MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Pse nuk lodhemi duke folur për Lëvizjen Studentore? - Thesari

E Martë 17 Dhjetor, 2013
Pse nuk lodhemi duke folur për Lëvizjen Studentore?

shinasi

Opinionisti Mustafa Nano kishte nje shkrim tek DITA “Kur do të vijë dita të lodhen dhjetoristët tanë?” Ndryshe nga ata komentatorët e njohur të botës që bëjnë një shkrim të keq ndër treqind që shkruajnë në një vit, Z. Nano ka bërë një shkrim të mirë dhe për fat të keq rastisi të ishte pikërisht ky shkrimi i tij i vitit.   Të tjerat kanë qënë thjesht propagandë dhe rrërtërrtërre në shërbim të atyre që e paguajnë për jetesë. Thelbi saktë i këtij shkrimi është se tani ajo periudhë kritike ka kaluar, ne këta jemi, Saliu është produkti i ynë. Pjesa e gabuar e shkrimit është mendimi se dhe këta që iu kthehen këtyre gjërave janë gabim dhe jashtë kohe. Njerëzit gërmojnë male për të gjetur një copë të vogël ari apo diamanti, e në se në një shkrim me kaq pak fjalë, edhe pse e ka mbushur me mendime të cekta z. Nano thotë një të vërtetë, atëherë ai duhet përgëzuar. Ajo e vërteta e fundit është ajo që ka vlerë. Si Nano, si Berisha si këta të tjerët kanë dalë nga e njëjta fabrikë jenicerësh. I takon z. Nano ta zhvillojë këtë idenë e tij por unë do të ndalem pikërisht tek argumenti i tij i gabuar: mendimi se unë e të tjerët që flasim për Levizjen Studentore duhet të lodhemi e të heqim dorë. Ja disa arsyet pse mendoj se z. Nano e ka gabim kur formulon këtë pyetje të mbështetur në premisën e sjelljes absurde dhe sizifiane to disave prej nesh që e ekonsiderojmë atë moment si shumë të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët e jo vetëm për ne si individë.

Së pari, në një nivel ideologjik, Lëvizja Studentore e viteve 1990-1991 paraqiti një alternativë që nuk u përfaqua në politikë dhe që u braktis shpejt nga paria e Tiranës. Shkaku pse nuk u përqafua ajo alternativë duhet kërkuar pikërisht tek ai fill që përmend Nano e që i lidh të gjithë këta në origjinë: si Nano, si Berisha si këta të tjerët kanë dalë nga e njëjta fabrikë jenicerësh, që ai e quan me modesti “produkti ynë”. Le t’ja vërë emrin vetë z. Nano. Alternativa ishte e mbështetur në besimin se rruga e zgjidhjes dhe e së ardhmes kalonte nga forcimi i shtetit komb. Mundësia e vetme ishte për ti bashkuar shqiptarët rreth kësaj ideje. Rruga e gabuar ku jemi duke ecur e bën atë alternativë jo vetëm të dëshërueshme por edhe të pashmangshme. Po ta bëjnë shtet-kombin ata që duhet, do të bëhet një shtet-komb normal. Po të vazhdojnë ta bëjnë këta, shteti shqiptar do të jetë një shtet sklleverish të kriminalizuar që prodhon mall për trafiqe dhe karaktere të dobishme për jetën e nëndhëshme gjithkund. Kombi i shqiptarëve do të bëhet kombi i gjarpërinjve.

Së dyti, ne si komb kemi dyqind vjet që përplasemi me modernitetin dhe gjithnjë shkojmë pas tek origjinat tona katundare. Këtu as ky zotnia nga Skrapari, as ai tjetri nga Tropoja nuk bëjnë përjashtim, sepse si Nano, si Berisha si këta të tjerët kanë dalë nga e njëjta fabrikë jenicerësh, që Nano e quan me modesti “produkti ynë.” Ajo pikë kthese ishte një moment i cmuar për të hyrë me dinjitet e si gjithë kombet e tjera në bashkëkohësi. Forma më e lartë e organizimit shoqëror, forma më efikase dhe më e vyeshme për një shoqëri është shtet-kombi me një ekonomi tregu të institucionalizuar.   Shtetin e kishim efektiv, por që duhej të bëhej I të gjithë shqiptarëve, duhej ndërruar forma e regjimit dhe duhej punuar që të beheshim normal si të gjithë kombet e tjerë e jo duke ndjekur idhuj të rremë si Enver Hoxha. Kjo ishte rruga e kjo mbetet rruga e së mirës dhe e normalitetit edhe tani. Sepse kur sheh se cka ndërtuan këta që Nano i quan “produkti i ynë,” të merr vaji. E shëmbët shtetin dhe ndërtuat një kapitalizëm katundar, me një shtet katundar, me parti katundare, me prijatarë bashkatundarë, me një shoqëri të kriminalizuar, me moral të rrënuar pa vlera, pa mëshirë për të tjerët, me një sistem trafikimi njerëzish, droge, armësh mallrash që tmerron botën. Niveli i shkatërrimit moral, material, të vlerave dhe të fabrikës së shoqërisë është i frikshëm. Prandaj, ajo Lëvizje dhe ne që kemi qënë pjesë e saj, dhe që iu rrimë me besnikëri atyre vlerave, jemi anatemizuar, mënjanuar, shpërfillur e luftuar pa mëshirë. si Nano, si Berisha si këta të tjerët që kanë dalë nga e njëjta fabrikë jenicerësh, që Nano e quan me modesti “produkti ynë” nuk munden me pranue zgjidhje e njerëz të tjerë që nuk janë pjesë e parisë së Tiranës dhe që duan të punojnë për popullin e tyre e për ta trajtuar si pre, si një popull pis, që sipas tyre meriton vetëm të cnderohet, të degjenerohet e të sundohet. Këta janë nga soji më i keq i skllevërve që nuk duan tjetër vecse një kamxhik e të sundojnë skllevërit e tjerë.

Së treti, si Nanon, si Berishën si këta të tjerët kanë dalë nga e njëjta fabrikë jenicerësh, që ai e quan me modesti “produkti ynë,” i shqetëson shumë këmbëngulja e jonë për të mos hequr dorë nga alternative që kemi përfaqësuar dhe që është e vetmja rrugë e transformimit të shoqërisë shqiptare në një shtet-komb normal. Ne jemi pak, kemi qënë shumë pak gjithë kohën, por ideologjia e jonë ka qënë dhe mbetet e njëjta rrugë. Këta duan që të bëhemi si këta, të marrim një lugë e ti afrohemi tavës  e të hamë nga politika ”sepse ka për të gjithë more burrë.” Ne nuk duam të hamë nga gjaku e nga mundi, nga djersa e nga shpresa e popullit tonë. Ne duam t’I japim deri në fund, edhe atë që kemi popullit tonë. Sepse ndryshe nga këta që si Nano, si Berisha si këta të tjerët që kanë dalë nga e njëjta fabrikë jenicerësh, që ai e quan me modesti “produkti ynë,” ne nuk jetojmë me urinë e konvikteve. Nuk jetojmë për mall e gjë. Nuk jetojmë për të bërë emër. Nuk duam shpërblime e tituj. Por duam që të tregojmë rrugën e vërtetë të tjerëve. As unë as shumë shokë e shoqe të mija nuk kemi ndërmend të kthehemi, por kjo nuk na pengon me e dashtë Atdheun e Kombin nga I cili vijmë dhe pjesë e të cilit, edhe për shkak të asaj veprimtarie në Levizjen Studentore jemi pjesë e historisë së tij.

Së katërti, si Nano, si Berisha si këta të tjerët kanë dalë nga e njëjta fabrikë jenicerësh, që ai e quan me modesti “produkti ynë” duan të identifikojnë Lëvizjen Studentore me Berishën dhe Azem Hajdarin, me Ben Imamin, apo me Gramoz Pashkon. Në se ne do të heshtim, në se nuk do të mbrojmë atë të vërtetë për të cilën jemi sakrifikuar (sepse ka qënë shumë e lehtë për mua e për të tjerët me ndenjë urtë e me ba miliona) atëherë nuk e meritojmë me e pa veten në pasqyrë. Si unë si të tjerët duam që kur të zgjohemi në mengjez të shohim fëmijët tonë në sy dhe të rrezatojmë njerëzillëk, dashuri, e mirësi. Nuk dua që kur ti vë gotën e qumështit përpara të më duket si gotë e mbushur me gjak të popullit tim si duhet t’iu duket këtyre që na kanë sunduar e që bashkërisht na sundojnë e që si Nano, si Berisha si këta të tjerët kanë dalë nga e njëjta fabrikë jenicerësh, që ai e quan me modesti “produkti ynë.” Kurrë nuk është vonë me u ba ma i mirë, dhe ajo që ka ndodhur me ne e me Lëvizjen Studentore ka kenë epifania e jonë. Lëvizja nuk kanë qënë këta por ne. Jemi ne që jemi nisur të ndesim duke u ruajtur edhe prej këtyre. Ne nuk mund të lejojmë që këta të përvetësojnë atë që kemi bërë ne. Nuk kemi qënë pjesë e tyre, nuk jemi pjesë e asaj që si Nano, si Berisha si këta të tjerët që kanë dalë nga e njëjta fabrikë jenicerësh, që ai e quan me modesti “produkti ynë.” Në jemi krejt të ndryshëm dhe me kontribut tjetër. E fituam vetë pluralizmin politik, galvanizuam shoqërinë, i dhamë shpresë, shembëm mitin e Enver Hoxhës, formuluam vetë altervativat politike të dobishme, kishim strukturat tona, dhe dhamë një shembull që nuk ka ndodhur më parë e që është përsëritur më pas. Kushedi si e ka parë nga Skrapari z. Nano, por PD dhe Lëvizja Studentore kanë qënë dy struktura të ndryshme dhe të papajtueshme. Unë jam njeri i rritur në struktura dhe i formësuar në struktura cilësore, pavarësisht opinioneve që hedh andej këndej  “produkti i tyre.” E kemi ditur se cka duam dhe se si duhej fituar. E kemi ditur që nuk vinte pa gjak. Për shembull, kam bërë thirrje që të derdhet gjak, por kam thënë që të derdhet gjaku im, e jo I të tjerëve. Sepse kë do të vrisnin si Nano, si Berisha si këta të tjerët kanë dalë nga e njëjta fabrikë jenicerësh, që ai e quan me modesti “produkti ynë?” Por ashtu si krimbat hanë e mbijetojnë duke ngrënë një trup të shëndoshë, ashtu u përpoqën dhe deri diku ia arritën, që këta vemjet e sistemit të ushqehen me Lëvizjen. Mirëpo, ne nuk mund të lejojmë që PD e si Nano, si Berisha si këta të tjerët kanë dalë nga e njëjta fabrikë jenicerësh, që ai e quan me modesti “produkti ynë” të përvetësojnë kontributin tonë e të njollosin pastërtinë e moralin e asaj që ne kemi kontribuar. Kemi 20 e ca vite që flasim, themi të njëjtën gjë, nuk na dëgjon njeri por edhe 230 vjet të jetojmë, të njëjtën gjë do të themi. Pse nuk i thotë z. Nano doktorit që i thotë “leje duhanin se do të ngordhësh nga kanceri” mbylle gojën?  Pse na thotë ne që ta mbyllim gojën kur vendi e kombi janë në ditë të zezë? Por si Nano, si Berisha si këta të tjerët kanë dalë nga e njëjta fabrikë jenicerësh, që ai e quan me modesti “produkti ynë” duan të shuajnë e fshijnë me gomë cdo gjurmë alternative politike zgjidhjeje që iu shërben shqiptarëve.

Së pesti, si Nano, si Berisha si këta të tjerët kanë dalë nga e njëjta fabrikë jenicerësh, që ai e quan me modesti “produkti ynë” synojnë që ta kthejnë shtetin shqiptar në një shkretëtirë morale ku brezat e rinj, politikanët e rinj e të tjerët të mos kenë asnjë model, asnjë shembull, asnjë system vlerash tek I cili të kapen e të mbështeten. Duke folur për arë Lëvizje dhe për kontributin e madhërishëm të saj, ne e japim atë shembull që mungon, sepse këta që janë si një top gëlbaze, si Nano, si Berisha si këta të tjerët kanë dalë nga e njëjta fabrikë jenicerësh, që ai e quan me modesti “produkti ynë” nuk kanë lënë gjë pa bërë që ta njollosin.  Kjo nuk do të thotë që të merremi me politikë, por kjo don të thotë se të shkuarën tonë nuk e shesim dhe nuk lëmë njeri të na e vjedhë e përvetësojë. E vërteta do të dalë, edhe po nuk doli në Tiranë, ajo është gjithkund me ne dhe ne e kemi lënë e bardha në të zezë se cka ka ndodhur e cka duhet të bëhet.

Do të doja të shkruaja shumë mirëpo në shtetin shqiptar njerëzit nuk kanë më kujtesë. Nuk ia vlen për ata që janë shpirtra të vdekur e që gjallojnë si lugetër në qendrat e pushtetit në Tiranë, por ia vlen për ata që duan të dëgjojnë e të kuptojnë, pë rata që iu dhemb e që duan t’i ikin të keqes, që duan më të mirën për vete e për fëmijët e tyre. E natyrisht, kjo nuk është e pranueshme për këta si Nano, si Berisha dhe si këta të tjerët kanë dalë nga e njëjta fabrikë jenicerësh, që ai e quan me modesti “produkti ynë” e që unë e quaj paria e Tiranës, nxënësit e djallit që, po të mos i ndalim ne, nuk do të ndalen deri sa të ma shuajnë të gjithëve si komb e si farë.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?