MENU
Thesari.com © 2001 - 2020

Lojrat me fatin - Thesari

E Premte 25 Tetor, 2013
Lojrat me fatin

slot-machines

Duhet pranuar se mjafton vetëm termi “aksion”, që ashtu si “fushata” e fjalë të tjera të ngjashme, të të ngjallet njëfarë alergjie. Për sqarim, njerëzve të këtij vendi nuk besoj se antipatia u vjen nga aksionet e dikurshme të detyruara vullnetare të diktaturës, por nga abuzimi i lodhshëm me këtë nocion gjatë epokës demokratike. Reformat, aksionet, fushatat e policisë për mbledhje armësh, “operacionet” kundër Lazaratit, uraganet e furtunat në drejtësi, shëndetësi, arsim etj, sidomos me ardhjen e një qeverie të re ose të një titullari rishtar dikasteri, e kanë bërë bajate këtë histori. Ndaj nuk është për t’u çuditur që ashtu si kafenetë e dikurshme reale, edhe kafenetë e sotme virtuale gëlojnë nga dyshimet, paralelisht përgëzimeve, për aksionin e ministrisë së Brendshme ndaj lokaleve të paliçensuara të lojrave të fatit. Por le të shohim disa detaje që i paraprinë dhe shoqëruan këtë aktivizim gjigand të policisë.

Fillimisht, ministri Tahiri deklaroi se humbjet e buxhetit nga mosarkëtimi i taksave nga këto lojra, kapin një shifër mbi 120 milionë dollarë vetëm për këtë vit. Shifra është domethënëse, aq më tepër për një qeveri që pikë të parë dhe më urgjenten e rendit të ditës, ka parametrat alarmantë financiarë që ka trashëguar. Realiteti “tjetër”, ai që dimë të gjithë, është gjithashtu për të vënë duart në kokë: Biznesi i lojrave të fatit që lulëzoi vitet e fundit, në shumë raste kontrollohet nga njerëz të ose pranë pushtetit të kaluar, duke paguar taksa minimale ose hiç fare, dhe kusuret i paguanin ata të “gënjyer” që hapnin lokale të ngjashme pa patur mbështetjen e duhur. Fakti që pas disa shkarkimeve të përveçme me akuzën e dekonspirimit të aksionit, Tahiri konkludoi se duhej shkrirë totalisht Antikrimi Ekonomik në të gjithë vendin, si sehirxhi (në mos i vajosur me bakshishe) ndaj këtij fenomeni, nuk ka nevojë për shumë koment.

Historia e bixhozit elektronik në Shqipëri, zuri fill rëndshëm pikërisht në kohët kur Greqia, por edhe Italia, nisën dhjetë e kusur vjet më parë t’i çmontojnë këto lokale, të alarmuara nga përhapja që kishin marrë. Sigurisht që makineritë e dala “jashtë loje”, ngjashëm me automjetet e përdorura të Europës, gjetën treg shitjeje në një vend si i yni që po përjetonte ca iluzione bumi ekonomik. Shkoi deri aty sa kafeneja, pasatempoja dhe biznesi më i përhapur ndër shqiptarë, u kërcënua seriozisht nga zllot makinat dhe llotot sportive. Logjika ngjan “e shëndoshë”: Pse të harxhosh paratë kot në kafe e raki, kur mund të provosh fatin? Dhe shumëkush nga ata që e provuan, janë shndërruar në robër të vesit, pa llogaritur tjetrën, që mjedise të tilla bëhen habitate natyrale të kriminalitetit. 

Thënë kjo, megjithë alergjinë ndaj aksionit apo fushatës (në vend të përkohshmërisë së të cilit qytetarët preferojnë gjithëkohshmërinë e ligjit që zbatohet prerë dhe verbër nga kushdo), operacioni i ministrit është për t’u përgëzuar, si sinjal lufte ndaj një gangrene që i shtohet si qershia e helmuar mbi tortën e hidhur, halleve dhe problemeve të këtij vendi. Por nuk mund të mos vihen re edhe disa anë që premtojnë kontradiktë. Kështu, përballë nevojës shoqërore për kufizimin, vendndodhjen e mirëpërcaktuar, liçensimin, taksimin e rreptë etj, të lojrave të fatit, vihet nevoja e buxhetit të shtetit për shumat e mëdha që vilen nga këto aktivitete. Ndaj duhet gjetur një e mesme që respekton të dyja nevojat.

Ama, nuk mund të lihen pa përmendur edhe disa dyshime që kanë hedhur skeptikët apo kritikët e kësaj qeverie. A është ky një operacion që synon pastrimin e tregut nga “operatorët” aktualë, për ta mbushur më vonë vakumin e krijuar, me biznese identike njerëzish pranë ose brenda PS-së? Me të njëjtën linjë arsyetimi, a do mbeten fjala vjen, spitalet, të pastruara nga aktivitetet ndihmëse jashtëspitalore, apo do rimbushen me bizneset e “këtyre” pasi të largohen “të atyre”?

Këtë dyshime i zbardh vetëm e ardhmja e afërt. Por operacioni me emërtimin që rrezaton vendosmëri, “Fund marrëzisë”, mund t’i çojë deri në fund përgëzimet e shumëkujt ndaj Saimir Tahirit, nëse ministri kryen edhe hapin tjetër. Moratoriumi i përkohshëm që pezullon veprimtarinë e kazinove deri në verifikimin e plotë të operatorëve të ligjshëm e të paligjshëm në treg, është e vetmja rrugë për të ndarë shapin nga sheqeri (për aq sa mund të përmendet sheqeri në rastin e bixhozit). Por nëse flitet për bashkëpunim e dialog politik e institucional, ndoshta duhet kërkuar bashkërendim me kryebashkiakun Basha, edhe për aksionin e harruar të këtij të fundit për mbledhjen në një hapësirë gjeografike të bizneseve të kumarit. Kjo, jo vetëm për Tiranën dhe gjithkund. Të paktën në këtë mënyrë, cilido shqiptar që ka vendosur të luajë me pasurinë dhe fatin e familjes së tij, të detyrohet të bëjë një copë rrugë të mirë drejt vesit, dhe jo të shitet që tek lokali në hyrje të pallatit.  

Revista Klan

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?