MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Masakrohet në shtëpi pronarja e dy lokaleve - Thesari

E Premte 25 Tetor, 2013
Masakrohet në shtëpi pronarja e dy lokaleve

Viktima-Shpresa-Telha

Gjendet e masakruar dhe e kyçur në banjën e shtëpisë së saj 55-vjeçarja Shpresa Tehla në Sarandë. Dyshohet grabitje.

Vajza e Shpresa Telhës dha alarmin, e ëma s’i hapi telefonin dy ditë.


Gjendet e masakruar në banesën e saj pronarja e dy lokaleve në Sarandë. Shpresa Telha, 55 vjeçe, e cila rreth tri vite më parë ishte kthyer nga emigrimi në Greqi, ishte goditur me mjete të forta në kokë dhe më pas ishte izoluar në tualetin e apartamentit.
Gruaja e divorcuar, nënë e një vajze emigrante, është gjetur nga nipi i saj dhe një shok i tij, të cilët shkuan në banesën e saj pas telefonatës alarmante të së bijës. Kjo e fundit kishte dy ditë pa komunikuar me të në telefon. Ajo e priste nënën të shkonte në Greqi të mërkurën, por thirrjet që ishin transferuar me telefonin e mbyllur të 55-vjeçares e kanë shqetësuar atë, duke kërkuar ndihmën e djalit të dajës. Ky i fundit, së bashku me një shok të tij, shkuan mesnatën e së mërkurës në apartamentin e Shpresa Telhës, në një pallat të ri në rrugën “Turizëm-Kanali i Çukës”, në Lagjen Nr. 1 të Sarandës. Ata kanë hapur me lehtësi portën e jashtme të banesës në katin e pestë. Fillimisht janë përballur me rrëmujë në të gjitha dhomat, ndërsa Shpresa Telha nuk dukej gjëkund. Pasi kanë kontrolluar dhomat e apartamentit, ata vunë re se dera e banjës ishte e mbyllur. Duke parandier se diçka e keqe mund të kishte ndodhur, djemtë përdorën forcë duke e shqyer derën, ku edhe u përballën me trupin e pajetë të Shpresa Telhës. Viktima ishte e rrëzuar në tokë, kishte të nxira në duar, ishte gjakosur në fytyrë, e sidomos pranë hundës, ndërkohë që kishte dhe plagë në kokë. Të tmerruar, dy dëshmitarët e ngjarjes njoftuan menjëherë policinë e Sarandës, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes. Nga këqyrjet paraprake rezulton se porta e banjës ishte e mbyllur nga jashtë nga autori, i cili dyshohet edhe ta ketë goditur me grushte e sende të forta 55-vjeçaren. Policia ka nisur menjëherë hetimet për “vrasje me dashje”, duke kryer dhe kontroll të banesës për elemente plotësuese të hetimit. Celularët e viktimës nuk janë gjetur, ndërkohë që vrasësi ka marrë edhe sende të tjera personale të saj, përfshirë edhe portofolin. Familjarë të viktimës i thanë grupit hetimor se Shpresa Telha jetonte e vetme, në shoqërinë e një qeni që e mbante përherë me vete, madje edhe kur dilte. Kafsha shtëpiake nuk u gjet në banesë, çka hedh dyshimet se është marrë nga vrasësi për të mos e lejuar të lehë duke vënë në lëvizje banorët e tjerë të pallatit.
Për disa orë trupi i viktimës është mbajtur në vendin e ngjarjes e më pas është transportuar drejt morgut të spitalit “Petro Nako” të Sarandës. Një mjek ligjor i ardhur nga Gjirokastra nuk ka marrë përsipër kryerjen e autopsisë pa asistencën e një mjeku ligjor të Tiranës. Për këtë, pasditen e së enjtes mbërriti në Sarandë një mjek ligjor nga Tirana. Sipas specialistit mjekoligjor, vdekja e viktimës është shkaktuar nga goditja me sende të forta në kokë, e cila ka qenë fatale për të. Deri në orët e mbrëmjes policia shoqëroi rreth 10 shtetas që mund të kishin dijeni mbi krimin e rëndë. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se nuk konstatohet që dera e viktimës të jetë hapur me dhunë. Kjo ka hedhur dyshime të forta se gruaja mund ta ketë njohur autorin dhe ia ka hapur vetë derën. Por nuk përjashtohet as dyshimi se vrasësi mund ta ketë hapur derën me mjete të tjera pa qenë e nevojshme të përdorte dhunën. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se viktima kishte pronë të sajat dhe i kishte dhënë me qira një ambient për agjenci udhëtimesh dhe një ambient tjetër për një pikë të këmbimit valutor.

Zhurmat
Fakti që pallati i ndërtuar vitet e fundit nuk ishte i banuar plotësisht ka bërë që asnjë zhurmë të mos dëgjohet nga ata pak familjarë, fqinj të 55-vjeçares. Ajo jetonte në katin e pestë të godinës, ndërsa në të gjithë ndërtesën 8-katëshe banonin vetëm 4 familje. Të pyetur nga policia ata kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar asnjë zhurmë dyshuese, as të bërtitura e as lehje të qenit që viktima mbante. Gjithçka është zbuluar vetëm nga ankthi i bijës së viktimës, e cila prej së hënës nuk kishte komunikuar me të ëmën. Kjo ka bërë që policia të dyshojë se krimi është regjistruar brenda rreth 48 orësh nga momenti i zbulimit të trupit të pajetë.

Udhëtimi 
Në komunikimin e saj të fundit me vajzën ditën e hënë, Shpresa Telha i ka thënë asaj se kishte blerë biletë për të udhëtuar me autobus drejt Greqisë dy ditë më pas, pra ditën e mërkurë. Ajo do të vizitonte fëmijën e vetëm të saj, fryt i një martese që ka përfunduar në divorc shumë vite më parë. Ky ka qenë komunikimi i fundit me të bijën, e cila i ka telefonuar asaj dy ditë rresht (të martën dhe të mërkurën), derisa mesnatën e së mërkurës ka kërkuar ndihmën e djalit të dajës. Ajo i ka kërkuar të shkonte në banesën e së ëmës dhe të shihte se çfarë kishte ndodhur, pasi prej dy ditësh nuk i përgjigjej në telefon dhe nuk kishte mbërritur as në Greqi në ditën kur edhe kishte prerë biletën.

Fqinje me Adem Demaçin
Pallati 8-katësh ku banonte Shpresa Telha ka rënë edhe më parë pre e grabitjes. Autorët arritën të futeshin në banesën e politikanit e shkrimtarit kosovar Adem Demaçi. Prej vitesh banor sezonal i Sarandës, Demaçi nuk ka qenë në banesë më 16 nëntor të vitit 2010, kur grabitësit hynë në apartamentin e tij dhe morën sende personale me vlerë të tij. Për ngjarjen atëherë policia shoqëroi disa persona, por nuk mundi të identifikojë dhe kapë autorët.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?