MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Meritat e Qeverisë - Thesari

E Martë 07 Janar, 2014
Meritat e Qeverisë

qeveria-rama4

Këto sukseset e përditshme të qeverisë po më habisin, e si thonë në Kosovë, po ma hekin trunin... Dalin drejtuesit e shtetit e shesin suksese thuaj se jemi duke bërë mrekullinë e botës. Kthehu majtas, del një minister që të flet për suksese. Kthehu djathtas, del një drejtoreshë që të flet për suksese. Kur i degjon ministrat e drejtoresht duke dhënë konferenca për shtyp e duke shitur numra e përqindje të duket Shqiperia si Zvicra në 100 ditë. Dhe nga ana e vet, opozita formale feston ditëlindjet e degëve të PD-së katund më katund. 

Ja, doli drejtoresha e tha se u volën më shumë para në dogana. Mire shume, po pse pati rritje? U rriten importet. Kush i rriti importet në Dhjetor, qeveria apo këto importuesit që duan të shmangin taksat që po rriten dhe harxhuan më shumë për të rritur stoqet e tyre? Ku është merita e qeverisë? është ulur importi e është rritur konsumi. Po ja, emigrantet që po kthehen e sjellin atë pak mall që kanë dhe po harxhojnë kursimet. Ja edhe rritja e konsumit se janë kthyer 200 mijë e më shumë vetë nga Greqia, d.m.th. popullsia është rritur me 10%. edhe konsumi do të rritet. Mirëpo na del se konsumi është rritur më pak se përqindja e emigrantëve... Ku është merita e qeverisë? Del ministri dhe thotë se u ulen aksidentet vdekje-prurëse me 38%. Po këtu në SHBA ka një javë që janë ulur me 60% në North Dakota psh, sepse njerëzit nuk dalin nga shtëpia prej të ftohtit dhe Janari do të hyjë në histori si muaji me më pak aksidente vdekje-prurëse. Ku është merita e qeverisë për ketë ulje? Janë ulur vrasjet me 50%... Ku është merita e qeverisë? Na thuhet është ulur si përqindje e totalit importi dhe është rritur eksporti... Mire, por kjo gjë, në një vend që nuk prodhon asgjë të hajrit, përvec fasonerisë, thjesht tregon se ka rënë fuqia blerëse. Ku është merita e qeverisë? Nëse ministri don të tregojë rregull, të na tregojë se si do të sillet me atë karagjozin që iu hoq patenta dhe që i jep makinës pa e carë koken për shtetin. Këtu është merita e qeverisë. Kryeministri të na tregojë pse u ul norma e interesit për dy javë me 0.5% e askush nuk bën gëkmëk. Këtu është merita e qeverisë. Të na shpjegojnë se si e lejojnë matrapazllëkun me uljen e vlerës së valutës së huaj gjatë periudhës së vizitave të emigrantëve dhe ç'ka do të bëjnë për të mbrotjur ata. Këtu është merita e qeverisë. Të na tregojë se kush ka shkuar në burg nga këta super të korruptuarit. Ketu është merita e qeverisë. Të zbulojë vrasjen e Olldashit. Ketu është merita e qeverisë. Të na tregojë pse cmimet e shtëpive po bien me një shpejtësi marramendëse (me 15% brënda vitit e brënda unazës) dhe se kush është përgjegjes për ketë piramidë ndërtimore që ua vodhi paratë shqiptarëve më shpejt e më lehtë se Sudja. Këtu është merita e qeverisë. Të na tregojë pse janë ende hapur oficinat edukative të quajtura universitete. Këtu është merita e qeverisë. Të fusë në burg e ti lërë aty të gjithë këta që i heq nga puna si të korruptuar, sepse po patën vjedhur dikur edhe një lek, duhet të përgjigjen deri më një. Këtu është merita e qeverisë. Kur sheh emigrantët që jetojnë me kursimet e gjakut të tyre pa asnjë shpresë për të ardhmen e ti japë zgjidhje. Këtu është merita e qeverisë. Kur sheh skamjen, mjerimin, varfërimin, fukarallëkun, mungesën e zgjedhjeve, trafiqet, shkaterrimin moral, e me radhë që duhet ti jepet zgjidhje. Këtu është merita e qeverisë. Hajde të flasim për inflacionin, taksat, borxhin e shtetit, borxhin e privatëve, të bizneseve, e me radhë. Këtu është merita e qeverisë.

Kur sheh ministrin e financave që përpëlitet sepse nuk din nga do të marrë borxh duhet menduar mirë se gjëndja është keq, po aq keq ama, sa në fund duhet të thuhet se nuk jetohet me gënjeshtra. Thuajuni njerëzve të vërtetën, merrni pergjegjësinë, dhe jepni zgjidhjen, mos na jepni shfaqje të përditshme. Këtu është merita e qeverisë. Se shohim televizor gjithë paradotën, por në fund, nuk pyesin fëmijët as për PeDe e as për PeSe, por duan bukë, shkollë, libra, fletore, mbrojtje, edukim, siguri e qetësi, e jo rrenat e radhës. Këtu është merita e qeverisë . Na fol, o ministër, për Lazaratin, Tropojën, drogën, trafiqet, kontrabandën, pisllëkun moral, e jo për uljen e aksidenteve në rrugë. Këtu është merita e qeverisë.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?