E di Bled, mua më pëlqëjnë njërëzit që nuk shkojnë pas rrymës së momentit pa logjikuar me ftohtësi. Edhe unë nuk jam plotësisht dakort me veprimin e Mirelës sepse ka hapa të tjerë para se të shkojmë tek salca, por e justifikoj. Atë që nuk justifikoj je ti!
Ke të drejtën të kritikosh qëndrimin e vajzës apo të kujtdo tjetër me argumenta, por jo, ti zgjedh gjuhën e sharjeve, gjuhën e rrugës, goditjet e ulta.
Një shprehje thotë që njerëzit e mëdhenj merren me ide, mesatarët me ndodhi dhe ata të vegjëlit me njerëzit. Ti merresh me njërëzit Bled.
E di? Në këtë vendin tonë të çuditshëm të gjithë vetëtitullohen; dikush vetëtitullohej mbret dikur, dikush tjetër njeriu i ri, dikush këngëtar, analist, shkencëtar, artist, rilindas, intelektual apo edhe kryeministër.
Ndërsa ti e quan veten gazetar. Ne nuk kemi etalone, nuk kemi njësi matëse vertikale; jemi tërësisht horizontalë si shoqëri dhe në këtë plan 2-dimensional çdokush ka lirinë ta titullojë veten ç’të dojë, biles edhe zot.
Ti je nga ai lloj gazetari që merresh me fizikun e dikujt dhe jo me idetë që ka. Ofendon dikë nga pesha e nga jetesa që bën. Ti ke vuajtur në jetë besoj, por kur na jepet pak pushtet tjetërsohemi Bled; bëhemi ose të dhembshur ose përbindësha (Shpeshherë ne shohim e sulmojmë tek të tjerët atë që urrejmë tek vetja; ndoshta duhet të thellohesh më shumë tek kjo pjesë e brendshme e jotja. Puna me veten gjithmonë na bën mirë!).
Duhet të futesh vetë në universitet për ta parë se sa e vështirë është jetesa dhe kushtet; po ta thotë një student. Të paguash qeranë, ushqimin, nevojat e tua, librat, tarifat, ne një universitet të rrënuar si fizikisht ashtu edhe shkencërisht, me 300-400 mije lekë të vjetra në muaj nuk është gjë e lehtë.
Ti je vetëquajtur gazetar Bled, biles edhe armik publik, por mbyll sytë para kaq shumë gjërash. E di ti i bie Bulqiza e Kromit? Po pasuritë kombëtare e di ç’po u bëhet? Po Rilindjen a e sheh si po na e thith gjakun? Po antivlerat dhe “gazetarët” si puna jote?
Ti je vetëquajtur gazetar e merresh me vogëlsira; me Mirelën, një vajzë që përpos veprimit të guximshëm dhe të diskutueshëm e ka vënë veten para një lupe të pamëshirshme. Të mos harrojmë se ne nuk jemi dhe aq të sjellshëm me reagimet tona! Nuk do të doja të isha në pozitën e familjes së saj tani.
Ti je gazetar që i kërkon një vajze të re pse nuk ka jetuar në kohën e Gazidedes, vetëm që të nxjerrësh të larë rilindasit. Po krahason dy regjime muti dhe thua që ky i riu është më i mirë se është i njomë e duket mirë.
Me logjikën tënde shumëkush duhet të flasë ty për kohën e Komunizmit dhe të thotë që ishe me fat që nuk të burgosën a vranë. Ne nuk e zgjedhim kohën kur jetojmë i dashur, veprimet dhe fjalët tona po.
Ti je gazetar e merresh me Lolitën; diçka po e guximshme dhe e diskutueshme, ama e nevojshme në këtë llum kaotik që rritet përditë. Merresh sepse nuk di të merresh me gjëra më të larta, nuk di të bësh gazetari të vërtetë, sepse realisht je i varur nga të tjerë njerëz.
Ti je gazetar, por mesa di unë, përveç sulmeve të ulta, kurrë nuk ke folur realisht për nivelin e gazetarisë në këtë vend shitblerjesh mediash si në merkatot e futbollit.
Ti Bled përfaqëson në mënyrë përfekte shpirtin e kësaj kohe: njerëz të vetëqujtuar e te vetëshpallur, pa etikë, pa moral, po formim të fortë akademik, pa përgjegjësi për atë që thonë e bëjnë.
Problemi qëndron në faktin se të jepet e drejta e zërit para se ta meritosh atë duke ndikuar publikun dhe kur ndodh kjo, më shumë e dëmtojmë shoqërinë se sa i bëjmë mirë.
Një njeri i mençur, dhe këta duhen dëgjuar, ka thënë: “Mediat sociale u japin të drejtën idiotëve të flasin, kur ata flisnin vetëm në bare pas një gote vere, pa e dëmtuar komunitetin. Pastaj heshtëzoheshin shumë shpejt, por tani kanë të drejtën e fjalës njëlloj me Nobelistët. Është pushtimi i idiotëve” - Umberto Eko.
P.S. Këtu ke Kodin Etik të Medias Shqiptare ne PDF t'i hedhësh një sy. http://www.osce.org/sq/albania/21235