MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Marku: Pas 20 vitesh pluralizëm, PD-ja, më komuniste sesa ishte - Thesari

E Dielë 08 Dhjetor, 2013
Marku: Pas 20 vitesh pluralizëm, PD-ja, më komuniste sesa ishte

MARK_MARKU

Partia Demokratike, më 12 dhjetor feston krijimin e 23 të saj. Ajo lindi si parti, si pasojë e lëvizjes së studentëve, të cilët protestuan më 8 dhjetor të vitit 1990, duke kërkuar rrëzimin e sistemit më gjakatar komunist në Europën Juglindore. Ky përvjetor e gjen PD-në në opozitë, ajo u rrudh shumë nga votat e marra më 23 qershor. Sali Berisha ka qenë i gjithëpushtetshmi në PD përgjatë këtij rrugëtimi prej më shumë se dy dekadash, si në drejtimin e pushtetit dhe në opozitë. Gazeta “Shqip”, për gjendjen ku ndodhet e djathta dhe më saktë PD-ja, po boton një analizë të ish-deputetit demokrat Mark Marku, një nga zërat e fuqishëm kritik për situatën në të cilën ndodhet kjo parti. Profesor Marku jep arsyet se pse PD-ja është në këtë situatë dhe cilat duhet të jenë masat për të bërë të mundur që ajo të ringrihet dhe të rikthehet në pushtet.

Z. Marku, prej tetë vitesh në pushtet, PD-ja doli në opozitë. Pas humbjes së zgjedhjeve, u bë publike dorëheqja e kryetarit të saj, Sali Berisha. Pati një garë të hapur për zgjedhjen e kreut të ri, ku u zgjodh nga anëtarësia Lulzim Basha. Në këtë betejë pati disa reagime, pasi zgjedhja e Bashës nga disa analistë përflitet si e diktuar nga preferenca e liderit të demokratëve, Berisha. Si e shihni ju një proces të tillë. Ai ishte një proces që do të ndihmojë në konsolidimin e PD-së e dalë e tronditur nga vota e 23 qershorit, për shkak të rrudhjes së votave?

Lulzim Basha mund të ishte kryetar i PD-së edhe pa mbështetjen e Berishës, pasi në momentin kur u bënë zgjedhjet ai ishte pak më i avantazhuar se kandidati tjetër rival i tij, Sokol Olldashi, jo se kishte ndonjë përparësi të dukshme nga pikëpamja e kontributit politik apo staturës intelektuale krahasuar me Olldashin, por, sepse Lulzim Basha kishte arritur një sukses të rëndësishëm në betejën elektorale për Tiranën dhe kjo e bënte atë një figurë më konkurrenciale në planin afatgjatë perspektiv të rikthimit të PD-së në një parti fituese. Problemi pra, nuk qëndron te fakti se kush është kryetar i PD-së, por te pamundësia e kryetarit aktual të PD-së për të qenë kryetari real i PD-së, për shkak të dublimit të këtij roli nga ish-kryetari Berisha. Deri tani, zoti Berisha ka bërë të gjitha përpjekjet për të treguar se është ai kryetari de facto i PD-së dhe zoti Basha ka bërë përpjekje minimale për të qenë kryetari de facto i PD-së. Për këtë arsye nuk kemi pasur ende mundësinë ta kuptojmë nëse zoti Basha është apo jo zgjedhja e duhur, pasi nuk ka filluar ende realisht ushtrimin e pushtetit që zgjedhësit e partisë i kanë dhënë duke e votuar.

Profesor Marku, kanë kaluar pesë muaj nga zgjedhjet e 23 qershorit, PD-ja akoma nuk ka bërë një analizë të thellë për shkaqet e humbjes së pësuar, edhe pse është deklaruar disa herë (herën e fundit para tri ditësh) se do ta bëjnë analizën e humbjes. A mendoni se mungesa e një analize të tillë me strukturat po pasohet në mënyrë indirekte dhe me mënyrën e bërjes së opozitës në Kuvend, e cila duket e çorientuar, ku pesha e drejtimit të kreut të PD-së duket fare ose aspak?

PD-ja nuk ka bërë as analizë të përciptë të shkaqeve të humbjes e jo më analizë të thellë dhe kjo mendoj se është gjëja që e bën të duket si një shtirje apo tallje e madhe dorëheqjen e zotit Berisha dhe zgjedhjen e kryetarit të ri. Nëse kjo parti do e kishte marrë seriozisht analizën e humbjes (humbjeve), atëherë duhej që më parë të kishte bërë analizën e më pas të kishte bërë zgjedhjet. Por pati një ngutje për të mbyllur fillimisht çështjen e lidershipit, gjë që logjikisht do të thotë edhe mbyllje pa nisur e analizës. PD-ja ka humbur thellë dhe kjo kërkon analizë të thellë. Problemi themelor që ka PD-ja dhe që kjo parti nuk është përpjekur ta analizojë asnjëherë, ka të bëjë me faktin se kjo parti, edhe pse ka një emërtim demokratik, nuk asgjë demokratike, edhe pse është partia që promovoi lindjen e pluralizmit shqiptar nuk ka asgjë plurale. Dominimi i fortë i kësaj partie nga ana e Berishës e ka mbajtur atë të fortë, solide por, e ka bërë monokrone, jo përfaqësuese dhe rrjedhimisht edhe parti që e ka shumë të vështirë të marrë konsensusin e shumicës së qytetarëve në zgjedhjet e përgjithshme. Përveç zgjedhjeve të vitit 1992, kjo parti nuk ka arritur asnjëherë të jetë parti e shumicës për nga numri i votave që asaj i japin qytetarët shqiptarë. Sa herë ka qenë në pushtet pas këtij viti ajo, ose i ka manipuluar zgjedhjet si në vitin 1996, ose ka ardhur në pushtet për shkak të keqshpërndarjes së votave të elektoratit të së majtës, siç ndodhi në vitin 2005, ose për shkak të koalicionit me forca të tjera si në vitin 2009. Këtu duhet nisur analiza dhe këtu mendoj se duhet filluar edhe riorganizimi apo rithemelimi i së djathtës moderne shqiptare. Por kjo nuk mund të bëhet prej Berishës dhe matrioshkave të tij në PD, pjesa më madhe e të cilëve mendojnë se historia politike e njerëzimit fillon dhe mbaron me Berishën. E dëgjova zotin Basha të thoshte se së shpejti do të nisnin analizën e humbjes. Personalisht jam i prirur të mos i paragjykoj të tjerët në misionin e tyre, por në rastin konkret kam frikë se premtimi i zotit Basha nuk do të realizohet. Të bësh analizën e PD-së do të thotë të drejtosh gishtin mbi shkaktarin e humbjes, mbi zotin Berisha, gjë që për zotin Basha do të ishte një sakrilegj. Të bësh analizë do të thotë t’i shpjegosh elektoratit tënd pse PD-ja pas 20 vjetësh pluralizëm është më komuniste se ç’ishte 20 vjet më parë, pse i humbi lidhjet me elektoratin bazë të saj: ish të persekutuarit dhe të shpronësuarit nga regjimi komunist, pse e humbi elektoratin e qyteteve të mëdha, pse e humbi simpatinë e intelektualëve, mbështetjen e të rinjve, pse futi në kulturën politike dhe atë qeverisëse abuzimin me pushtetin dhe mungesën e përgjegjësisë së ushtrimit të tij, pse e bëri si kriter dominant të karrierës politike lëpirjen, sharlatanizmin dhe paaftësinë, pse komunistët dhe spiunët e Sigurimit të Shtetit qenë kontingjenti i preferuar i të zgjedhurve të Berishës, pse e ndyu idenë e pjesëmarrjes në politikë aq shumë sa e ka bërë politikën dhe politikanët objekt urrejtjeje të qytetarëve. Ja pse mendoj se Lulzim Basha e ka të vështirë të bëjë analizë dhe nuk mendoj se do ta bëjë ndonjëherë atë.

Si e komentoni drejtimin e deritanishëm të PD-së nga Lulzim Basha. A gëzon ai një mëvetësi për marrjen e vendimeve apo ndikohet në mënyrë direkte dhe indirekte nga ish-kreu Berisha. Analistë të ndryshëm, si Mustafaj, përmendin historinë e Angela Merkelit, se në momentin kur Kohl doli nga zyra e Kristian-Demokratëve atëherë ajo mori realisht drejtimin e partisë?

Edhe sikur të ishte një politikan gjenial, Lulzim Basha në tre muaj kryetar opozite nuk mund të bënte ndonjë gjë të madhe, pasi ka gjetur një parti të shkatërruar (edhe për faj të tij), kështu që nuk kemi si ta gjykojmë. Ajo çfarë kërkon opinioni prej tij është e vetmja gjë të cilën ai mund dhe duhet ta bënte: të jetë kryetar i PD-së. Me këtë nuk kuptoj që ai të fillojë të zihet me Berishën apo të sulmojë Berishën, pasi kjo, përveçse e pamundur dhe jo etike për të, do të ishte edhe vetë asgjësuese. Por ai duhet të japë shenja se PD-ja do të ndryshojë mentalitet. Deri tani nuk kemi asnjë shenjë në këtë drejtim. PD-ja të ofron të njëjtën pamje: banalitet në nivelin e përfaqësimit (në pjesën më të madhe figurat që i ka ofruar në funksionet partiake apo parlamentare janë banale, irrituese), struktura partiake të shkatërruara, politikë pa kurrfarë shkëndije mendimi, komunikim politik propagandistik ku risia qëndron vetëm te veshjet e recituesve të fjalimeve e kështu me radhë. Kështu bëhet më se e qartë se edhe historia e përzënies së Helmut Kohlit nga zyra prej Angela Merkelit nuk ka për të ndodhur. Tek e fundit nuk mund të ketë histori të ngjashme me personazhe të ndryshme: Basha dhe Berisha janë aq të ndryshëm nga Merkeli dhe Kohli, sa ç’është e ndryshme Gjermania nga Shqipëria dhe Berlini nga Tirana.

Ndarja nga jeta në mënyrë tragjike e deputetit Sokol Olldashi pak javë më parë, përveç humbjes njerëzore për familjen e miqtë e tij, çfarë boshllëku krijoi në PD? Flitet që i ndjeri Olldashi kishte një platformë për reformim të Partisë Demokratike, por që kurrë nuk e bëri të ditur se çfarë përmbante në të dhe, që nuk e tha asnjëherë se si e mendonte ai PD-në. Në reagimet e fundit kemi parë kryetarin Basha që ndan me publikun momentet e takimit të tij të fundit me z. Olldashi dhe u kërkon të tijve të bëjnë opozitën brenda opozitës. Nga ana tjetër, nga foltorja e Kuvendit, deputetja Mesila Doda fajëson krerët e PD-së që e braktisën Olldashin. Si e shihni këtë situatë të fundit brenda PD-së? Mos ndoshta dikush brenda radhëve të së djathtës po përfiton nga kjo?

Ndiej dhimbje për Olldashin e ndjerë, për atë vdekje krejt të parakohshme dhe të papritur, por edhe neveri për hipokrizinë që ka shpërthyer pas vdekjes tragjike të tij. Të gjithë po tregojnë se sa shumë e donin dhe sa të nevojshme e kishin praninë e tij. Unë personalisht mendoj se vdekja e tij e ka dëmtuar PD-në, pasi, siç jam shprehur edhe më parë, Bashën dhe Olldashin i shikoja më tepër si figura përplotësuese sesa si figura konkurruese. Përveç kësaj, me pozicionimin kritik që kishte marrë pas konkurrimit të tij për kryetar të PD-së, zoti Olldashi mund të ishte shumë i dobishëm në një parti ku pikërisht gjëja që mungon më shumë është mendimi kritik dhe opozita e brendshme, aq e domosdoshme për një Parti Demokratike.

Nëse mundeni, një opinion i juaji për atë si duhet të jetë opozitarizmi i së djathtës? A duhet që dhe FRD-ja t’i bashkohet asaj apo anasjelltas? Apo është herët për të parë zhvillime të tilla?

Personalisht mendoj se nëse e djathta nuk rithemelohet dhe riformatohet tërësisht do ta ketë të vështirë për t’u kthyer në pushtet. Nëse vazhdon kështu, PD-ja mund të shndërrohet në një parti periferike të sistemit politik shqiptar, në një parti që do të degradojë në gjysmën e elektoratit që ka sot. Tek e fundit edhe energjitë e së djathtës nuk kanë pse të synojnë për t’u integruar pafundësisht te një parti që nuk e ka shkëputur kurrë kordonin ombelikal me komunizmin dhe që përbuz çfarëdo individi, rryme apo grup përfaqësimi që shfaq një identitet të ndryshëm nga identiteti neokomunist i Sali Berishës. Nëse PD-ja do të vazhdojë të zhytet në autizmin e vet, unë mendoj se ata që e duan vërtet të djathtën, që kanë ambicie politike dhe që kanë një vizion për të djathtën moderne do të duhet të mendojnë për zgjidhje jashtë PD-së. Energjitë e tyre ndoshta do të menaxhoheshin më mirë nëse do të kanalizohen në forca të reja politike moderne që nuk do t’i trashëgonin sëmundjet e sistemit të sotshëm politik dhe sidomos ato të sistemit totalitar.

 

Humbja

Të bësh analizën e PD-së do të thotë të drejtosh gishtin mbi shkaktarin e humbjes, mbi zotin Berisha, gjë që për zotin Basha do të ishte një sakrilegj

Vizioni

Nëse PD-ja do të vazhdojë të zhytet në autizmin e vet, unë mendoj se ata që e duan vërtet të djathtën, që kanë ambicie politike dhe që kanë një vizion për të djathtën moderne, do të duhet të mendojnë për zgjidhje jashtë PD-së

Olldashi

Zoti Olldashi mund të ishte shumë i dobishëm në një parti ku pikërisht gjëja që mungon më shumë është mendimi kritik dhe opozita e brendshme, aq e domosdoshme për një Parti Demokratike

Kryetari

Zoti Berisha i ka bërë të gjitha përpjekjet për të treguar se është ai kryetari de facto i PD-së dhe zoti Basha ka bërë përpjekje minimale për të qenë kryetari de facto i PD-së

Berisha

Dominimi i fortë i kësaj partie nga ana e Berishës e ka mbajtur atë të fortë, solide, por e ka bërë monokrone, jo përfaqësuese dhe rrjedhimisht edhe parti që e ka shumë të vështirë të marrë konsensusin e shumicës së qytetarëve në zgjedhjet e përgjithshme

Degradimi

Nëse vazhdon kështu, PD-ja mund të shndërrohet në një parti periferike të sistemit politik shqiptar, në një parti që do të degradojë në gjysmën e elektoratit që ka sot

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?