nuk ka nevojë për defter e kalem për të zbërthyer këtë raport. Dokumenti flet aq qartë…sa vetëm KLD-ja mund të ketë aftësinë për të mos ia dëgjuar oshtimën. Situata përmblidhet në pak fjalë kështu: Nga 23 gjykata të shkallës së parë që ka ky vend, 14 prej tyre i kanë kryetarët “pezull”, të komanduar ose jashtë afateve. E njëjta situatë vijon dhe me gjykatat e Krimeve të Rënda. Ndërsa për Gjykatat e Apelit, nga 7 të tilla vetëm njëra prej tyre ka kryetar që funksionon sipas ligjit. Sa i përket gjykatave administrative, nuk gjendet asnjë kryetar i vetëm që ushtron këtë funksion me kompetencë të plotë. Më pas shkojmë tek emrat e gjykatësve, në pjesën dërrmuese të tyre ata janë njerëz të infiltruar në sistemin e drejtësisë pas vitit 2008 dhe janë lidhje të ngushta të Shkëlzen Berishës dhe të Argita Berishës. I kanë borxh karrierën dhe pasurimin fëmijëve të ish-kryeministrit, e kanë lidhur besën fort me ta. Shembulli dhe treguesi më spektakolar është ai i Joana Qeleshit, e komanduar si kryetare e Gjykatës së Durrësit. Qeleshi ka punuar deri në vitin 2010 në zyrën avokatore të drejtuar nga Argita Malltezi dhe Flutura Kola. Ishte ajo vajza e “vogël” që sapo kishte mbaruar studimet dhe që atëherë Argita dhe Flutura e dërgonin në QKR, taksa e tatime që të dorëzonte dokumentet të cilat duhej të regjistronte kjo studio. Emri i saj dilte thuajse në çdo akt të QKR-së kur media nisi botimin e dosjes Fazlliç në vitin 2008. Joana Qeleshi është një person që di shumë nga sekretet e ruajtura me fanatizëm të vajzës së ish-kryeministrit. Është ndër më të besuarat e Familjes. Mjafton vetëm komandimi i saj në një gjykatë tepër të rëndësishme si ajo e Durrësit, që KLD-ja, e gjitha, pa asnjë përjashtim të askujt, të na sqarojë se mbi ç’bazë u zgjodh zonja Qeleshi. Çfarë kishte aq mbresëlënëse në CV-në e saj? Si e besuan një gjykatë me punë tepër voluminoze dhe me dosje të rëndësishme në duart e kësaj vajze? KLD-ja ka detyrimin të thotë gjithashtu se përse mbahen të varur dhe si në “çengel” krerët e disa gjykatave prej më shumë se 3 vitesh, kur mandati i një kryetari gjykate është 4 vite. Zor se mund të gjendet një justifikim racional që do shpjegonte pamundësinë e KLD-së për t’i dhënë drejtim kësaj situate. Duket si një skemë e mirë organizuar për të mbajtur me çdo kusht “njerëzit e besës” në kreun e gjyqësorit. Është një skemë që do turpëronte çdo President Republike që njëkohësisht është dhe kreu i KLD-së. Por gjurmët dhe tentakulat e Familjes së ish-kryeministrit janë të ngulura shumë më thellë nga ç’mund të vërtetojë ky raport i KLD-së. Për shembull pjesa dërrmuese e stafit drejtues dhe të pedagogëve në Fakultetin Juridik të Tiranës janë po ashtu  të uzurpuara nga “ma t’besuarit e krejtave”. E njëjta situatë paraqitet dhe në shkollën e Magjistraturës. Pra, Familja, jo vetëm mban aktualisht gjyqësorin nën zaptim dhe kontroll arbitrar, por kontrollon në mënyrë integrale dhe kapilare edhe “filizat e ardhshme” të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Praktikisht situata tregon se kanë arritur jo vetëm ta pushtojnë sistemin por edhe të sigurohen se do e mbajnë gjatë nën zgjedhë. Duke parë këtë realitet, do ishte paradoks dhe idiotësi t’ia besoje mëkëmbjen e sistemit dikujt si Presidenti Bujar Nishani. Ai është  thjesht një kolopuç  që bën si i thonë, është shumë i vockël përballë këtij pushtimi të madh, është pjesë e ingranazhit që tjetër kush ia tërheq fijet, asgjë më tepër.  Ndaj dhe rrugët bëhen të qarta: Ose ky sistem do na mbajë të gjithëve nën zgjedhë dhe të ngujuar, ose këtij sistemi i do dhënë derma një orë e më parë, nga themelet. Çdo manovër tjetër do ishte lojë kolopuçësh.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?